Kërkoi 80 mijë €, gjysmat paradhënie: Pero Pejiç nuk rinovon me Flamurtarin
Pero Pejiç është larguar nga skuadra e Flamurtarit, edhe pse klubi u përpoq me të gjitha mënyrat që ta kënaqte bomberin kroat. Drejtuesit e klubit janë gjendur në vështirësi kur ai ka kërkuar 80 mijë euro për një sezon por, gjithsesi, në fund kanë rënë dakord për shumën. Më pas futbollisti ka kërkuar gjysmën e parave në dorë para fillimit të sezonit (40 mijë euro), ndërsa pjesën tjetër gjatë vitit.
Prapaskenat Gazeta “Panorama Sport” e pati njoftuar që më datë 13 korrik se Pero Pejiç ishte shumë pranë divorcit, ndërkohë që vetëm një ditë më pas ndarja u bë përfundimtare. Lojtarit nuk i kanë pëlqyer kushtet e klubit. Drejtuesit e Flamurtarit i kishin vënë një pikë në kontratë ku, në rast se skuadra nuk do të fitonte titullin ose Kupën e Shqipërisë sezonin e ardhshëm, atëherë të gjithë lojtarëve do t’u mbahej një përqindje e rrogës. Thuajse të gjithë futbollistët e kanë pranuar këtë, me përjashtim të Pejiçit. Për sulmuesin bëhej fjalë që të linte “peng” afro 12 për qind të kontratës, në rast të mosfitimit të njërit prej trofeve. Ky i fundit nuk ka hequr dorë nga kërkesa për 80 mijë euro dhe ka dashur që të evitohen klauzola të tilla në kontrata. Në këtë pikë drejtuesit nuk kanë lëshuar dhe marrëveshja dështoi.
Gjika Kryetari i Bashkisë së Vlorës, njëherazi edhe presidenti i klubit të Flamurtarit, ka thënë se bëri gjithçka mundej që të arrihej një marrëveshje, madje për xhentilesë i ka kërkuar Pejiçit që të reflektonte, por është i ndërgjegjshëm se “divorci” duket i pashmangshëm. “Pejiçit ia plotësuam kushtet financiare, edhe pse na u desh të sakrifikonim shumë. Mund të them se na ndanë modalitetet, por ne si drejtues duhet të mendojmë edhe për klubin dhe për ecurinë e skuadrës. Duam që futbollistët të ndjejnë përgjegjësinë që kanë dhe të jenë të motivuar deri në fund. Me Pejiçin u ndoq e njëjta procedurë si me futbollistët e tjerë. Nuk dua të hyj në detaje as për shifra ekonomike, as për klauzola të tjera. Di vetëm të them se bëmë gjithçka mundëm, por nuk mund të cenojmë disa parime bazë të klubit. Do të doja që bashkëpunimi të vazhdonte, por gjithsesi i uroj gjithë të mirat dhe shumë suksese Pejiçit!”, – ka thënë dje Gjika për “Panorama Sport”.
Skënderbeu, gati të përfitojë
Ju kujtohet Bledi Shkëmbi që pati deklaruar se do ta donte Pero Pejiçin në skuadër? Tani kjo gjë mund të realizohet. Drejtuesit e klubit korçar nuk e kanë fshehur asnjëherë simpatinë për bomberin kroat dhe janë gati të bëjnë një sakrificë për t’ia vënë Levit në dispozicion futbollistin. Me këtë lëvizje Skënderbeu do të garantonte një lojtar kalibri në repartin ofensiv. Një dyshe Xhafaj-Pejiç do të ishte një sulm i frikshëm për çdo mbrojtje të skuadrave të kampionatit shqiptar.
JETMIR HALILAJ
Lena, Pezo dhe Koliqi, të parët që firmosin për Flamurtarin
Nijaz Lena, Toni Pezo dhe Enea Koliqi do të vazhdojnë të jenë pjesë e Flamurtarit për sezonin e ardhshëm futbollistik. Ka qenë një takim që është zhvilluar “kokë më kokë” për disa orë mes klubit dhe futbollistëve, të cilët në përfundim kanë hedhur firmën mbi kontratë, duke qenë të parët që nënshkruajnë për vlonjatët. Nga sa mësohet, lojtarët kanë firmosur një kontratë 1-vjeçare, por me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër. Ndërkaq shqiptaro- maqedonasi, Nijaz Lena, në një bisedë për “Panorama Sport” është shprehur mjaft i kënaqur për arritjen e akordit. “Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Unë firmosa me Flamurtarin dhe jam i lumtur. Nuk e mohoj që kam pasur disa oferta edhe nga klube të tjerë, por ofertën e Flamurtarit e për më tepër edhe fanellën kuqezi e vlerësoj të veçantë. Në një intervistë që kam dhënë pak kohë më parë, iu kam thënë se jam i gatshëm të marr pasaportën shqiptare vetëm për të qëndruar te Flamurtari. Dhe ja kjo u realizua. Mirëpo, me nënshkrimin e sotëm (dje), mund të them se ka qenë një dëshirë e të dyja palëve. Unë do të jap kontributin tim, ashtu sikundër bëra edhe gjatë kësaj periudhe që Flamurtari të marrë vendin që meriton. Unë i kam në zemër kuqezinjtë, kam në zemër vlonjatët”. Në të njëjtën linjë me Lenën shprehet edhe portieri Koliqi. “Jam i gëzuar që firmosa për vlonjatët. Nëse nuk do të kisha nënshkruar me Flamurtarin, nuk do të nënshkruaja me asnjë ekip shqiptar të Superiores, do të shkoja jashtë vendit. Më vjen mirë që do të jem portieri titullar i vlonjatëve për gjithë kampionatin e ardhshëm dhe kjo më bën të ndihem mirë. Po ashtu, unë kam dëshirë që të firmos edhe një kontratë tjetër më vonë me Flamurtarin, pra një kontratë 2-vjeçare. Është koha e përshtatshme që Flamurtari të marrë edhe trofe. Unë do të vazhdoj të jap kontributin tim në këtë drejtim. Ndihem mirë edhe për një fakt tjetër, se po më pëlqen Vlora dhe qytetarët e saj dhe do të jetë vështirë të shkëputem prej këtej”, – ka përfunduar Koliqi.
Ermal Sika