Kompleksi i Partizanit, “telenovelës” me 8 sezone nuk i shihet fundi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2024 | 22:22

Kompleksi i Partizanit, “telenovelës” me 8 sezone nuk i shihet fundi

Kompleksi i ri i Partizanit, ku aktualisht skuadra e parë bashkë me moshat po stërviten, ka nisur punën që në vitin 2016. E gjitha nisi si një ndërmarrje personale e presidentit Demi, pas shkatërrimit të impiantit të mëparshëm stërvitor, një çështje që tashmë është në SPAK. Aktualisht, kur jetojmë vitin 2024, tetë vite nga nisja e punimeve, Partizani po gëzon vetëm një pjesë të vogël të asaj që është projektuar.

STADIUMI PARTIZANI 4

STADIUMI – Deri më tani në kompleks është mbyllur stadiumi, ku skuadra mund të luajë ndeshjet e kompeticioneve vendëse, por jo ato europiane. Stadiumi i kuq nuk ka një fushë të përshtatshme për të luajtur ndeshje të niveleve ndërkombëtare. Në klubin e kuq, para mbylljes së sezonit thanë se në verë do të ndërrohet tapeti sintetik me një tjetër hibrid, por asnjë shenjë deri më tani. Arsyeja e dytë e moscertifikimit nga UEFA është rruga plot gropa. Kjo pjesë e infrastrukturës vë përgjegjëse institucionet përkatëse, që ende nuk kanë miratuar një projekt mbi rehabilitimin e segmenteve të dy hyrjeve të stadiumit “Arena e Demave”. Së pari mungesa e infrastrukturës në stadiumin e vet e më pas menaxhimi pa seriozitet i “Air Albania”-s, e dërguan Partizanin të luajë Europën në Elbasan.

PJESA TJETËR – Në projektin e kompleksit janë parashikuar të ndërtohen edhe dy fusha stërvitore, si dhe disa minifusha kalçetoje dhe tenisi. Nuk dimë sesa klubi është i gatshëm financiarisht për t’i mbuluar këto shpenzime, por dy godina të ish-hartografisë që kundërmojnë aromë jashtëqitjeje janë pengesa e bërë me dije nga ana e drejtuesve të Partizanit. Plotësimi i dokumentacionit nga ana e institucioneve përgjegjëse qeveritare për shembjen e këtyre godinave, do ta kalonte “topin” te Partizani për mbylljen e projektit.

Përveç stadiumit, në kompleks është ndërtuar edhe hoteli, që supozohet se do t’i shërbejë ekipit të parë dhe akademisë për funksionimin si klubet e mëdha europiane. Kemi parë që brenda pak vitesh të ngrihen kulla qiellgërvishtëse, por hoteli 5-6 katësh i të kuqve ende nuk është gati për t’u vënë në përdorim. Lajmi i mirë është se punimet në të janë drejt fundit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"