Kukësi eliminon Teutën e shkruan historinë. Gjici dhe Starova: Tani e duam këtë trofe!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2014 | 20:00

Kukësi eliminon Teutën e shkruan historinë. Gjici dhe Starova: Tani e duam këtë trofe!

Kukesi-Teuta 0-0, moment acarimiTEUTA-KUKËSI 0-1
GOLI: Boja 14′
TEUTA: Rizvani, Osmani (Idrizaj 71′), Ahmataj, Jakupi, Da Silva, Hodo, Batha, Dosti, Nika, Samb, Joel (Xhafaj 46′): Trajner. Ilir Biturku.
KUKËSI: Halilaj, Smajli, Brahja, Hallaçi, Allmuça, Progni, Hoxha, Cikalleshi, Malota, Boja (Hysa 88′), Izuçuku (Shameti 83′). Trajner: Sulejman Starova.
KARTONË TË VERDHË: Samb 6′, Hodo 67’/ Boja 6′, Izuçuku 72′, Progni 81′
VËZHGUES: Murteza Allkja
DELEGAT: Petrit Braja
GJYQTARET: Lorenc Jemini/ E.Doda dhe G.Qirici

MINUTAT
5′ Përplasje në fushë mes Hodos dhe Prognit, Jemini jep faull për Kukësin, por nxehen gjakrat, pasi Boja dhe Samb gati kapen me duart. Pasi qetësohet situata, arbitri i ndëshkon me të verdhë të dy lojtarët.
14′ Allmuça jep një asist perfekt nga mesi i fushës në hyrje të zonës për Bojan, i cili i lënë vetëm, përballë me portierin gjuan, duke shënuar 0-1.
18′ Da Silva fiton një faull në hyrje të zonës. Pozicion i volitshëm, godet Ahmataj, por mbi tra.
20′ Progni vërshon drejt portës, por në momentin e fundit rrëzohet në zonë nga portieri Rizvani, arbitri vazhdon lojën, teksa kuksianët kërkojnë penallti. Rast për moviolë.
22′ Sërish Ahmataj lëshon një predhë nga 30 metra dhe përsëri mbi tra.
32′ Cikalleshi merr një top nga e majta e sulmit, hyn në zonë dhe në momentin kur do të gjuante ndalet nga ndërhyrja në rrëshqitje e Osmanit. Kërkohet sërish penallti, por Jemini vazhdon lojën.
37′ Samb lë pas kundërshtarin, hyn në zonë, godet në fundore dhe topi përplaset në traversë.
49′ Në rrotullim e sipër Xhafaj godet, por është i vëmendshëm Halilaj, i cili pret i sigurt.
65′ Shënon Malota, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Kros në zonë, Brahja me kokë në shtyllë të dytë e kthen në qendër për Malotën, i cili shënon, por anësori ngre lart flamurin.
72′ Nika në rrëmujë e sipër në zonë, shumë pranë portës, godet me kokë, por çuditërisht jashtë.
73′ Dosti në hyrje të zonës godet, por sërish durrsakët nuk gjejnë kuadratin.
74′ Samb fare pranë portës godet dhe pret në pozicion Halilaj.
84′ Hodo lëshon një silurë nga 25 metra, pret në vështirësi gardiani kuksian.
90′ Kros në zonë, Xhafaj nga shumë pranë e prek me kokë, por topi mbi traversë.

