Krejt papritmas Kampionati u zbukurua paksa…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2019 | 22:32

Krejt papritmas Kampionati u zbukurua paksa…

BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

Them krejt papritmas, sepse ky është një Kampionat me një kuintal të meta. Tribuna thuajse të boshatisura. Nivel teknik nënmesatar. Në të shumtën i zgjatur në tri ditë për vetëm pesë ndeshje – çka në vend që të fitojë interesim, e ka shkatërruar atë. Provoni një javë, një javë të vetme, që të pesta ndeshjet të luhen në një ditë dhe në një orar! Do të shihni se sa befasia tërheqëse do të shfaqen, siç ndodh gjithnjë kur ti luan pa ditur sesi ka përfunduar ndeshja e rivalit tënd.

Dhe vazhdojmë me cilësimet tona kritike.
Skuadra, të cilat nuk luajnë në fushat e tyre; golat më pak sa s’ka ku shkon më për gjithë historinë e kampionateve. Madje, deri aty saqë nga të 10 skuadrat pjesëmarrëse, thuajse çdo javë gati gjysma e tyre nuk shënojnë. Dhe gjithçka e rrethuar prej një gazetarie televizive (e dihet se çka është pushteti i sotëm i televizionit) të njëtrajtshme, të njëllojtë në çdo studio, me diskutime monotone. Dhe në të cilat me varfërinë e skajshme të pranisë së gazetarëve në pakicë (minoritet) përballë sundimit përshtatës në shumicë (maxhorancë) të ish-futbollistëve e trajnerëve “analistë” si asnjëherë në historinë e Shqipërisë. Çka, përveç të tjerave, ka cenuar jo pak paanësinë kritike të komenteve. Sepse e dini, që nuk ka mendim më të pavarur sesa i gazetarit. Shqipërisë së sotme televizive i është mbushur mendja se duke sunduar ish-futbollistët e trajnerët në ekranin e vogël, shkon përpara mendimi i futbollit. Sa temë e madhe që është kjo!…

Ky është Kampionati ynë, nëse vërtet është “i yni”, për të cilin diku lexova se nuk ka aspak nevojë për t’ia ndryshuar strukturën! Përveç të tjerave, gjithnjë me vetëm 10 skuadra – bash atë pra, që logjika më e paanshme të thotë se duhet të ndryshojë një orë më parë. Sidoqoftë, krejt papritmas, në këtë Javë 22 të tij, ai u zbukurua paksa..

Në çka u zbukurua?

U zbukurua falë rezultateve befasuese për të cilat një Kampionat për së mbari ka gjithnjë nevojë. Duke i marrë radhazi ndeshjet, ndodhi që SK Tirana nuk fitoi në fushën e vet me Luftëtarin. Që Teuta fitoi me KF Kukësin, që Kastrioti fitoi në Kamzë, që Flamurtari mposhti Skënderbeun – Kampion. Dhe mbi të gjitha, që KF Laçi fitoi kundër kryesuesit Partizani! Kjo qe historia zbukuruese e Kampionatit. Sigurisht, edhe kësaj radhe golat qenë krejt të pakët, vetëm 9, po për fat 3 më shumë se një javë më parë kur ishin vetëm 6. Në tërësi, duke mbërritur në plot 206 gola të 110 ndeshjeve ose mesatarisht të vetëm 1.87 golave për ndeshje – më e ulëta mesatare në Europë. Asnjë skuadër nuk ka mbërritur të ketë të paktën 1 gol e gjysmë për ndeshje! Për këtë, kampiones së golave, Teutës (28) do t’i duheshin të kishte shënuar të paktën edhe 5 gola më tepër. Prapë do të ishte shumë pak, kur kujton se asnjë skuadër nuk arrin të shënojë mesatarisht 2 gola për ndeshje! Shkaku nuk është vetëm mungesa e sulmuesve të aftë, por mendoj se është paaftësi e ndërtimit të një loje efikase sulmuese. Nuk kemi studime për këto punë në Shqipëri. Ka ish-trajnerë në rolin e gazetarëve në studio, por nuk shohim të ketë ish-trajnerë apo specialistë, të cilët marrin përsipër të analizojnë teknikisht se çfarë cilësie ka Kampionati i Shqipërisë. Sigurisht, këtë iu takon ta bëjnë në seminare teknike, që – për fatin e keq të Shqipërisë së sotme – bëheshin vetëm në kohën e Regjimit. Pse jo, mund të bëhen edhe në shkrime përimtuese (analizuese) komentuese në gazeta apo qoftë dhe në emisione të posaçme televizive.

E mandej?

