Koleci ndahet me Burrelin pas 3 viteve, i bashkohet Ilirisë. Matjanët humbasin edhe kapitenin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2024 | 16:00

Koleci ndahet me Burrelin pas 3 viteve, i bashkohet Ilirisë. Matjanët humbasin edhe kapitenin

Pas tre vjetëve me skuadrën e vendlindjes, Eristotel Koleci i ka dhënë lamtumirën Burrelit. Palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët, ndaj mesfushori ka ndërprerë këtu rrugëtimin me matjanët. Lajmi është konfirmuar nga të dyja palët.

koleci te iliria

Klubi përmes një postimi në rrjetet sociale informonte: “Burreli njofton se largimi i radhës për ekipin tonë është mesfushori Erisotel Koleci. Ai ishte pjesë e ekipit në sezonet 2020-2024, ku ka qenë “çelës kyç” i realizimit të objektivave në sezonin kaluar. E falënderojmë për kontributin e dhënë për ekipin dhe i urojmë suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tij”. Ndërsa vetë mesfushori, për “Panorama Sport” u shpreh: “Nga sot (dje) nuk do të jem më pjesë e skuadrës së Burrelit. Nuk ramë dakord në disa pika të kontratës dhe tashmë jam lojtar i lirë.

Prej ditësh më kanë ardhur dy oferta nga skuadra të Kategorisë së Parë. Në respekt të skuadrës së vendlindjes, prisja që të mbyllja çështjen me ta. Tashmë që jam i lirë do të shqyrtoj ofertat që më kanë ardhur dhe më pas do të vendos se në cilën skuadër do të bëj pjesë”. Por duket se nuk ka vonuar shumë, pasi 31-vjeçari e ka gjetur destinacionin e ri duke iu bashkuar ish-trajnerit Bledar Devolli te Iliria e Fushë- Krujës që këtë edicion kërkon me çdo kusht ngjitjen nga e Dyta në Kategorinë e Parë. Në sezonin që lamë pas, Koleci është aktivizuar në 29 ndeshje me Burrelin.

Pavarësisht se nuk e ka provuar rrugën e rrjetës, kontributi i tij në radhët e matjanëve ka qenë i vlerësueshëm. Gjatë qëndrimit të tij trevjeçar, mesfushori ka zhvilluar 85 ndeshje me Burrelin. Më parë, mesfushori ka provuar të veshë fanellat e disa skuadrave, ku më të spikaturat janë ato të Besës dhe Tomorit. Prej së hënës, skuadra matjane ka hyrë në javën e dytë të përgatitjeve. Ndryshe nga seancat e para, këtë javë ekipi do t’i nënshtrohet dy seancave përgatitore në ditë. Përveç Kolecit nga Burreli është larguar edhe kapiteni Mariglen Stana, i cili nuk gjeti akordin me drejtueist e klubit matjan për rinovimin.

NDERIM GOCI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"