Kontrata, Morina përfundon në FSHF. Tirana nuk e la të lirë, futbollisti ka hapur “gjyqin”
Mario Morina dërgon Tiranën në DHZK (Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve) për të prishur kontratën me klubin. Sulmuesi, meqenëse nuk e gjeti gjuhën e përbashkët me drejtuesit bardheblu, vendosi që të hapë një proces “gjyqësor” në Federatën Shqiptare të Futbollit, duke u ankimuar. Burime të sigurta pranë lojtarit zbulojnë se ai e ka hedhur këtë hap për të zgjidhur kontratën me kryeqytetasit. Katër rroga të prapambetura i japin të drejtën që të marrë një iniciativë të tillë. Ofertat e shumta të ardhura në drejtim të tij, sidomos prej Skënderbeut, e kanë detyruar që të gjejë një rrugë alternative për të shpallur divorcin me skuadrën. Kujtojmë që 21-vjeçari është në kontratë me Tiranën edhe për sezonin tjetër, pasi marrëveshja i skadon në verën e vitit 2014. Mirëpo nëse ai fiton procesin në DHZK, do të ketë të drejtën që të largohet pa problem, në të kundërt do qëndrojë po te bardheblutë. Kujtojmë që Tirana synoi bllokimin e tij. Jo vetëm trajneri Nevil Dede, por edhe administratori Krenar Alimehmeti e pranoi publikisht se e donin sërish bardheblu Morinën. Për ta bindur, në fund të muajit maj i ofruan dhe rinovimin e kontratës me dy vjet, gjë që lojtari e refuzoi. Madje i thanë se mund të kërkonte sa të donte sa i përket financave, vetëm që të arrihej akordi. Por lojtari nuk u tundua. Ai u përgjigj duke kërkuar fillimisht pagat e pashlyera dhe më pas mund të uleshin për të biseduar për rinovimin. Megjithatë, nga e gjithë kjo situatë e krijuar, duket se largimi i tij është i pashmangshëm. Nga sa thuhet, është vetë presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ai që po merret me transferimin e sulmuesit drejt Korçës. Edhe pse bardhekuqtë e bëjnë fakt të kryer arritjen e një marrëveshjeje të parakohshme me lojtarin në fjalë, gjithçka mbetet për t’u parë se si do të shkojë procesi në DHZK.
Muçollari shumë pranë transferimit në Krujë
Tirana është kthyer në një “supermarket”. Fakti që pjesa dërmuese e “senatorëve” nuk janë më në planet e drejtuesve, ka bërë që shumë skuadra të tjera t’i hedhin sytë nga bardheblutë. Një ndër emrat për të cilin interesohen disa klube është edhe Elton Muçollari. Ai është shumë pranë akordit me krutanët. Mesfushori i Tiranës ka vijuar bisedimet me drejtuesit e këtij klubi dhe një marrëveshje e mundshme duket mjaft e afërt. Muçollari nuk është në preferencat e stafit teknik dhe largimi është thuajse i sigurt, ndonëse ka disa llogari ende të hapura edhe sa i përket financave. Veç Kastriotit, që ka shprehur dëshirën për ta afruar, Muçollarin e do edhe Kukësi.
Ja lojtarët e larguar
Te Tirana deri më tani janë larguar 6 lojtarë zyrtarisht. Ka nga ata që e kanë prishur kontratën me konsensus, por edhe të tjerë që i janë drejtuar DHZK-së për të zgjidhur marrëveshjen me klubin. Klodian Duro, Erjon Dushku, Arjan Pisha, Françesko Pigoni, Herbi Fortunat, Arbër Abilaliaj, Elvis Sina, Julian Ahmataj, Elton Muçollari, Eleandro Pema, Dario Xhuti janë shkëputur përfundimisht nga bardheblutë. Ndërsa emra si apo Gilman Lika apo Mario Morina janë akoma pezull për të ardhmen.
Kur shefi i zyrës juridike bën harbutin…
Nuk është hera e parë (paçka se kemi shpresuar gjithnjë sikur të ishte e fundit) që ndodh, kur një nëpunës i FSHF-së tregon gjithë harbutërinë e tij në raport me mediat. Bëhet fjalë për përgjegjësin e zyrës juridike, i cili gjithnjë e më shumë të shton bindjen se as nuk e di fare se çfarë duhet të bëjë në pozicionin që ka, ndaj ndihet i shqetësuar kur pyetet nga gazetarët se: cili prej lojtarëve ka kërkuar zgjidhje kontrate? Duke përfituar nga fakti që presidenti i FSHF-së, Armand Duka, e frekuenton gjithnjë e më rrallë institucionin e futbollit në vend, këtë njeri (fatkeqësisht nuk është i vetmi), e sheh gjithnjë e më shpesh në kafenetë rrotull dhe me një papërgjegjshmëri tipike bën edhe “interesantin”. Gazeta i kërkoi dje (në mungesë të drejtorit të zyrës së shtypit) një informacion krejt rutinë dhe normal, por si duket, shefi i zyrës juridike (vetëm i tillë nuk është), u ndje i shqetësuar, duke treguar edhe njëherë se çfarë personash punojnë në qeverinë e futbollit shqiptar.
ADELA MERKO