Pagesat te Tirana sipas minutazhit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2013 | 13:04

Pagesat te Tirana sipas minutazhit

Dede NevilNë fillim të muajit korrik do të marrë zyrtarisht jetë Tirana e re. Në fillim të javës është përcaktuar nisja e përgatitores, teksa pritet që të mësohen planet konkrete të bardhebluve për edicionin e ri. Megjithatë, nga sa thuhet, deri më 1 korrik nuk do të ketë ndonjë blerje të bujshme, por prezentë në seancën e parë do të jenë disa nga lojtarët që mbyllën sezonin dhe disa elementë të ardhur nga Shkëndija U-19. Me kalimin e ditëve të para të korrikut, do të konkretizohen ndonjë afrim. Plani i klubi është tepër i qartë, duke filluar nga përforcimet dhe nënshkrimi i kontratave, i cili do të jetë i përpiluar mirë.
Projekti Burime pranë drejtuesve të lartë të klubit zbulojnë për gazetën disa nga pikat që ata kanë në plan të vënë në zbatim për sezonin e ri. Në fakt, disa prej tyre, ndonëse përciptazi, janë përmendur vazhdimisht si nga trajneri Nevil Dede, ashtu edhe administratori gjatë deklaratave të dhëna. Prioritet gjatë këtyre ditëve janë vizitat mjekësore për çdo lojtar, të cilat kanë nisur, dhe me grumbullimin e të gjithë lojtarëve do të nisë edhe puna. Me nisjen e fazës përgatitore, synohet që të shihen nga afër edhe disa elementë që do të vijnë nga ekipe të tjera dhe më pas të përcaktohet destinacioni i radhës për fazën përgatitore. Mirëpo, kjo varet nga financat, ndaj në këtë drejtim gjithçka është pezull.
Kontingjenti Synohen afrime për të gjitha ato reparte nevralgjike, sidomos në ato pozicione ku ka pasur edhe firo. Por jo vetëm kaq, pasi do të bëhen përforcime edhe në atë sektor ku ekipi çaloi në sezonin e fundit. Mirëpo, fakti që do të ketë merkato dihet, e vetmja risi lidhet me shpenzimet. Klubi synon të përforcojë grupin, por duke afruar lojtarë me kosto jo të lartë. Sikundër jemi mësuar gjithnjë, bardheblutë kanë pasur në ekip lojtarë që kushtonin 100 milionë lekë (të vjetër), siç ishte rasti i Gilman Likës në edicionin e fundit. Mirëpo kjo shifër do të harrohet, pasi ata nuk do të përfitojnë më mbi 50 milionë lekë. Futbollistët do të paguhen me rrogë mujore dhe jo me parà në dorë, duke përfshirë këtu edhe penalitetet, gjë që është aplikuar edhe vitin e fundit, ku konkretisht lojtarët titullarë merrnin rrogën e plotë, pra 100 për qind; ata që e nisnin nga stoli vetëm 70 për qind, ndërsa ata që nuk luanin 30 për qind të pagës. Kontratat do të jenë mbi 2-vjeçare, gjë që u aplikua edhe me Hoxhallin e Çakën, por nga ana tjetër lojtarët do të jenë në moshë të re, konkretisht nën 24 vjeç.

JA PROJEKTI I KLUBIT
1. Të afrohen lojtarë për çdo repart, duke kompensuar edhe largimet e deritanishme.
2. Lojtarët që do të afrohen do të jenë në moshë të re, nuk duhet të jenë mbi 24 vjeç.
3. Nuk do të ketë më kontrata marramendëse, nëse deri një sezon më parë kishte edhe nga ata që merrnin 100 milionë lekë të vjetër, këtë vit nuk do të jenë mbi 50 milionë lekë.
4. Kontrata që do të firmosen do të jenë afatgjata, mbi 2- vjeçare, pasi mendohet që të ndërtohet ekip edhe për të ardhmen.
5. Do të vazhdohet me penalitete, pra lojtarët do të paguhen me rrogë mujore dhe në bazë të minutazhit. Titullarët do të marrin pagë të plotë, ata që e nisin nga stoli vetëm 70 për qind, ndërsa ata që nuk luajnë 30 për qind.

Klubi, gati apelimin për çështjen “Morina”
Nuk e kanë përtypur aspak mirë vendimin e dhënë nga DHZK-ja mbi çështjen “Morina”, ndaj nuk kanë ndërmend ta lënë me kaq. Sikundër u shprehën edhe në deklaratën e lëshuar për mediat, kanë ndërmend që ta apelojnë këtë verdikt, pasi e cilësojnë atë proces një farsë dhe të dhënë pa prova. Për këtë arsye kanë nisur të përpilojnë shkresat e nevojshme për të kundërshtar vendimin e dhënë prej këtij institucioni të federatës. Sulmuesi tashmë ndodhet në Austri dhe ka nisur fazën përgatitore me skuadrën e tij të re, Skënderbeun. Ai ka arritur akordin me klubin korçar prej kohësh, tashmë pritet vetëm firma.

Tirana afron një 19-vjeçar, firmos Lapardhaja
Algi Lapardhaja ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me ekipin e Tiranës. Sulmuesi i talentuar i skuadrës së U-19 të Shkëndijës ka nënshkruar dje një kontratë me klubin e Tiranës. Është kjo blerja e parë zyrtare e kryeqytetasve për sezonin e ri. Kujtojmë se në planet e skuadrës janë edhe disa lojtarë të tjerë të këtij ekipi, që drejtohet nga Shpendi Kumbarca. Në ditën kur do të nisin përgatitjet, pritet që të pranishëm të jenë edhe pesë futbollistë të talentuar. Glorian Hoxha, Alush Gavazaj, Alvi Gjoçaj, Klajdi Hyseni dhe Spartak Ajazi, janë në planet e bardhebluve dhe pritet që t’i bashkohen skuadrës.

Axhenda, stërvitja pritet që të nisë më 1 korrik
Pas shtyrjes së nisjes së përgatitjeve është hedhur një ide që ato të startojnë më 1 korrik. Ende nuk është përcaktuar zyrtarisht, megjithatë së fundmi në ambientet e klubit kanë përcaktuar fillimjavën për rifillimin e përgatitores. Me kompletimin e grupit, teksa pritet që të kthehen dy të rinjtë që ishin në Mersin (Hoxhallari e Çaka), por edhe me mbylljen e të gjitha vizitave mjekësore, ekipi do të ishte gati. Megjithatë, do të jetë fundi i kësaj jave që do të përcaktojë përfundimisht se kur do të zbresë në fushë Tirana. Ekipi mendohet që do të qëndrojë në kryeqytetet për gati një javë, më pas do të përcaktohet destinacioni i ardhshëm i skuadrës.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"