Kukësi eliminon Teutën dhe shkon për herë të parë në historinë e vet në finalen e Kupës së Shqipërisë. Një gol i kamerunasit Pier Boja, shënuar që në pjesën e parë, por edhe fitorja 3-2 sigluar në ndeshjen e parë, kanë rezultuar decizive për vijimësinë e skuadrës së drejtuar nga Sulejman Starova në këtë kompeticion. Nga ana tjetër, Teuta nuk arrin të çajë mbrojtjen e ngjeshur të Kukësit, edhe pse pati raste pafund për të shënuar. Një super-Halilaj në portë dhe katërshja defensive e përbërë nga Malota, Brahja, Smajli dhe kapiteni Hallaçi, u bënë një digë e pakalueshme për sulmuesit vendës, të cilët më shumë se kurdoherë gabuan në finalizim.
Goli Ndeshja nisi e shpejtë dhe me skuadrat që më së shumti i mëshonin mesfushës, aty ku donin që të fitonin superioritet. Jo pa qëllim aty zhvillohen edhe duelet më të ashpra. Në një të tillë vijnë edhe “xixat” e para: Hodo ndërhyn disi ashpër ndaj Prognit, Jemini jep faull për Kukësin, por sulmuesi Boja ndërhyn duke kërkuar që Hodo të ndëshkohet. Nga ana tjetër, si për të sjellë baraspeshë, futet edhe Samb dhe plas sherri. Pas shuarjes së gjakrave, Jemini nuk fal asnjërin prej këtyre të fundit, duke i ndëshkuar me të verdhë. Më pas loja vijon me Teutën që kërkon golin, por duke lënë disi hapësira pas. Këtë gjë e shfrytëzon më së miri Allmuça, i cili jep një asist perfekt për Bojën. Ky i fundit del përballë Rizvanit dhe shënon golin e avantazhit. Shokohen vendësit, të cilët hidhen menjëherë në sulm, duke u munduar që të vënë në rrezik portën e Halilajt, por vetëm me goditje standarde. Nga ana tjetër, Progni pretendon për një penallti që, në pamje të parë, dukej sikur iu mohua nga Jemini. E njëjta gjë edhe pak minuta më vonë me Cikalleshin, i cili rrëzohet në zonë nga Osamani, por edhe këtë herë Jemini nuk vërshëllen për penallti. Në të 37-ën minutë është rasti i Teutës: Samb shmanget bukur në zonë, gjuan, por topi ndalet në traversë me Halilajn të dorëzuar. Këtu mbaron pjesa e parë.
Administrimi Fraksioni i dytë i lojës nis me ndryshime për vendësit. Biturku lë në dushe Zhoel, më i dobëti në fushë në pjesën e parë dhe provon të surprizojë me veteranin, Daniel Xhafaj. Është pikërisht ky i fundit që në minutën e 49-të rrezikon portën kuksiane pas një rrotullimi në hyrje të zonës. Teuta mundohet të organizohet, duke përdoruar më së shumti krahët, por funksionon vetëm i majti, ku Da Silva bëhet gjithë problematik. Sakaq, Kukësi mbrohet me shumë forca, aq sa në sy të bie fakti që edhe lojtarë si Progni apo edhe Cikalleshi vihen në shërbim të repartit defensiv. Në minutën e 65- të Kukësi shënon edhe golin e dytë, por anësori Qirici e anulon për pozicion jashtë loje të Brahjes dhe Malotës. Pas këtij momenti, në fushë është vetëm Teuta. Skuadra vendëse kupton se nuk ka asgjë më për të humbur dhe zhvendoset e gjitha në gjysmëfushën kuksiane. Janë sulme pafund dhe gjuajtje në drejtim të portës së Halilajt, por as Nika dhe as Samb e Daniel Xhafaj nuk arrijnë të gjejnë kuadratin, pavarësisht se kanë njëri pas tjetrit raste të pastra shënimi. Sakaq, pas 5 minutash shtesë, vjen edhe vërshëllima e fundit e Jeminit: eliminohet Teuta, teksa Kukësi shkon për herë të parë në finalen e kupës, ku e pret Flamurtari, skuadër që eliminoi dje kampionët në fuqi të Skënderbeut.

Starova ne Besa-Kukesi 0-1Starova: Finale historike, duam kupën
Tekniku i Kukësit, Sulejman Starova, e ka konsideruar si të merituar kualifikimin e skuadrës që drejton në finalen e Kupës së Shqipërisë, ndërsa premton se ekipi do të qëndrojë në këto ritme. Në fund të përballjes, Starova deklaroi se është i lumtur nga kualifikimi, ndërsa thekson se ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij.
Starova “Jam i kënaqur që skuadra arriti të fitonte edhe në Durrës dhe të kualifikohej në këtë finale historike. Ekipi luajti mirë dhe jam i kënaqur nga paraqitja e lojtarëve. Kishim ardhur në Durrës me ide të qarta për të luajtur futboll dhe për të fituar e kualifikuar. Kundërshtari na vuri disa herë në vështirësi, por sërish ditëm të mbroheshim mjaft mirë dhe t’ia dilnim pa pësuar. Goli i Boyas ishte shumë i rëndësishëm, duke përfshirë këtu edhe rezultatin e ndeshjes së parë, na dha qetësin e nevojshme për të përballuar kundërshtarin dhe për t’u kualifikuar në finale. Aty na pret një ndeshje shumë e vështirë përballë Flamurtarit, ku synimi ynë është që të mos e humbasim mundësinë për të ngritur trofeun. Skuadra vjen gjithnjë në rritje dhe kam besim se do të kemi një ecuri mjaft të mirë në këtë fundedicioni futbollistik. Tashmë që u kualifikuam në kupë, duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës që kemi për kampionat. Skuadra do të luftojë fort në të dyja frontet deri në momentin e fundit”, – përfundon Starova.

