Kosovarja kuqezi: Ta shohim vetëm si një ndeshje futbolli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2017 | 20:54

Kosovarja kuqezi: Ta shohim vetëm si një ndeshje futbolli

Ka lindur në Mitrovicë, por përfaqëson Kombëtaren e Shqipërisë për femra që prej vitit 2011. Bëhet fjalë për mesfushoren e Vllaznisë, Suada Jashari, e cila natyrshëm që ka përjetuar emocione të veçanta kur ka mësuar se Shqipëria do të luajë në një grup me Kosovën për eliminatoret e Botërorit.

Mesfushorja kosovare bën apel që kjo përballje të shikohet vetëm si një ndeshje futbolli, asgjë më tepër. Në bisedën për “Panorama Sport”, Jashari tregon fillimisht pse zgjodhi të luajë për fanellën kuqezi.

Suada Jashari Vllaznia

“Fakti që jemi më shumë kosovare në Kombëtaren shqiptare mendoj se është diçka normale. E them këtë sepse, kur është formuar Shqipëria e femrave, kombëtarja e Kosovës për femra s’ka ekzistuar. Kur kam vendosur të luaj për Shqipërinë, Kosova nuk ka qenë e pranuar në UEFA dhe FIFA. Jam pjesë e ekipit kuqezi që prej vitit 2011 dhe jam e lumtur për këtë zgjedhje. Më duhet të theksoj se futbolli i femrave në Kosovë është luajtur shumë më herët se në Shqipëri, prandaj dhe kjo është një arsye më tepër pse në kombëtaren kuqezi ka shumë vajza kosovare që luajnë”, ka thënë mesfushorja e Vllaznisë.

Më tej ajo flet për shortin që vendosi përballë dy kombëtaret e femrave. “Normalisht që do të jetë një ndeshje emocionuese. Megjithatë, unë nuk e shoh me atë syrin që do të luaj kundër vendlindjes, sepse mendoj se të gjithë jemi shqiptarë. Unë besoj se të gjithë duhet ta shohim si një ndeshje futbolli, vetëm kaq”, theksoi Jashari.

Suada Jashari shqiponje

Sipas lojtares nga Mitrovica, grupi me Kosovën, Greqinë dhe Maltën është i vështirë. “Mendoj se është grup pak i vështirë, po jo i pakalueshëm. Jam optimiste dhe gjykoj se kemi shumë shanse të kualifikohemi më tej, ashtu sikur kemi bërë në eliminatoret e para që kemi zhvilluar në Maltë”, përfundoi 28- vjeçarja, e cila është një lojtare stabël në skuadrën e drejtuar nga Armir Grima. Ky është viti i gjashtë që Jashari do të luajë për fanellën kuqezi, në një kohë që është shpallur kampione e Shqipërisë me Vllazninë.

Olgert Serani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"