Krymi e Taipi për mesfushën shkodrane, Shtubina: Presim dy afrime cilësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2023 | 16:16

Krymi e Taipi për mesfushën shkodrane, Shtubina: Presim dy afrime cilësore

Vllaznia nuk e ka mbyllur ende merkaton e verës. Ajo vijon që të jetë në kërkim për të paktën edhe dy lojtarë. E mesa mësohet ajo është në pritje të një dysheje të mesfushës. Një gjë të tillë e ka deklaruar edhe vetë zëvendëstrajneri i Vllaznisë, Ndriçim Shtubina.

shtubina

Në një prononcim të shkurtër për gazetën ai është shprehur se: “Afrime do të ketë, por emra nuk mund të them. Por që do të vijnë lojtarë, kjo është e sigurt. Në mesfushë do të ketë të paktën dy lojtarë cilësorë”, tha Shtubina. Mesa mësohet, një prej lojtarëve që po përflitet dhe pritet të vijë është shkodrani Ardit Krymi. Gjithashtu po kërkohet për të gjetur një lojtar, që do të luajë në rolin e mesfushorit organizator. Te Vllaznia një lojtar i tillë po mungon.

Largimet e Jonuzit, Heriç, por edhe Markut sjellin boshllëk në këtë pozicion. Te Vllaznia me ardhjen e Krymit nëse bëhet e mundur mund të thuhet se është plotësuar numri i lojtarëve, që luajnë para mbrojtjes, pasi Alivoda e Boshnjaku janë dy lojtarë të tjerë, që kanë dhënë më të mirën me Vllazninë.

Collage Maker-05-Jul-2023-04-15-PM-8192

Nga sa mësohet, një prej emrave më të lakuar për të qenë pjesë e Vllaznisë, për të cilin s’ka munguar edhe interesimi i klubit është ai Gjelbrim Taipit. Pasi mbylli gjithçka me Kukësin, u prit që të zbarkonte shpejt në Shkodër, por mesa duket bisedimet nuk shkuan siç priteshin. Megjithatë, aktualisht të dy palët nuk i kanë mbyllur bisedimet dhe nuk përjashtohet mundësia që të gjendet një zgjidhje pozitive.

Por nga sa mësohet, stafi drejtues i klubit po shikon edhe emra të tjerë për këtë pozicion. Kryesisht po shikohet në tregun jashtë Kategorisë Superiore, ku pavarësisht se alternativat nuk mungojnë, drejtuesit po mundohen të tregohen të kujdesshëm në përzgjedhje.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"