Kryebashkiaku Qosja: Te kjo Besë kam vënë fytyrën time. Bizhdili: Do të jetë viti ynë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2024 | 11:50

Kryebashkiaku Qosja: Te kjo Besë kam vënë fytyrën time. Bizhdili: Do të jetë viti ynë

Si kurrë më parë në dekadën e fundit, që përkojnë me militimin e skuadrës kavajase në Kategorinë e Parë, nuk ka pasur përgatitje dhe plan të detajuar për Besën. Afrimi i një trajneri kampion si Mirel Josa u pasua në vazhdim me 9 përforcime cilësore, por edhe një pjesë e mirë e lojtarëve të sezonit të kaluar do të kontribuojnë për objektivin madhor të verdhezinjëve.

fisnik qosja bizhdili

Dje, në stadiumin e Luzit të Vogël, kavajasit startuan përgatitjet për sezonin e ri. Në këtë hapje sezoni ishin prezent edhe 9 afrimet e kryera deri tani në merkato, si dhe i gjithë grupi i lojtarëve që u mbajtën nga sezoni i kaluar. Përpara grupit të futbollistëve folën kryebashkiaku Fisnik Qosja, Nexhat Bizhdili si dhe trajneri Mirel Josa.

Kryebashkiaku- Fisnik Qosja, kryetari i Bashkisë Kavajë në fjalën e mbajtur para ekipit në prag të punës për sezonin e ri, mes të tjerash u shpreh: Ua kam premtuar bashkëqytetarëve të mi, si të parën gjë, ndërtimin e një Bese për Superiore. Te kjo skuadër kam vënë fytyrën time dhe do të bëj çmos që ekipit të mos i mungojë asgjë. Shpresojmë që nga mesi i shtatorit të nisim edhe ndërtimin e stadiumit të ri, pasi vitin tjetër kemi edhe 100 vjetorin e themelimit të Besës dhe dua që ta festojmë në elitë”.

besa stervitje me Josen

Presidenti- Nexhat Bizhdili, presidenti i Besës, përveç objektivit që ka klubi të sezon, u shpjegoi lojtarëve edhe axhendën e përgatitjeve verore. “Ashtu siç kam folur me secilin prej jush, ky do të jetë sezoni i Besës. Kemi marrë të gjitha masat për stërvitjen, akomodimin tuaj e gjithçka që i duhet një ekipi pretendent. 10 ditët e para do të stërvitemi këtu e më tej fazën përgatitore do ta zhvillojmë në qytetin e Korçës. Grupi ka një trajner kampion dhe futbollistë po kampionë, të cilët kanë vite karrierë mbi supe. Besoj fort këtë sezon. Së bashku, me të gjitha kushtet e krijuara, të mos harrojmë objektivin e vetëm që kemi, rikthimin në Superiore. Siç citoi dhe zoti Qosja, kthimin në elitë ta bëjmë me besimin dhe së shpejti do të luajmë në shtëpinë tonë”, u shpreh presidenti Bizhdili.

besa stervitje

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"