Komiteti Ekzekutiv, ja anëtarët
Nuk ka shkuar pa supriza votimi për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. E tillë është mbetja jashtë këtij organi e zv.presidentit të deridjeshëm Bujar Kasmi, apo e Skënder Hykës, prej vitesh pjesë e organit vendimmarrës në futbollin shqiptar. Emrat e rinj që hyjnë në KE janë ato të Vasil Bicit, ish-drejtor i sporteve në MTKRS, Fatbardh Jera, ish-futbollist i Vllaznisë dhe kombëtares, Edvin Libohova dhe Bardhyl Minxhozi, të dy biznesmenë. 9 fituesit e votimit të së premtes janë: Lutfi Nuri, Bardhyl Minxhozi, Arben Dervishi, Artan Hajdari, Muhedin Targaj, Edvin Libohova, Vasil Bici, Fatbardh Jera, Abdyl Kuriu. Kujtojmë se hyn direkt në ekzekutivin e FSHF-së kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve, që është Tahir Kastrati dhe bashkë me presidentin Duka kompletohet numri 11 i këtij organi, që do të marrë vendimet e futbollit në vijimësi, për katër vitet e ardshme.
Kujtojmë se nga anëtarët aktualë të komitetit nuk kandidoi për një mandat 4- vjeçar Pjerin Fushaj, ndërsa ishin në garë: Lutfi Nuri, Artan Hajdari, Bujar Kasmi, Arben Dervishi, Abdyl Kuriu, Skënder Hyka, Muhedin Targaj, Bardhyl Minxhozi dhe Tahir Kastrati, por ky i fundit hynte direkt duke qenë president i Shoqatës së Arbitrave. Nuk mungonin edhe emrat e rinj, të cilët priteshin të ishin aktivë në garë për një mandat në qeverinë e futbollit. Kështu bienin në sy emrat e Vasil Bicit dhe Artan Shytit, por edhe të figurave të tjera që vijnë nga bota e sportit, nga politika dhe jurisprudenca. Sulejman Mema, Ramadan Shehu, Fatbardh Jera e deri tek Enkeled Alibeaj, Edvin Libohova dhe Artan Sallaku kërkuan të ishin në KE. Në fund vetëm pak prej tyre arritën të fitojnë.