“Klubi të promovojë lojtarë dhe trajnerë nga Lushnja”, Baballeku tregon shkaqet e dështimeve të fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2024 | 16:18

“Klubi të promovojë lojtarë dhe trajnerë nga Lushnja”, Baballeku tregon shkaqet e dështimeve të fundit

“Që personaliteti i skuadrës verdhejeshile të shkojë në vend, detyra është e drejtuesve. Kjo, duke parë si problem kryesor privatizimin e klubit”. Kështu thotë ish-trajneri i Lushnjës, Ramadan Baballëku, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”.

ramadan baballeku majtas

Sipas tij, ekipi asnjëherë nuk ka qenë në këtë gjendje, ndaj shpreson që me nismën e re që ka ndërmarrë bashkia, për privatizimin e klubit, të hapet drita jeshile e mëkëmbjes së futbollit lushnjar. Verdhejeshilët hyjnë në sezonin e shtatë radhazi larg elitës së futbollit shqiptar. “Asnjëherë nuk ka qenë Lushnja në këtë gjendje. Ekipi duhet të luftojë, pavarësisht se ngjitet apo jo në Superiore, e jo të përfundojë në ndeshje shtesë për të siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë. Kjo është përsëritur dy herë radhazi. Është pozitive që klubi po shkon drejt privatizimit. Është detyrë e drejtuesve të lartë, që personaliteti i klubit të shkojë në vend. Ky është problemi kryesor, privatizimi i klubit. Merkato ka dështuar tre vite rresht, sepse mungon kërkesa e llogarisë.

Mungesa e privatizimit ka sjellë destabilitetin e skuadrës. Pasojat e kësaj vijnë shkallë-shkallë deri sa vjen fundi, sepse nuk ka kërkesë llogarie. Shumë rezultate negative, humbje njëra pas tjetrës, si dhe skuadra ndryshon shumë nga viti në vit e nuk ka efikasitet. Akademia nuk po jep rezultate, kështu që merkato bëhet edhe nga nevoja sepse mungon elementi vendas. Duhet të promovojmë djemtë lushnjarë, jo vetëm futbollistë për ekipin e parë, por edhe në fushën e trajningut. Shkojnë plot djem lushnjarë nëpër kurse. Për çfarë? Le t’i promovojmë, le të gabojnë edhe ata. Gabimi është pjesë e punës. Lushnja ka një infrastrukturë shumë të mirë dhe trajtohet mirë financiarisht. Nuk ka pse të jetë në këto nivele. Privatizimi do t’i rikthente personalitetin skuadrës”, deklaroi ish-trajneri Ramadan Baballëku.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"