Mandej kemi një problematikë kritike që mund ta vazhdosh me dorëheqje apo shkarkime të pandalshme trajnerësh që nuk munguan as këtë javë, edhe pse kjo, e 22-ta pra, e zbukuroi Kampionatin. Prej KF Kukësit e deri te KF Kamza. Çka e çon në 12 numrin e shkarkimeve të trajnerëve të një gare të vetëm 10 skuadrave në 14 javë para mbarimit të Kampionatit. Dhe dihet ndërkaq se ai që nuk duron humbjet, ose që kërkon të fitojë përherë vetëm ai, nuk ka kuptuar asgjë nga filozofia e një kampionati të futbollit. Shkojmë tash, te renditja e sendërtuar mbas Javës 22. Natyrisht, Partizani gjithnjë në krye, edhe pse humbi, tash me “vetëm” 7 pikë largësi. E futa në thonjëza mbiemrin “vetëm” sepse, në të vërtetë, nuk janë pak 7 pikë. Dhe me një risi: ka një ndjekës befasues, të cilin ndoshta nuk e kishte menduar: Teutën e Durrësit mbas fitores së saj 2-1 kundër Nënkampionit me emrin Kukës.

Cilat janë këta dy kryesues që drejtohen prej dy trajnerëve të brezit të ri: Skënder Gega i Partizanit që nuk ka fituar asnjë Kampionat dhe Bledi Shkëmbit që ka fituar tash së voni bukur nja 6 a 7 të tillë. Më duket se të dy i bashkon qetësia dhe modestia – çka dihet, janë bazë themelore për drejtimin e skuadrave sportive. Duke shkuar tek arkivi, mësoj një përkim të rrallë: të dyja kanë fituar herët e fundit Kampionatin e Shqipërisë, krejt ngjitur me njeritjetrin, plot 26 e 25 vjet më parë: Partizani më 1993 dhe Teuta më 1994. Qysh atë kohë, asnjëherë tjetër më. Suksesi i tyre i përket pra shekullit të shkuar, atij XX, ndërkohë që janë dy dekada të shekullit XXI, e ata po ashtu në një heshtje të madhe. Unë për vete do të uroja një duel Partizan-Durrës, si një risi të këtij shekulli. Do të dëshiroja që një skuadër e një historie të madhe si Partizani të përballej me një skuadër të një prej qyteteve më sportivë të Shqipërisë që është Durrësi. Kësisoji, për t’u bindë nëse në Kampionatin e sotëm të Shqipërisë, mund të gjallërohen jo thjesht skuadrat historike të tij si Partizani, po e po, por në radhë të parë të gjallërohej dukuria thelbësore, ajo që në gjithë këto vite nën udhëheqjen e Federatës së sotme Shqiptare u shkatërrua jo pak: futbolli i qyteteve tradicionalë e themelues të Kampionatit të Shqipërisë. Dhe nuk bëhem monoton duke e përsëritë (nuk do të ndal në këtë përsëritje) se SK Tirana ishte në Kategorinë e Dytë, Vllaznia e Shkodrës në Kategorinë e Dytë, KS Elbasani në të Dytën a në të Tretën, Besa e Kavajës ndoshta gjithnjë në të Dytën…

hidi osmani bici

Për fat, shihet që nuk i bën më përshtypje askujt. Them nganjëherë me vete: ku e gjen këtë forcë drejtimi i futbollit në Shqipëri që kaq shpesh e shoqëron me buzëqeshje apo me mospërfillje këtë varfërim të paprecedent të Kampionatit Kombëtar – pra që është i Kombit – me vetëm 10 skuadra, prej të cilave plot 6 i ka vetëm “kantoni” i Shqipërisë së Mesme: Partizani, SK Tirana, KF Kamza, Teuta, KF Laçi!?… Të vjen keq sidomos që me këtë situatë pajtohet një pjesë e “gazetarisë” së sotme, akritike, e heshtur, e përulur. Deri aty saqë u tha se Vllaznia fitoi 6-1 për 100-vjetorin e saj me skuadrën e Vorës, deri dje një fshat kalimtar, përmes së cilit mbërrihej në Tiranë. Nëse me këtë fitore ndaj Vorës mund të simbolizohet 100-vjetori i Shoqërisë Vllaznia, e cila ka mposhtur një Hajduk të Splitit, një Dozhë të Budapestit apo një Austria të Vjenës e që një herë pati fituar edhe me Kombëtaren e Shqipërisë, atëherë mjerë ne! Është vërtet tejet e rrezikshme kur krijohet ai që quhet “precedenti i gabuar”.

