Korabi pa frena, firmos me gjashtë ish-lojtarë të Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2016 | 9:49

Korabi pa frena, firmos me gjashtë ish-lojtarë të Laçit

Korabi e nis vrullshëm merkaton, duke zyrtarizuar 6 blerje në një ditë. Dhe ajo që bie në sy ishte fakti që të gjitha afrimet e reja janë “ish” të skuadrës së Laçit. Ashtu sikundër pat paralajmëruar “Panorama Sport”, klubi ka prezantuar arritjen e marrëveshjes me lojtarë si Miroslav Vujadinoviç, Arjan Sheta, Emiljano Çela, Alfred Zefi, Emiljano Veliaj dhe Agim Meto.

13718649_1211375638929831_4717909793712741048_n

Ata, prej ditës së djeshme, janë zyrtarisht lojtarë të Korabit. Portieri Vujadinoviç, mbrojtësit Sheta dhe Çela, si dhe mesfushorët Zefi, Veliaj e Meto kanë firmosur kontrata 1-vjeçare dhe nga sot do të dalin në stërvitje nën urdhrat e trajnerit Artan Mërgjyshi. Afrimet e tyre kanë shtuar entuziazmin te tifozët dibranë, të cilët tashmë besojnë se drejtuesit e klubit do të ndërtojnë një skuadër dinjitoze për Superioren.

13697042_1211267245607337_6232351957613990138_n

Duket se merkatoja është bazuar e gjitha te Laçi dhe jo më kot drejtuesit kanë vepruar kështu, pasi lojtarët njihen mirë me njëri-tjetrin dhe nuk do ta kenë aspak të vështirë përshtatjen. Në ditët në vijim, pritet që shefi i klubit, Fehmi Mziu, të prezantojë të tjera afrime te Korabi.

13767192_1211211065612955_595787633300111506_o

Trajneri Mërgjyshi ka kërkuar lojtarë me eksperiencë në Kategorinë Superiore dhe afrimi i emrave të fundit plotë- son më së miri dëshirat e kreut të pankinës. Tashmë drejtuesit e Korabit janë të fokusuar tek afrimi i të paktën dy sulmuesve. Nuk përjashtohet mundësia të shikohet pista e huaj.

Trajneri

Artan Mërgjyshi ka marrë drejtimin e Korabit prej më se një jave, megjithatë vetëm dje ka hedhur firmën mbi kontratë, duke u zyrtarizuar kështu si trajneri i dibranëve në elitë. Tekniku 48-vjeçar ka nënshkruar për një vit dhe objektivi tashmë është i qartë: qëndrimi në kategorinë e më të mirëve.

13781686_1211233958943999_9176535644624629436_n

Tifozët

Prej disa ditësh, seancat stërvitore të Korabit në kompleksin “Tirana Internacional” janë ndjekur edhe nga tifogrupi “Arbëri”. Ata kanë qenë bukuria e kampionatit të kaluar duke mbushur në çdo ndeshje shkallët e stadiumit kur luante skuadra e tyre e zemrës. Madje, ata janë në bisedime edhe me drejtuesit për mbarëvajtjen e ndeshjeve që ekipi i tyre do të zhvillojë gjatë kampionatit, ku kanë siguruar se do të jenë të pranishëm kudo ku ndodhet Korabi.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"