Këshilltari bashkiak, Ervin Sina tregon të ardhmen e klubit: Lushnja ka nevojë për të gjithë, nuk ka nxitim për privatizimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2024 | 10:28

Këshilltari bashkiak, Ervin Sina tregon të ardhmen e klubit: Lushnja ka nevojë për të gjithë, nuk ka nxitim për privatizimin

Lushnja është një ndër klubet e Kategorisë së Parë, që funksionin nën juridiksionin e plotë të bashkisë së qytetit. Financat varen nga Këshilli Bashkiak, që është njëherësh edhe Asambleja e Përgjithshme e Aksionarëve të klubit të futbollit. Në mbledhjen e fundit, këshilli dha pëlqimin për fillimin e procedurave për shitjen dhe privatizimin e klubit të futbollit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, anëtari Ervin Sina tha se ishte gjëja e duhur për një proces që do të marrë kohën e vet duke respektuar procedurat ligjore.

KESHILLI-LUSHNJE

DEKLARATA – Në fakt, ishte një hap i paralajmëruar nga kryebashkiakja Eriselda Sefa, e cila është edhe presidentja e klubit. Besoj se Sefa s’ka bërë gjë tjetër, veçse ka dëgjuar zërin e shumicës së tifozëve. Ata kanë kohë që e kërkojnë nisjen e një procesi të tillë. U bë vite që ekipi lëngon nga rezultatet. Mendoj se kemi të bëjmë me një proces normal, i detyruar edhe nga konteksti ligjor. Madje, jemi të vonuar. Këshilli Bashkiak ka disa zëra të fortë dhe konstruktiv në lidhje me aspiratat që kanë tifozët, që janë edhe taksapaguesit lushnjarë, mbi ecurinë e futbollit të Lushnjës. Ishte gjëja e duhur, që unanimisht u dha pëlqimi për vlerësimin e aksioneve.

Megjithatë, është një proces që do të marrë kohën e vet, sepse ka procedura ligjore që duhen respektuar. E rëndësishme është që ky proces është futur në linjën e duhur. Ndërkohë, do të pritet vlerësimi financiar i aksioneve, besoj se është krejt normale, të vlerësohen në parim të interesuarit. Deri tani, të paktën referuar kryebashkiakes, s’ka pasur oferta konkrete serioze. Duke qenë se jemi te kjo pikë, dua të shtoj se ky nuk duhet kurrsesi të jetë një proces i nxituar. Ky duhet të jetë një proces, që duhet të marrë gjithë kohën e nevojshme, për t’i shërbyer një rezultati sa më ideal. Ne nuk mund të shkojmë nga “shiu në breshër”. Ne duhet të vlerësojmë me imtësi çdo ofertues, çdo biznes apo sipërmarrje, që ka interes të drejtojë klubin e futbollit. Do të preferoja më shumë kohë deri në finalizim se sa një produkt jo të besueshëm. Lushnja është një terren fantastik.

Për ata që duan ta shohin futbollin si mjet, jo vetëm për rezultate sportive, por edhe për ta shëndoshur produktin që do të kenë në duar. Ka infrastrukturë moderne tashmë, një tifozëri fantastike dhe ambient shumë dashamirës, ndaj besoj se do të ketë interes konkret. Mirëpo, projektet sportive do të shihen me kujdes, ndoshta edhe duke u konsultuar me publikun, sikurse i takon dhe më pas të arrihet një përfundim. Ndërkohë, jam i bindur që Këshilli Bashkiak do të luajë një rol të rëndësishëm, si vendimmarrës dhe monitorues i procesit. Lushnja ka nevojë për të gjithë, për ta kthyer atje ku e meriton të jetë ky ekip. Askush nuk mund të përjashtohet, ish-lojtarë, specialistë, biznese, që e kanë mbështetur ndër vite dhe çdo aktor tjetër. Por ndërkohë që punohet në këtë drejtim, duhet të mendojmë që tani për sezonin e ri.

Gjithçka duhet të nisë me analizën e thellë të sezonit, që lamë pas. Ishte mjaft zhgënjyes. Duhet t ë mbahet përgjegjësi, për këto rezultate. Pastaj, pas reflektimit, të nis puna për kampionatin tjetër”, deklaroi anëtari i Këshillit Bashkiak Lushnjë, Ervin Sina.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"