Komenti i “Eurosport” për firmën e Di Biaxhos te Dinamo: Nuk ka bërë karrierë në pankinë, ndoshta i bën mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2023 | 0:15

Komenti i “Eurosport” për firmën e Di Biaxhos te Dinamo: Nuk ka bërë karrierë në pankinë, ndoshta i bën mirë

Emërimi i Luixhi Di Biaxhos si trajneri i ri i Dinamos, ka lënë të çuditur shumëkënd në Itali, teksa pritej që ish-trajneri i kombëtares italiane U21, të niste në aventurë të re në Serinë A apo B për të treguar vlerat e tij. I shfaqur kohët e fundit më shumë si një opinionist në TV italiane, firma e tij me klubin shqiptar ka sjellë komente nga më të ndryshmet nga mediat përtej Adriatikut.

dinamo di biaxho

Portali i rrjetit të njohur “Eurosport” në versionin italian, ka komentuar këtë lëvizje dhe vlerësimi për Di Biaxhon nuk ka qenë edhe aq pozitiv.

“Nga kombëtarja e kaltër te Shqipëria. Xhixhi Di Biaxho, ish-trajneri i kombëtares U21 dhe trajner i përkohshëm i kombëtares së madhe para emërimit të Roberto Mançinit, do të vazhdojë karrierën e tij në Shqipëri. Ai do të drejtojë Dinamo Tiranën, ekip i kampionatit të elitës atje.

Opinioni ynë: Mesfushor i madh kur luante, Di Biaxho nuk ia doli të ndërtonte një karrierë të mirë në pankinë. As me U21, me të cilën nuk ia doli të merrte një trofe europian që ishte mëse i arritshëm. As në vazhdim me SPAL. Të largohet nga Italia për një destinacion të pazakontë, siç bënte pak kohë më parë Marko Rosi, mund t’i bëjë mirë”, shkruhet në komentin e “Eurosport” për trajnerin italian dhe aventurën e re.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"