Që pranon apo thotë se shumë bukur që Kampionati ka vetëm 10 skuadra; shumë bukur që Kategoria e Dytë quhet e Parë; ndonëse nuk ka asgjë “të Parë”; shumë bukur që nuk vijnë spektatorët; shumë normale që ka skuadra që nuk luajnë në qytetet e tyre; shumë normale që qytetet tradicionale janë në Kategori të Dytë, e cila Serie B të Italisë nuk i vjen as te thembra e këmbës. E këtë po e them meqë kanë guximin të na kujtojnë se edhe Juventusi ka rënë në Kategori të Dytë (Serie B); shumë bukur pra që ka skuadra që nuk jetojnë në qytetin e tyre; shumë bukur që skuadrat janë mbushur me lojtarë të huaj krejt të zakonshëm në dëm të djemve të rinj shqiptarë; shumë bukur që Komiteti Ekzekutiv i FSHF nuk e çan kryet për asnjë kritikë që bëhet; shumë normale që ky KE përbëhet vetëm nga njerëz që jetojnë të Tiranë, pra jo përfaqësues të qendrave futbollistike të vendit; shumë normale që stadiumet e rindërtuara të Shkodrës e të Elbasanit nuk i sundokan qytetet e tyre, por Federata e Futbollit; shumë normale, që pothuajse të gjithë vëzhguesit apo delegatët e ndeshjeve janë anëtarë të “klubit” a “qerthullit” kryeqytetas të lidhur kryesisht me “filozofinë” e zyrave federaliste; shumë normale që Shqipëria ende nuk e ka Ligën Kombëtare të Futbollit në organizim e veprim; shumë normale që shkarkohen e dorëhiqen trajnerët tash e parë; shumë normale që vetëm në Shqipëri nuk dihet statusi i klubeve të futbollit: nëse janë të shtetit apo të privatit, të sponsorit apo të bashkisë, të popullit apo të federatës, të ligjit apo të voluntarizmit. Sidoqoftë, Java 22 e zbukuroi paksa Kampionatin. Sapo ka mbërritur Teuta e Durrësit, se Partizani aty është.

Janë dyshja e Kampionateve të viteve fqinje 1993 dhe 1994. Partizani e ka fituar titullin më 8 maj 1993, duke qenë 5 pikë mbi Teutën – Nënkampione. Emrat më të spikatur të tij ishin Avenir Dani e Ilir Shulku, Alban Tafaj e Adnan Ocelli, Nikolin Çoçlli e Artan Bano, Ylli Shehu e Edmond Dosti – kryeshënuesi i Kampionatit me 21 gola. Gjithçka ishte edhe vepër e trajnerëve Sulejman Starova, Musa (Muç) Fagu e Hasan Lika. Ndërkaq, historia na thotë se mbas Partizanit e Teutës – janë renditur Besa e Kavajës, Vllaznia e Shkodrës, KS Elbasani dhe Dinamo e Tiranës – sot të katërta në Kategorinë e Dytë, çka do të thotë se janë jashtë Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë. Kujtoj se ai i vitit 1993 ka qenë një ndër Kampionatet më tërheqës me plot 16 skuadra pjesëmarrëse. Kur edhe skuadra e fundit, e 16-ta që ishte ajo e qytetit të bukur të Pogradecit, kishte fituar 21 pikë me sistemin e 2 pikëve për fitoren. Dhe sot, ju veni buzën në gaz, e madje thoni që Kampionati nuk ka nevojë për ndryshim!? … Teuta e ka fituar titullin mbas 12 muajve, më 30 prill 1994. E ka fituar me 4 pikë më shumë se SK Tirana.

“Heronjtë” e saj kanë qenë Xhevahir Kapllani e Kujtim Shtama, Ardian Abazi e Eugen Xhakoni, Artan Vila e Anesti Qendro, Bajram Fraholli e Ilir Alliu, Alban Mehmeti e Ardian Dashi, Alvaro Zalla, Elton Koça, Dashamir Disha e Ilir Bushi. Trajneri i tyre ka qenë Ballgjini i Dytë i futbollit, vëllai i Shyqit, Haxhi Ballgjini. Më fort se askush i nxiste vëllai i tyre, Azem Ballgjini – për një kohë jo të shkurtër madje, gazetar – bashkëpunëtor i “Sportit Popullor” (“Sporti Shqiptar”). Nuk mund të merret sot me mend gëzimi i madh i qytetit të Durrësit, asi lloj gëzimesh shpirtërore qytetare që blaton sporti, të cilat sot me organizmat tuaja të ngushta, ju thuajse i keni shuar…

Kaq sa për një kujtesë të shpejtë. Nuk di a do të vazhdojë dueli Partizani-Teuta. Aq më tepër kur mendon se aty poshtë tyre janë KF Kukësi e Skënderbeu, KF Laçi e Flamurtari me jo pak synime, ndonëse në ditë të vështira…

Po të vazhdojë dueli Partizani-Teuta, mendja më thotë se do të jetë vërtet diçka e bukur. Gjithnjë me shpresë se stadiumet e tyre do të mbushen “plot e përplot” siç thoshte Anton Mazrreku. Disa shenja u dhanë këtë javë. Ndoshta në dy ndeshjet e tyre gjysma e tribunave qenë mbushur. Mirë për kohën tronditëse që përjetojmë. Sepse e dini që kemi përfunduar me shifra që rrallë, shumë rrallë, i kalojnë 1000 spektatorët në ndeshje! A vërtet Kampionati i 10 skuadrave 2019 të Shekullit XXI, të Shqipërisë së fikur gati në të gjitha mjediset e mosgjallërisë së saj, nuk paska nevojë për ndryshime?… E dimë, shteti apo qeveria, ministria apo bartësi i shpirtit olimpik që është KOKSH, nuk po ndërhyjnë ngaqë ju kanë harruar. Mirëpo, logjika të thotë se kjo nuk do të mund të vazhdojë kaq gjatë…

SHËNIM: Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"