Kthehen makthet e verës së kaluar, klubi i Superiores në… “ajër”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2023 | 20:09

Kthehen makthet e verës së kaluar, klubi i Superiores në… “ajër”

Në fundjavën e kaluar drejtuesit e Erzenit u përpoqën të sqaronin situatën që po kalon klubi në një takim që kishin me tifozët shijakas, të organizuar në stadiumin “Tofik Jashari”. Mirëpo, pasi kanë kaluar disa ditë nga ajo mbledhje, kur merrte pjesë edhe vetë kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana, e ardhmja e Erzeni është ende e paqartë.

erzeni kukesi

Shoqata KF Erzeni, që ka nën administrim klubi dhe që ka disa anëtari bordi, nuk ka bërë ende një hap konkret se si do të vijojë financimi i ekipit. Aktualisht mësohet se nuk ka garanci për vazhdimësinë, pasi edhe sponsorët që duan të mbështesin klubin, janë të paqartë sa i përket formës juridike të KF Erzenit. Bashkia Shijak është përpjekur të bëjë ditët e fundit rolin e negociatorit me aksionerët dhe sponsorët e sezonit të kaluar, për gjetjen e një zgjidhjeje të shpejtë.

Madje së fundmi është lakuar edhe kërkesa e një biznesmeni shqiptar që jeton në Australi për të blerë aksione në klub. Mirëpo, fakt është që tek Erzeni janë kthyer makthet e verës së kaluar, ku ekipi shijakas ishte i fundit që nisi organizmin dhe përgatitjet për Superioren.

Nuk dihet tashmë se kush do të jenë ata që do të financojnë skuadrën, stafi i ri teknik dhe sigurisht përbërja e ekipit, paçka se një pjesë e futbollistëve kanë kontratë edhe për sezonin e kaluar. Problemi më i madh janë financat, por në Shijak duhet zgjidhur fillimisht se kush do të administrojë klubin. Pritet të ketë sërish një mbledhje të iniciuar nga kryebashkiaku Arbana.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"