KOKSH mban sot asamblenë, Bezhani: Shteti të ndërhyjë, po shkelet mbi KAS-in e Lozanës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2024 | 11:12

KOKSH mban sot asamblenë, Bezhani: Shteti të ndërhyjë, po shkelet mbi KAS-in e Lozanës

Ndonëse më pak sesa dy javë më parë Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (KAS) në Lozanë rrëzoi vendimet e marra në asamblenë e KOKSH të 10 janarit 2021, ku u shkarkua presidenti i asokohshëm Viron Bezhani, si dhe bëri nul të gjitha vendimet e mëpasshme, duke përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të ri, Fidel Ylli, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar vijon normalisht punën, duke injoruar gjithçka. KOKSH ka njoftuar asamblenë e 30-të të përgjithshme, e cila është planifikuar të mbahet sot në orën 10:00 në Hotel Maritim Plaza në Tiranë.

unnamed

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-presidenti Viron Bezhani e konsideron si shkelje të rëndë të ligjit: “Është një vendim i datës 17 qershor 2024 ku shpall të pavlefshme asamblenë statutore dhe zgjedhore të fundit në Komitetin Olimpik. Ajo që më habit më tepër dhe që më të vërtetë më skandalizon është mënyra arrogante dhe mospërfillja që ish-presidenti i KOKSH, sepse tashmë duhet konsideruar ish, pasi është i shkarkuar”, shprehet fillimisht Bezhani, i cili më pas thotë se vendimi i KAS tashmë e ka lënë pas një trupë drejtuese Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, pasi ata janë shpallur të paligjshëm nga shkalla më e lartë e drejtësisë sportive, e cila është e paapelueshme:

“Çdo vendim që është marrë nga data 10 janar 2021 dhe në vazhdim është i paligjshëm dhe do të çregjistrohet. Të gjitha vendimet që kanë marrë, si për regjistrimin e presidentit, po ashtu edhe çdo vendim tjetër do të çregjistrohet, mos të themi edhe vendimet financiare, pasi gjithçka është e jashtëligjshme”, deklaron Bezhani, teksa shpjegon sesi është shkelur ligji për mbajtjen e kësaj asambleje: “E para e punës nuk kanë të drejtë të thërrasin asnjë asamble, pasi KAS-i ua ka hequr vulën.

Është një gjykatë më e lartë se kushdo që i ka bërë nul. E vetmja gjë që duhet të bëjnë është që të ulin kokën dhe të ikin me turp”. HAPAT – Më tej ish-presidenti tregon hapat që duheshin ndjekur nga KOKSH pas vendimit të KAS-it: “Normalisht që duhet të thirret nga unë si ish-president dhe do të bëhen të gjitha procedurat e duhura ligjore, pasi të gjitha vendimet e marra pas 10 janarit 2021 do të çregjistrohen. Pas këtij çregjistrimi duhen bërë të gjitha hapat për të shkuar në zgjedhjet e reja. Këtu nuk bëhet fjalë nëse zgjidhet Vironi apo dikush tjetër, këtu bëhet fjalë që KOKSH-i të jetë me bazë ligjore”, shpjegon Bezhani, i cili ka edhe një apel për ministrinë, duke i kërkuar të ndërhyjë për respektimin e vendimit të marrë nga shkalla më e lartë e drejtësisë sportive në rang ndërkombëtar:

“Nëse ka një ministri që kërkon ta ruajë faqen e saj, pasi nëse KOKSH-i nuk ka fytyrë dhe ai president do me çdo kusht t’i mbrojë abuzimet e tij, duhet të ketë një ministri që të mbrojë shtetin shqiptar. Tashmë nuk bëhet më fjalë për të mbrojtur as Vironin, as Fidelin dhe askënd, por tani bëhet fjalë për të mbrojtur shtetin shqiptar, sepse nëse do të dërgojmë në Lozanë veprimet e bëra nga KOKSH-i, edhe pas vendimit nga KAS, do të jetë diçka e turpshme për shtetin dhe jo më vetëm për Komitetin Olimpik”. Në fund ish-presidenti i Komitetit Olimpik ka një thirrje edhe për Prokurorinë së Posaçme, që të hetojë sipas tij abuzimet marramendëse financiare të bëra vitet e fundit në KOKSH: “Janë dhënë shumë lekë. Unë merrja zero lekë nga shteti shqiptar, ndërsa këtu janë dhënë miliarda. SPAK duhet të hetojë sesi janë shpenzuar këto miliarda që shteti i ka dhënë për sportin”, përfundon Bezhani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"