Kosova A – “Kosova B” 2-2 ose Kosova – Shqipëria 30-6!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2015 | 20:21

Kosova A – “Kosova B” 2-2 ose Kosova – Shqipëria 30-6!

Besnik DizdariNga BESNIK DIZDARI

Kam hyrë me vonesë në stadiumin e Prishtinës për shkak të një peripecie të vogël gjatë udhëtimit nga Prizreni. Dhe, për herë të parë në historinë time si gazetar, kam pa një ndeshje të Kombëtares i ulur në një ndenjëse të improvizuar aty pranë vendqëndrimit (pankinës) të skuadrës së Kosovës. Si dhe mijëra të tjerë përjetova një ndeshje që nuk i përngjan askujt në historinë e futbollit botëror: dy Kombëtare të një kombi përballë njëra-tjetrës! Gëzim, festë, brohoritje gati të barabarta për të dyja skuadrat, një lloj “fair play”, që në origjinalitetin e tij them se as këtë nuk e njeh historia e futbollit botëror. Dhe me kuptimin e madh: një nderim për Shqipërinë e Kampionatit Europian në 16 skuadrat e para të kualifikuara për FRANCË 2016. E mandej? Mandej pragviti 2016 më e pakta dy pyetje enigmatike: si do të paraqitet Shqipëria në fundoret e FRANCË 2016 dhe a do të pranohet Kosova në FIFA dhe a do të “peshkohet” për në eliminatoret e Kupës së Botës RUSIA 2016?… Ndërkaq, mbërrin një 2-2 spektakolar, po aq edhe ky me një “rekord botëror”: një lojtar i ri, 18-vjeçar i quajtur Rei Manaj sapo hyn në lojë si zëvendësues, duke vrapuar për të zënë vendin e tij “taktik”, pa e ndalë vrapin shënon! Shënon mbrenda 12 sekondave të para të ndeshjes së parë të tij me një Kombëtare të një shteti. Mandej? 2-2 pra! Dhe asgjë tjetër?… Nuk është kështu. Futbolli botëror ndërkohë ka regjistruar rekordin e rekordeve: që Kombëtaret e dy shteteve janë ndeshur midis tyre, duke aktivizuar 39 futbollistë të së njëjtës kombësi, ajo shqiptare. Duke qenë i vetëm një i huaj i jashtëfushës: trajneri, një italian i shndërruar në hero prej shqiptarëve, me emrin Xhani De Biazi. Historia e futbollit botëror nuk kishte regjistruar pra, që dy Kombëtare të dy shteteve të përbëheshin nga lojtarë të gjithë të së njëjtës kombësi. Dhe mandej rekordi tjetër: nga 39 lojtarë, që luajtën në këtë ndeshje, plot 30 i përkisnin shqiptarësisë së njërës anë, asaj të Kosovës. Deri aty saqë figurativisht më bën të titulloj kësisoj; “Kosova A-Kosova B 2-2”! Por titulli nuk mbaron këtu. Ai vazhdon me pjesën e dytë të tij që thotë: Kosova-Shqipëria 30-6! Sepse në të dyja skuadrat 30 lojtarë janë shqiptarë të Kosovës dhe vetëm 6 janë shqiptarë të Shqipërisë. Tre të tjerë janë gjithashtu të Shqipërisë, por futbollistë që nuk i ka krijuar futbolli i Shqipërisë, por ai i Italisë. Çka do të thotë se asnjëherë deri më sot futbolli i mbrendshëm i Shqipërisë nuk ka pasur më pak lojtarë në Kombëtaren e Shqipërisë. E pra, titulli i plotë i figurshëm është vetëm ky: “Kosova A – “Kosova B” 2-2 ose Kosova – Shqipëria 30-6″! E çka do të ndodhë më tej? Nuk do të ndodhë asgjë. Kjo Kombëtare e Shqipërisë, që do të shkojë në Francë midis 24-shes së Europës, ligjërisht përfaqëson vetëm Republikën e Shqipërisë. Por, në përmbajtjen e saj ajo përfaqëson edhe Republikën e Shqipërisë, edhe Republikën e Kosovës, pra shqiptarësinë në tërësi. Duket se historia sa fillon këtu, po aq mbaron këtu. Parashihet se Kosova brenda nja tre muajve do të jetë anëtare e FIFA-s, tjetër përforcim i njohjes mbarëbotërore të shtetit të saj të ri. E ndoshta menjëherë ajo mund të jetë anëtare e Kupës së Botës që nis në shtator 2016. Të paktën këtë të thonë me vetësiguri njerëzit e futbollit në Kosovë. Mandej (sa shumë “mandej” paska ky shkrim) secili në punë të vet. Deri aty saqë ndonjëherë mund të ndodhë që shorti kapricioz të përfshijë në një grup kualifikimesh eurobotërore Kombëtaren e Republikës së Shqipërisë me atë të Republikës së Kosovës!… Këtu shfaqet qartë morali i fabulës. Kombi shqiptar do të jetë i vetmi, të paktën në Europë, që do të ketë dy Kombëtare të futbollit. Ashtu siç ka, bie fjala, edhe dy Kombëtare të basketbollit. Apo siç ka, po ligjërisht, dy Kombëtare peshëngritjeje apo të xhudos me Majlinda Kelmendin, dy herë Kampione e Botës nën flamurin e Republikës së Kosovës. Apo me më të rëndësishmen: qysh sot ai do të ketë dy “kombëtare” Olimpike në Olimpiadën e “Rio 2016”. Ashtu si dhe dy shtete. Diskutimet naive e të panevojshme të mëtejshme kjo gjeopolitikë shtetformuese e sportive bashkë, i hedh poshtë menjëherë. E tash ajo që vlen po fort është që Shqipëria dhe Kosova të forcojnë futbollin e tyre kombëtar mbrenda tokës së tyre, në kampionatet e tyre kombëtare, që përjashto nja dy a tre mikroshtete, për fat, janë ndër kampionatet me nivelin më të ulët në Europë. Vetvetiu, këtij morali të fabulës i shtova kështu edhe këtë “absurd” të një realiteti që na duhet ta pranojmë. Dhe këtu merr fund edhe ky editorial “origjinal” që sa të duket se ndan po aq dhe bashkon historinë sportive mbarëshqiptare, historinë e vetë kombit shqiptar. Kësisoj, kemi të bëjmë me një gjykim të rrallë, universal. Na takon ta mirëkuptojmë dhe ta pranojmë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"