Takaj dhe Gjici50 milionë lekë për kupën, Gjici: E dua këtë trofe!
Pas ndeshjes së djeshme në Durrës ndaj Teutës, në dhomat e zhveshjes së Kukësit ka shpërthyer festa. Lojtarët kanë brohoritur në kor për fitoren, në një kohë që nuk ka munguar as togfjalëshi “kampionia, kampionia jemi ne”. Skënderbeu po bën hapa falsë në kampionat gjatë këtyre javëve të fundit dhe në këtë mënyrë, te skuadra kuksiane është rikthyer besimi se ata mund të synojnë të fitojnë titullin kampion duke përfituar nga kriza e korçarëve. Në momentin që futbollistët po festonin, në dhomat e zhveshjes së skuadrës ka hyrë presidenti i skuadrës, Safet Gjici, i cili u ka premtuar futbollistëve 50 milionë lekë të vjetër shpërblim për fitimin e Kupës së Shqipërisë. Pas takimit, Gjici u shpreh: “Ishte një kualifikim historik, skuadra e meritoi plotësisht të shkojë në finale, pasi luajtëm dy ndeshje shumë të mira. Përballja e dytë ishte shumë më e vështirë se ajo e një jave më parë në Kukës. Fatmirësisht gjetëm golin shumë shpejt dhe ditëm të menaxhonim avantazhin. Kjo do të jetë finalja e parë për skuadrën dhe kemi dëshirë të madhe për ta çuar trofeun në Kukës. Deri tani jam shumë i kënaqur me ecurinë e skuadrës dhe kërkoj të vazhdojmë kështu deri në fund”. Në lidhje me finalen ndaj Flamurtarit, presidenti kuksian thotë: “Tani na pret një ndeshje e madhe në finale dhe duhet të jemi gati për këtë supertakim. Do të jetë një sfidë mjaft e rëndësishme për skuadrën dhe qytetin tonë. Unë besoj se do t’ia dalim”.

BoyaHeroi Boja: I lumtur për golin historik!
Sulmuesi Pierre Boja ishte heroi i Kukësit në sfidën e djeshme ndaj Teutës, duke shënuar golin e fitores që i siguroi skuadrës kalimin në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në fund të takimit, kamerunasi u shpreh: “Më bëhet shumë qejfi që arrita të shënoja një gol mjaft të rëndësishëm për skuadrën, i cili na dha mundësinë që të kalonim në finale të kupës. Ishte një gol që na dha qetësi përgjatë të gjithë lojës, pasi kundërshtarit i duheshin dy gola për të kaluar. Ditëm të mbroheshim mirë dhe si përfundim morëm atë për të cilën kishim ardhur në Durrës. Shpresoj të fitojmë trofeun”, – përfundon Boja. Boja i ka shënuar tre gola skuadrës së Teutës në tri përballjet që këto ekipe kanë zhvilluar mes tyre gjatë tri javëve të fundit. Kamerunasi është duke kaluar një moment shumë të mirë te Kukësi, duke u shndërruar në një lojtar deciziv për skuadrën.

Gëzdari: Jemini gaboi fatalisht
Drejtori teknik i Kukësit, Edmond Gëzdari, në fund të sfidës deklaroi se ka rezerva për gjykimin, kryesisht mbi kryesorin Lorenc Jemini. “Kaluam me meritë në finale, pasi e mundëm kundërshtarin në të dyja ndeshjet. Kjo përballje ishte shumë e luftuar nga të dyja skuadrat. Teuta nga ana e saj u përpoq të na vinte në vështirësi, por ne ishim të mirorganizuar në fazën mbrojtëse dhe nuk e lejuam të shfaqej rrezikshëm. Mendoj se na u mohua një penallti e pastër. Më vjen shumë keq që Jemini, një nga gjyqtarët më të mirë të Shqipërisë, gabon në mënyrë fatale duke i mohuar penallti të pastër skuadrës së Kukësit. Megjithatë, e rëndësishme është që u kualifikuam, duke arritur objektivin që i kishim vënë vetës në këtë sfidë”.

