Kostakurta: Duhet një blerje për repart, Lukaku dhe Leao zhgënjyes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2024 | 17:53

Kostakurta: Duhet një blerje për repart, Lukaku dhe Leao zhgënjyes

Duke folur për SportMediaset, ish-futbollisti dhe tashmë komentatori sportiv Alesandro Kostakurta ka folur për Milanin, duke u ndalur veçanërisht në diskutimet që lidhen me tregun e transferimeve dhe të ardhmen e Rafael Leaos, mbi të cilin do të kishte presion të fortë nga Al-Hilal.

kostakurta

“Leao është lojtari më i rëndësishëm i Milanit dhe shpresoj që të mund të jetë i tillë për një kohë të gjatë. Është e qartë se duhet të vazhdojë të përmirësohet. Këtë vit besoj është përmirësuar, jo siç e prisnim të gjithë, por hapa përpara ka bërë. Milani përfundoi i dyti dhe nuk do të doja që ky aspekt të harrohet përballë skuadrave që ishin më të forta në letër”, deklaroi 58-vjeçari që gjithashtu ka edhe këshilla për merkaton.

E sidomos për repartin e tërhequr, për të cilin tha: “Për mendimin tim, për t’u afruar më shumë me këtë Inter, por mbi të gjitha me një panoramë europiane që tifozët e Milanit janë mësuar, drejtuesit kuqezi gjithashtu duhet të përqendrohen në blerjen e ndonjë mbrojtësi. Veçanërisht ata qendrorë. Sipas meje me një prurje në çdo departament mund të ishte ideale për Milanin”.

Në ditët e fundit po përflitet edhe një transferim i Romelu Lukakut te “Djalli”, teksa të njëjtin lojtar e do edhe Konte te Napoli. Në lidhje me ish-bomberin e Interit, Kostakura nënvijëzoi: “Unë nuk mendoj se Lukaku ka ndonjë problem me mjedisin që mund të gjejë apo me pritjen që mund t’i rezervojë tifozëria. Personalisht nuk jam më një tifoz i madh i tij. Madje shpresoj që Kamarda mund të luajë në vend të Lukakut. Nëse Lukaku do të luante 4-5 ndeshjet e para, atëherë do të doja që në të tjerat të mund të luante Kamarda. Është ndoshta shumë i ri, por me atë potencial që ka duhet promovuar në mënyrë që të njihet më mirë me kriteret e një klubi si Milani. Është e ardhmja dhe nuk mund të mjaftohet mes disa minuta në ekipin e parë”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"