Këshilla e Xhambazit: Skënderbeu të ketë kujdes “gropat” e largimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2024 | 23:30

Këshilla e Xhambazit: Skënderbeu të ketë kujdes “gropat” e largimeve

Futbolli po shijon magjinë e “Euro 2024”, por për asnjë moment nuk arrin të shkëpusë totalisht vëmendjen nga Skënderbeu. Dhe asaj që korçarët do të mund të bëjnë në sezonin e ri pas një aventure të suksesshme në edicionin që u mbyll.

XHAMBAZI

Në këtë linjë duket se është edhe ish-sulmuesi i bardhekuqve Dhimitraq Xhambazi, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” është ndalur të komentojë situatën e krijuar në radhët e Skënderbeut gjatë kësaj merkatoje, por edhe për ëndrrën kuq e zi të Kombëtares shqiptare në Europian. Për Xhambazin, Skënderbeu ka arritur të marrë më të mirën nga lojtarët e tij këtë sezon që kaloi dhe tani ka mundësinë që të shijojë frytet e prodhuara nga këto paraqitje duke i përkthyer në financa. Por ish-sulmuesi korçar thekson se pas largimeve duhet kujdes sa u përket afrimeve për të mos dhënë gjithçka dhe të mos lënë më tej gropa të pambushura në skuadër.

Gropa që mund të rëndojnë shumë punën e trajnerin Gvozdenoviç gjatë sezonit të ardhshëm. “Ne e kemi thënë gjatë gjithë vitit që Skënderbeu ka arritur të bëjë një kampionat shumë të mirë dhe mbi të gjitha të promovojë lojtarët më cilësorë, për të përfituar financiarisht nga ta. Rastet e para ishin ato të Frenklin dhe Xhantu, ndërsa tani duket se e kanë radhën të tjerë lojtarë që kanë shkëlqyer në sezonin e kaluar. Kjo tregon jo vetëm sezonin e mirë, por edhe menaxhimin e mirë që Skënderbeu ka bërë ndaj lojtarëve më të spikatur në sezonin e shkuar.

Është momenti që korçarët të marrin pas investimin e tyre dhe Takaj është një mjeshtër sa u takon situatave të tilla. Nga ana tjetër gjithë kjo zhurmë merkatoje tregon se edhe ajo e kaluara ka qenë e suksesshme prandaj lind për detyrë që të përsëritet sërish e njëjta gjë. Korçarët duhet të bëjnë kujdes në plotësimin e ekipit pas largimeve, pasi janë gropa të mëdha që do të hapen dhe duhet të mbyllen sërish me elementë cilësorë. Duke njohur Takajn dhe filozofinë e tij jam i bindur se do të bëjë zgjedhjet e duhura për t’i dhënë Gvozdenoviçit një ekip të denjë për sezonin e ri. Sezon që do të jetë shumë i fortë dhe i ngarkuar”, theksoi fillimisht Xhambazi.

KOMBËTARJA – Më pas ikona e futbollit korçar u ndal edhe tek Europiani dhe aventura e Shqipërisë. Për Xhambazin, duhet që të gjithë të shijojmë emocionet që fal Kombëtarja dhe të jemi krenarë për gjithë këtë arritje, pasi të luash i barabartë me nënkampionët e botës nuk është diçka e pakët. “Shqipëria po na fal një muaj të mbushur me emocione dhe krenari. Le ta shijojmë në maksimum këtë moment dhe të jemi krenarë për këtë skuadër. U përballëm si të barabartë me Kroacinë, që është nënkampione bote dhe ka elementë shumë cilësorë në ekip.

Treguam që mund të bënim më shumë dhe kishim mundësi të merrnim edhe pikët e plota me pak më shumë fat e nëse do të administronim më mirë ato minuta që na sollën përmbysjen. Megjithatë, reagimi tregoi se nuk jemi rastësisht këtu, por kemi mundësi që të tentojmë të bëjmë gjëra të mëdha. Nuk mund të vendos të kryqëzojë njërin apo tjetrin, pasi kemi një grup ‘ferri’ dhe këtë e dinim që në fillim. Po tregojmë vlera dhe kjo s’ka asnjë diskutim. Kualifikimi? Asgjë nuk na kushton, që të shpresojmë deri në fund. Luajmë me ekipin më të fortë të grupit por mund të tentojmë. Në futboll ka çudira dhe prandaj është i bukur dhe i paparashikueshëm, pasi gjithçka mund të ndodhë”, përfundoi Dhimitraq Xhambazi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"