Klubi vihet në lëvizje, Elbasani është në kërkim të “sallaksave” për sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2024 | 14:52

Klubi vihet në lëvizje, Elbasani është në kërkim të “sallaksave” për sezonin e ri

Elbasani po piketon lojtarët, të cilët mund t’i afrojë në merkaton e verës dhe pritet që ndërhyrjet të jenë “kapilare” nga klubi.

elbasani

Thuhet kështu, pasi edhe objektivat do të jenë madhorë për këtë skuadër në elitën e futbollit shqiptar. Vetëm mbijetesa në Superiore duket se u rri “ngushtë” verdhebluve, të cilët do të pretendojnë më shumë, edhe pse rikthehen në elitë pas shumë vitesh. Me kontingjentin aktual në kampin elbasanas e kanë të qartë se nuk mund të pretendojnë shumë dhe për këtë arsye shpresa e vetme për të krijuar një ekip konkurrues është merkatoja e verës. Për hir të së vërtetës, elbasanasit kanë nevojë në të gjitha repartet për përforcime, por sidomos te lojtarët që luajnë në të majtë.

PROBLEM “SALLAKS” – Elbasani ka një problem të madh me “sallaksit”. Në ekipin e sezonit të kaluar, me të cilin verdheblutë siguruan ngjitjen në Superiore edhe si kampionë, ishin vetëm tre lojtarë që përdornin këmbën e majtë. Dhe të tre mbrojtës: Rei Zaimi, Klevis Kasa dhe Salomao. E gjithë pjesa tjetër e lojtarëve luajnë me këmbën e djathtë. Në klub e kanë evidentuar menjëherë këtë problem, që në Superiore ndoshta mund të dalë më shumë në pah, prandaj dhe kanë nisur kërkimet për lojtarë që këmbën e tyre të preferuar kanë të majtën.

Më saktësisht, Elbasani nuk ka asnjë sulmues të krahut të majtë, gjatë vitit që lamë pas këtë pozicion e mbuluan herë Greca dhe herë Hoxhaj. Fakti që në Kategorinë e Parë verdheblutë ishin një skuadër me diferenca ndaj kundërshtarëve e la pak mënjanë këtë fakt, por nuk pritet të ndodhë më kështu në elitë. Trajneri Nevil Dede ka aktivizuar në këtë krah edhe Lilën, duke e përshtatur disi, ndërsa tani i duhen lojtarë për çdo rol dhe që të jenë për pozicionin e tyre natyral.

TRASHI – I vetmi mëngjarash që ka dalë në skenë këto ditë për t’u afruar tek Elbasani është Lorenc Trashi, por mbetet për t’u parë, nëse do të arrihet një marrëveshje me të, apo jo. Trashi sapo ka mbyllur sezonin si kampion i Kosovës me Ballkanin dhe, edhe pse nuk ka kontratë, nuk do të jetë e lehtë për ta marrë. Emrat e tjerë të kandidatëve për linjën e majtë do të mësohen gjatë ditëve në vazhdim, pasi merkato sapo ka nisur.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"