Koci rinovon kontratën, edhe një sezon me Kukësin
Portieri Ervis Koci ka rinovuar edhe një sezon futbollistik me Kukësin. Kapiteni i sezonit të kaluar i shtohet listës së lojtarëve që kanë nënshkruar deri më tani. “Për mua primare është të luaj fort dhe të mbroj ngjyrat e Kukësit, dhe jo paratë. Për këtë dhe qytetin tim unë kam lënë Kategorinë Superioren dy vite më parë, për të realizuar pikërisht ëndrrën Superligë, dhe ia arritëm qëllimit. Unë mirëpres çdo portier që mund të vijë, sepse gara në këtë kategori është shumë më e fortë dhe kërkon me patjetër edhe gardian rezervë me cilësi të larta. Portën e fiton ai që di ta mbrojë, dhe unë besoj se këtë di ta bëj më së miri”, – ka thënë Koci pas nënshkrimit për të tretin sezon radhazi me Kukësin. Ndërkohë shpresat për të sjellë në ekip Alban Hoxhën janë të pakta dhe si portierë të dytë e të tretë lakohen Halilaj i Flamurtarit dhe Selaci nga Iliria e Fushë- Krujës. Megjithatë deri në fund mund të ketë shumë të papritura të tjera për rrjetën. Sa i përket qendërmbrojtësit Elvis Prençi, me shumë gjasa mund ta vijojë aventurën e tij jashtë kampionatit shqiptar, duke qenë se i ka ardhur ftesë nga ekipi francez Nantë.
Jonuz Hallaçi