Kontrata i mbaron në fund të majit, trajneri Mërgjyshi s’është konfirmuar tek Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 17, 2024 | 11:37

Kontrata i mbaron në fund të majit, trajneri Mërgjyshi s’është konfirmuar tek Apolonia

Paraqitja pozitive në “play off” mund të shihet si një ngushëllim për Apoloninë, që nga vendi i 5-të rezultoi pretendente e denjë për Superioren. S’është aspak ironi, sepse me ritmin që pati skuadra fierake në 5 javët e fundit, nëse kampionati do të ishte pak më i gjatë, s’do të ishte çudi që të ndërronte vendin me Besën ose Lushnjën dhe të shkonte në “play out”.

Mergjyshi

Ecuria e Apolonisë në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit të rregullt ishte më e dobët nga ajo e Besës dhe Lushnjës, dy skuadrave që shkuan në “play out”. Këto dy skuadra morën 10 dhe 7 pikë nga 15 të mundshme, respektivisht Besa dhe Lushnja. Katër humbje dhe vetëm një fitore s’kanë nevojë për shumë koment, sa i takon rendimentit në fushë. Fakt është që në të gjitha ndeshjet fierakët kanë pasur mundësitë e tyre në zonën kundërshtare për t’i dhënë tjetër rrjedhë lojës, por në asnjë rast s’ia kanë arritur qëllimit. Shumë gabime në sulm dhe mbrojtje, në ndonjë rast edhe mungesë fati, por asgjë nuk e justifikon faktin që një skuadër pretendente për t’u ngjitur në elitë të marrë vetëm 3 pikë nga 15 të mundshme.

Mërgjyshi– Pas dështimit për të tretin vit radhazi, pritet që skuadra të pësojë ndoshta më shumë ndryshime nga sa ishte menduar deri 5 javë më parë. Presidenti Koço Kokëdhima dhe drejtuesit e tjerë të klubit fierak kanë gjithë kohën e nevojshme për të marrë vendimet e duhura. Nga ana tjetër, skuadra do të vazhdojë stërvitjen deri në fund të muajit dhe deri atëherë do të jenë qartësuar shumë çështje. E para që do të zgjidhet është ajo e kryetrajnerit.

Burime të sigurta pranë klubit fierak konfirmojnë për “Panorama Sport” që kontrata e trajnerit Mërgjyshi përfundon në fund të majit. Deri tani nuk ka një rikonfirmim të teknikut aktual, prandaj dhe gjithçka mbetet për t’u parë në vazhdim. Pritet një takim kokë më kokë mes presidentit Kokëdhima dhe trajnerit Mërgjyshi. Këtë herë pozitiv është fakti që fierakët kanë një bazë lojtarësh, vendës dhe të huaj, nga e cila mund të nisen për sezonin e ri. Të hënën është programuar që Apolonia t’i rikthehet fushës së blertë për të vazhduar stërvitjen, pas ndeshjes së humbur me Flamurtarin.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"