Korçari Ngjela: Prisni një barazim me… gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2015 | 10:00

Korçari Ngjela: Prisni një barazim me… gola

maruis ngjelaMarius Ngjela është një nga lojtarët korçarë që ka lënë mbresa te Partizani, edhe pse në vite shumë të vështira për klubin e kuq. Bëhet fjalë për sezonin 2008-2009, kur “demat” zbritën nga Kategoria Superiore, por që në atë sezon Ngjela shënoi 10 gola. Sulmuesi 32- vjeçar, që ka nisur karrierën te Skënderbeu, ku luajti për afro gjashtë sezone, flet për “Panorama Sport” në prag të kryendeshjes së javës së tetë të kampionatit.

Prej dy sezonesh Ngjela aktivizohet me Bilisht Sportin në Kategorinë e Dytë, por sigurisht vëmendja e tij është te skuadra e zemrës, Skënderbeu, por edhe Partizani, ku ruan kujtime të bukura dhe madje mban kontakte me tifozët e kuq. Ngjela parashikon një ndeshje spektakli sot.

“Mendoj se do të jetë një barazim me gola, ndoshta 1-1”, thotë ndër të tjera sulmuesi i njohur korçar, që në të kaluarën ka qenë edhe pjesë e Flamurtarit, Besës e Besëlidhjes. Marius, jeni një ndër lojtarët korçarë që keni veshur edhe fanellën e Partizanit, krahas ekipit të vendlindjes.

Si e prisni kryendeshjen e javës së tetë të kampionatit?

Do të jetë një takim shumë i bukur për t’u parë dhe jam i bindur se ka për të qenë spektakolar. Mendoj se është një duel titulli, edhe pse ndoshta është herët për të folur për një gjë të tillë. Të tilla ndeshje i japin tonusin Superligës dhe rrisin shikueshmërinë.

Keni luajtur me dy skuadrat kur ato kanë qenë në luftë për mbijetesë, ndërsa tani Skënderbeu luan edhe në Ligën e Europës…

Skënderbeu ka ndryshuar shumë nga koha kur unë luaja, po ashtu edhe Partizani. Sot gjykoj se do të jetë një ndeshje ku do të shihet nëse të kuqtë mund të ndalin këtë Skënderbe europian. Pres një takim të fortë dhe shumë të luftuar.

Do të jeni në stadium?

Po, për fat të mirë, do të jem në stadium për ta ndjekur këtë  ndeshje dhe shpresoj që të jetë një duel që të kënaqë të gjithë tifozët.

Për cilën skuadër do të bëni tifo në “Qemal Stafa”?

Personalisht si korçar që jam, zemrën e kam për Skënderbeun, por nuk mund të them se edhe për Partizanin nuk ndiej. Do të jetë një ndeshje e veçantë edhe për mua nga shkallët e stadiumit. Madje, do të përjetoj emocione, pasi nuk e kam luajtur kurrë këtë takim, qoftë kur kam qenë pjesë e Partizanit dhe qoftë kur luaja me Skënderbeun. Shpresoj që të jetë një ndeshje e bukur dhe mbi të gjitha të fitojë futbolli.

Skënderbeu vjen pas humbjes së thellë në Portugali, mendoni se kjo mund të ndikojë për keq në përballjen ndaj Partizanit?

Jo, nuk e mendoj këtë. Skënderbeu ka në përbërje shumë lojtarë cilësorë dhe mund të bëjë rrotacion në çdo moment. Edhe nga ana psikologjike nuk besoj se do të ndikojë për keq, madje mund të them se lojtarët do të jenë më të etur për fitore pas humbjes me Sportingun.

Gjithsesi, korçarët patën vetëm një ditë kohë për rikuperim. Është ky një problem?

Unë kam ndjekur në gazetën tuaj që ka pasur shumë debate për këtë, pasi me të drejtë takimi duhej të luhej të hënën, në mënyrë që t’i lihej kohë Skënderbeut për rikuperimin e forcave, pasi u kthye vetëm dy ditë më parë nga Lisbona. Megjithatë, edhe pse do të luhet të dielën, Skënderbeu ia del të jetë gati, pasi është një ekip i madh tashmë dhe trajneri Josa ka shumë mundësi zgjedhjeje.

Keni ndonjë parandjenjë për rezultatin?

Parashikoj që ndeshja do të mbyllet në barazim 1-1. Nuk mund të them se kush do të shënojë, por besoj se do të jetë një barazim i bukur me gola dhe spektakël.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"