Kohë testimesh te Burreli, Jurgen Dushkaj përforcon mbrojtjen matjane

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2024 | 16:00

Kohë testimesh te Burreli, Jurgen Dushkaj përforcon mbrojtjen matjane

Burreli, në drejtimin e trajnerit të ri Ditmar Bicaj, nga pasditja e së hënën ka nisur punën për sezonin e ri. Seancat e para kanë nisur me mungesat e tre titullarëve, të cilët mbyllën sezonin e kaluar, pikërisht Koleci, Stana dhe Dedgjonaj.

burreli stervitje

Sipas sekretarit të klubit, Marjan Lleshaj, me këta lojtarë drejtuesit e klubit do të ulen së shpejti në bisedime për të vendosur për të ardhmen e tyre. “Një pjesë e futbollistëve që mbyllen sezonin e kaluar do të jenë pjesë e  skuadrës dhe në edicionin e ri futbollistik. Ndërsa pjesa e tjetër do të largohen, proces i cili ka nisur prej kohësh”, u shpreh shkurtimisht për “Panorama Sport”, sekretari i klubit, Marjan Lleshaj, i cili është dhe në cilësinë e administratorit të klubit. Në seancat e para të skuadrës matjane po përgatiten edhe disa futbollistë të rinj. Përveç disa futbollistëve amerikano-latin që janë në provë, grupit i janë shtuar dhe dy lojtarë të tjerë. Bëhet fjalë për Jurgen Dushkajn dhe Fisnik Salihi.

Sipas numrit një të pankinës së Burrelit, Ditmar Bicaj, lezhjani Dushkaj konsiderohet afrim dhe mund të cilësohet goditje në merkato. Ndërsa lojtarët e tjerë të pakonfirmuar do t’i nënshtrohen testimit. Mbrojtësi i majtë Jurgen Dushkaj ka një CV relativisht të pasur. Përveç aktivizimit me Kukësin në Superiore, 29-vjeçari ka provuar dhe eksperienca në kampionatin kosovar dhe atë rumun. Sezonin e kaluar, Dushkaj ka qenë pjesë e skuadrës së Vushtrisë, pjesëmarrëse në ligën e parë të Kosovës. Ndryshimet që po ndodhin në kampin matjan japin përshtypje se përfaqësimi i skuadrës në edicionin e ri do të jetë ndryshe nga ai i vitit të kaluar.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"