Korabi ruan boshtin e skuadrës, administratori Mziu shpalos projektin e sezonit të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2024 | 20:14

Korabi ruan boshtin e skuadrës, administratori Mziu shpalos projektin e sezonit të ri

Korabi, pas përfundimit të sezonit futbollistik 2023-2024, ka filluar pushimet, të cilat do të përfundojnë deri në momentin kur drejtuesit të lajmërojnë grupin për fillimin e përgatitjeve për sezonin e ri.

KORABI

Lojtarët dhe stafi janë lënë pushim, ndërsa drejtuesit e klubit po punojnë për ndërtimin e Korabit të sezonit 2024-2025. Për të mësuar më shumë rreth ekipit të ri, presidenti i dibranëve, Donald Mziu, për “Panorama Sport” u shpreh: “Po punojmë për riformatimin e Korabit siç i ka hije. Ekipi ka treguar vlera dhe në përbërje ka pasur gjithnjë lojtarë cilësorë që kanë shkëlqyer te Korabi, për të kaluar më pas në ekipe të Superiores, si Skuka e Keko te Partizani, si dhe Henri Marku te Tirana. Momentalisht jemi në periudhë negociatash.

Po planifikojmë të ruajmë pjesën kryesore të skuadrës dhe boshtin e formacionit të sezonit që u mbyll. Paraprakisht kemi rinovuar me kapitenin Mziu, portierin Qyrani, dy mbrojtësit Lila dhe Lilaj, si edhe mesfushorët qe janë nën kontratë, Kasalla dhe Kryemadhi. Për sulmin jemi drejt rinovimit me Taulant Markun, ndërkohë që edhe për dy vitet e ardhshme ka rinovuar Shehu. Kemi ndërprerë bashkëpunimin me konsensus me Henri Markun dhe Segerso Gecin.

Ndërkohë, po punojmë për të zëvendësuar lojtarët e larguar. Nuk mendojmë të bëjmë shumë ndryshime edhe pse kemi opsione shumë të mira lojtarësh, që momentalisht janë të lirë, por ka edhe mundësi bashkëpunimi në formë huazimesh nga Superiorja. Pasi të kthehen nga pushimet, do të ulemi të flasim me trajnerin e stafin në lidhje me vazhdimësinë”.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"