Kryebashkiaku i Kavajës merr në dorë frenat e skuadrës. Josa: Ja arsyet që me bindën për të drejtuar Besën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2024 | 11:38

Kryebashkiaku i Kavajës merr në dorë frenat e skuadrës. Josa: Ja arsyet që me bindën për të drejtuar Besën

Fisnik Qosja, kryebashkiaku i Kavajës ka marrë në dorë frenat e Besës për sezonin e ri. Gjatë fushatës zgjedhore, ai publikisht pat premtuar rikthimin e Besës në Superiore dhe duket se sezoni i ardhshëm do jetë edhe plotësimi i premtimit të tij me Besën në Superiore.

qosja, josa, bizhdili besa

Puna ka nisur me vrull duke paraprirë me hapat që kërkon arritja e një suksesi. Guri i parë i themelit është emërimi i një trajneri si Mirel Josa, i cili u prezantua pikërisht dje në Bashki. Në krah të kryebashkiakut Fisnik Qosja e presidentit Nexhat Bizhdili, ishin dhe 3 prej ikonave të futbollit kavajas, ish-portieri Haki Arkaxhiu, ish-qendërmbrojtësi Agron Karriqi dhe ish-goleadori i shquar Dashnor Bajaziti. Si apel e demonstrim i qartë i asaj çfarë ka qenë Besa ndër dekada e domosdoshmërinë për t’u rikthyer aty ku e ka vendin. Jo vetëm Mirel Josa, por është plotësuar i gjithë stafi teknik që do të udhëheq verdhezinjtë. Në krah të Josës do të jenë përsëri dy ndihmësit e Dorjan Bubeqi, kosovari Fidaim Haxhiu dhe Ylli Teliti. Ndërkohë, ish-trajneri Dorjan Bubeqi do të jetë drejtori teknik i Besës dhe njëkohësisht edhe drejtor i Akademisë së Besës.

Fisnik Qosja – Kryebashkiaku Qosja po tregohet vërtet fisnik lidhur me angazhimin e tij për fatet e futbollit kavajas. Në prezantimin e tij, Qosja mes të tjerash tha:Gjatë fushatës e çdo ditë nga koha kur kam marrë detyrën, në zyrë, në rrugë, në kafe e kudo qindra kavajas pyetjen e parë që më bëjnë është e lidhur me fatet e Besës. Ata e kanë në lëkurë futbollin dhe janë koshientë dhe mendoj se kemi zgjedhur një trajner kampion si Mirel Josa. Problemet teknike i takojnë atij, Bizhdilit e stafit, por si bashki do të bëjmë përtej mundësive tona që ekipit të mos i mungojë asgjë, duke nisur nga infrastruktura, akomodimi e gjithçka që do t’i shërbejë suksesit.

Vitin tjetër, pra në tetor 2025, Besa mbush 100 vite dhe uroj e shpresoj që këtë përvjetor ta përjetojmë duke parë Besën të garojë në Superiore”. Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, kryebashkiaku Qosja shkroi: “Urime dhe shumë suksese Mirel Josës në drejtimin e ekipit tonë të zemrës, Besës së Kavajës! Hap i parë drejt kthimit të Besës në vendin që i takon, në majat më të larta të futbollit shqiptar. Me ndihmën e Zotit dhe me punën e palodhur e të gjithë stafit teknik dhe Bashkisë, do ta bëjmë realitet këtë ëndërr për kënaqësinë e të gjithë tifozëve të zjarrtë të Besës! Së shpejti me lajme të mira për stadiumin Besa! Ditët më të mira janë përpara”.

besa

Mirel Josa – Pasi është prezantuar si trajneri i Besës, Mirel Josa në prononcimin që dha për “Panorama Sport”, tregon arsyen pse pranoi ofertën e Bizhdilit, si dhe projektin që kanë kavajasit për sezonin e ri.Presidenti Bizhdili më kontaktoi në 1 qershor dhe më pas u ulëm për të shtruar secili kërkesat e veta. Së pari, Bizhdili më garantoi super-financa dhe projektin për të ndërtuar një grup me futbollistë cilësorë e përvojë, ku dy të parët mi bëri të ditur, Mazrekaj e Goxhaj. Një arsye plus për të pranuar, ishte fakti se Besa do t’i luajë ndeshjet e kampionatit në stadiumin e Egnatias, që ka kushte ideale, por edhe duke qenë afër Kavajës ka mundësi që tifozët të jenë të shumtë”, u shpreh shkurtimisht Josa për “Panorama Sport”.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"