Kotobelli: Teuta, super e motivuar për të mundur Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2024 | 10:22

Kotobelli: Teuta, super e motivuar për të mundur Dinamon

Pas fitores me Erzenin të mërkurën që shkoi, Teutën e pret një ndeshje vendimtare sot ndaj Dinamos. Luhet java e fundit e kampionatit dhe të dyja skuadrat janë në garë për vendin e 4-t, bashkë me Tiranën dhe Skënderbeun.

kotobelli

Durrsakëve, me pikë të barabarta me Dinamon dhe Tiranën, u bën punë vetëm fitorja në “Niko Dovana”, por për të shkuar në “Final 4” duhet gjithashtu të ndalen Skënderbeu dhe Tirana në ndeshjet e tyre. Kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli, në një intervistë për “Panorama Sport”, për duelin e sotëm theksoi se skuadra është gati për fitoren e radhës. Ai është shprehur se grupi i lojtarëve ka motivimin dhe cilësinë e duhur për të marrë 3 pikët ndaj kryeqytetasve. Kotobelli, si është gjendja në skuadër para sfidës me Dinamon? Gjendja është shumë e mirë. Teuta është në harmoni të plotë, lojtarët janë të gjithë të gatshëm dhe shpresojmë ta kalojmë më sukses ndeshjen me Dinamon.

Çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Ne duhet të bëjmë një ndeshje agresive, të mos e lejojmë kundërshtarin të bëjë lojën e vet. Teutës i duhet fitorja dhe ajo arrihet duke luftuar fort në fushë. Kemi motivimin dhe kualitetin e duhur për t’i fituar këto përballje. Hyjmë në fushë për maksimumin. Dinamo është një ekip i fortë, por do të përpiqemi ta mundim, nuk ka rrugë tjetër përveç fitores. Duam të marrim 3 pikët dhe të luajmë një futboll të bukur.

Dinamo vjen nga një moment jo i mirë. Sa e favorizon ky fakt Teutën?

Shikomi, në të tilla ndeshje nuk ka favoritë. Por, nisur nga gjendja që jemi dhe nga entuziazmi që mbizotëron në Durrës këtë periudhë, mendoj se Teuta do të dalë me fitore ndaj Dinamos. Në këto ndeshje nisesh si i barabartë, pavarësisht pikëve, apo pozicionit që ke në renditje, kështu që jemi super të motivuar dhe të karikuar për të dhënë gjithçka.

Para javës së fundit të kampionatit, a keni peng nga ndeshjet që kanë shkuar, ku Teuta duhej të kishte bërë diçka ndryshe?

Me atë që kemi dhënë në fushë, mendojë se duhet të kishim më shumë pikë, por për shumë faktorë këtë gjë nuk e kemi arritur. Nuk është se kam ndonjë ndeshje peng, por ato ndeshje që nuk i fiton, sigurisht që të mbeten në mendje.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"