Kthehet Limani, rinovon për një sezon me bardheblutë
Mensur Limani do të jetë bardheblu edhe për një sezon. Mesfushori ka rinovuar dje, teksa ka nënshkruar një kontratë 1-vjeçare me skuadrën e Tiranës. Futbollisti kishte ditë në kryeqytet dhe, pas tratativave me klubin, ka gjetur akordin. Limani ka dalë në stërvitje gjatë seancës së pasdites, duke iu shtuar kështu organikës së bardhebluve një tjetër element cilësor. Në fakt, kosovari ka qenë në planet e skuadrës që me mbylljen e edicionit të fundit, por situata e vështirë ekonomike bëri që edhe firma të vononte. Megjithatë, me zgjidhjen e ngërçit financiar edhe lojtarët po binden, duke mos e menduar dy herë hedhjen e firmës mbi kontratë. Që prej së hënës në radhët e bardhebluve bashkë me Limanin janë shtuar në kontingjent edhe dy lojtarë të rinj. Ilirjan Çaushaj i është bashkuar skuadrës dhe pritet që brenda dy ditësh të firmosë një kontratë. Sakaq, edhe kroati Verdan Gerc duket se po e kalon me sukses provën, ndaj klubi është i gatshëm që t’i ofrojë një marrëveshje.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"