“Ishim pa fat, luajtëm më mirë”
“Teuta dha gjithçka në këtë ndeshje, por i mungoi goli”. Kështu e ka perceptuar eliminimin nga Kupa e Shqipërisë numri dy i pankinës durrsake, Marko Biankini. Sipas italianit, skuadra luajti shumë mirë dhe krijoi raste pa fund, por nuk konkretizoi si duhet rastet e paraqitura. “Jemi shumë të mërzitur, pasi jemi eliminuar nga kupa. Skuadra luajti shumë mirë, por nuk mundi të shënonte, gjë që do të na çlironte. Goli i kundërshtarit na tronditi, sepse erdhi në fillimin e ndeshjes, por në të njëjtën kohë na dha më shumë nerv dhe grintë. Ishim përgatitur për ta fituar këtë sfidë dhe besoj se nga ana taktike dhe teknike skuadra ishte shumë në rregull. Manovrat tona sulmuese funksiononin, por për çudi topi nuk përfundonte në rrjetë. Kishim raste pa fund për të fituar, por ndoshta edhe për meritë të kundërshtarit, i cili ishte i mirëorganizuar, nuk mundëm të kualifikoheshim. Pavarësisht rezultatit, Teuta luajti më mirë se kundërshtari”, – deklaroi Biankini pas takimit.

Kukësi në finale, tani ka luftë për vendin e 4-t
Kalimi i Kukësit në finalen e Kupës së Shqipërisë fut në lojë (teorikisht) edhe vendin e katërt në renditjen e Kategorisë Superiore, i cili sipas rregullores së veprimtarisë futbollistike për këtë sezon mund të marrë pjesë në Ligën e Europës. Nga kampionati shqiptar luajnë në Kupat e Europës katër skuadra, tri vendet e para dhe skuadra që fiton Kupën e Shqipërisë. Por, nëse këtë trofe e fiton Kukësi, i cili aktualisht (më vonë nuk i dihet) renditet në vend të dytë, atëherë në lojë futet edhe vendi i katërt. Kështu, në nenin 72, pika f), thuhet shprehimisht: “nëse klubi i futbollit i renditur në vendin e 2-të (dytë) ose në vendin e 3-të (tretë) në klasifikimin e përgjithshëm përfundimtar të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, për Kategorinë Superiore, për sezonin futbollistik 2013-2014, fiton njëkohësisht edhe Kupën e Shqipërisë, atëherë klubi i futbollit i renditur në vendin e 4-t (katërt) në klasifikimin e përgjithshëm përfundimtar do të marrë pjesë në ‘UEFA Europa League’, në turin e parë paraeliminator”. Në këtë këndvështrim, nëse kampionati do të përfundonte sot dhe Kukësi do të kishte fituar kupën, atëherë në Europë do të shkonte edhe Partizani i vendit të tretë dhe Laçi i vendit të katërt. Gjithsesi, ka edhe tetë javë kampionat dhe në lojë për vendin e katërt është në garë edhe Teuta, e cila ka vetëm një pikë më pak (39), se Laçi (40).

Rizvani: S’e meritonim eliminimin
Kapiteni i Teutës, Bledian Rizvani, ka pohuar se skuadra nuk e meritonte eliminimin. “Jemi shumë të mërzitur që u skualifikuam. Ishim përgatitur për ta fituar këtë ndeshje, pasi ishte shumë e rëndësishme për ne, por kundërshtari qe vendosur mirë në fushë dhe nuk mundëm të çanim dot mbrojtjen e tyre. Kishim raste pa fund, por si gjithnjë nuk i shfrytëzuam si duhet. Humbëm një rast shumë të mirë për të arritur objektivin dhe tashmë duhet të përkushtohemi në kampionat”.

Kukësit i mohohen dy 11-metërsha
Fillimisht duhet thënë se arbitri ishte në një nivel të kënaqshëm, pavarësisht se nuk munguan edhe rastet për moviolë. Në fillim ishte minuta e 5-të, kur Hodo ndërhyri nga pas ndaj Prognit, por Jemini dha vetëm goditje dënimi për Kukësin, duke mos i nxjerrë kartonin e verdhë.Në minutën e 20-t, Progni rrëzohet në zonë nga portieri Rizvani, arbitri vazhdon lojën, teksa kuksianët kërkojnë penallti. Referuar moviolës dukej se arbitri kishte gabuar. E njëjta gjë pak a shumë edhe në minutën e 32-të me Cikalleshin, kur sulmuesi i kuksianëve u rrëzua në zonë pas ndërhyrjes së Osmanit. Pamjet televizive në këtë rast ishin më pak të qarta, pasi nuk dallohej qartë nëse mbrojtësi i Teutës e kishte prekur topin para këmbëve të sulmuesit apo jo. Gjithsesi, Jemini vijoi lojën.
LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"