Kukësi, firmos Cikalleshi dhe Hysa. Starova: Luçesku na vlerësoi, De Biazi na injoron…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2013 | 15:49

Kukësi, firmos Cikalleshi dhe Hysa. Starova: Luçesku na vlerësoi, De Biazi na injoron…

Cikalleshi, Gjici dhe Hysa gjate prezantimitKukësi ka zyrtarizuar dje dy blerjet e radhës: Sokol Cikalleshin dhe Vilfor Hysën. Ashtu siç dhe kishte paralajmëruar gazeta “Panorama Sport” një ditë më parë, presidenti Safet Gjici kishte lënë një takim me sulmuesin kavajas Cikalleshi. Nuk zgjati shumë biseda mes palëve dhe gjithçka u bë fakt i kryer, kështu që lojtari firmosi një kontratë 1- vjeçare me të drejtë rinovimi edhe për një sezon. E njëjta gjë ndodhi edhe me tiranasin Hysa, i cili vjen pas aktivizimit te Kastrioti. Sulmuesit arritën marrëveshjen me klubin, duke pranuar edhe një klauzolë që ka të bëjë me objektivat. Kështu, lojtarëve do u mbahet 20% e kontratës, nëse në fund të sezonit Kukësi nuk arrin të fitojë titullin kampion.
Hysa – Pas një tentative në janar dhe grumbullimit me Kukësin në Tivar të Malit të Zi, Hysa më në fund është bërë pjesë e skuadrës veriore. Në sezonin e kaluar marrëveshja me futbollistin nuk u arrit për shkak të kontratës që ai kishte me Vllazninë. “Kam komunikuar vazhdimisht me presidentin Gjici dhe e falënderoj që më priti dhe më dha mundësinë për të qenë pjesë e këtij Kukësi të mrekullueshëm. Do jap maksimumin tim, duke shënuar sa më shumë gola. Besoj se do kem stabilitet te Kukësi, pasi kohët e fundit kam lëvizur në disa ekipe. Dua të qëndroj gjatë këtu dhe të shkëlqej”, – është shprehur Hysa para mediave në prezantimin që klubi organizoi dje në drekë. Së fundmi sulmuesi shtatshkurtër është stërvitur te Kastrioti, por pa firmosur për klubin krutan.

Cikalleshi: Ja pse më bindi Kukësi para Partizanit & CO
Dilema të shumta për ekipin e ri, “sirena” nga jashtë Shqipërisë dhe si përfundim një kontratë te Kukësi. Sokol Cikalleshi ka firmosur pa mëdyshje për klubin verior. Fantazisti kavajas tregon në një intervistë për “Panorama Sport” arsyet pse zgjodhi të vazhdonte karrierën te Kukësi, por jo vetëm. “I kisha dhënë fjalën presidentit Gjici”, – thotë ndër të tjera 23-vjeçari.
Sokol, pse zgjodhët klubin verior?
Kam qenë i dyzuar në këtë periudhë, por i premtova zotit Gjici se nëse vendos të luaj në Shqipëri, do të dëgjoj ofertën e tij fillimisht dhe më pas do them fjalën përfundimtare. Bisedimet që kisha me klubet e huaja nuk u konkretizuan dhe e mblodha mendjen për të shqyrtuar ofertat e klubeve shqiptare. Sot (dje) takova presidentin dhe firmosa pa hezitim. Kukësi tashmë nuk është një skuadër e panjohur. Ky klub i ka bërë krenarë të gjithë me arritjet në Europë dhe unë dua që të shpallem kampion në sezonin e ri. Jam gati të luaj që në ndeshjen ndaj Trabzonsporit.
Kush nga klubet e tjera shqiptare ju ka bërë ofertë?
Para ndeshjeve të Ligës së Kampioneve kam pasur një interesim nga Skënderbeu, ndërsa më pas nga Partizani dhe Tirana. Bisedimet me këto klube nuk ecën ashtu si unë dëshiroja dhe në këtë mënyrë Kukësi më bindi më shumë, qoftë për anën financiare, qoftë për ambiciet që ka. Nuk mund ta refuzoja ofertën e klubit verior, sepse ishte konkrete dhe s’krahasohej me të tjerat.
Cili është ndikimi i Starovës në këtë transferim?
Nuk mund ta përcaktoj, por e falënderoj profesor Starovën për konsideratën që ka. Si ai, ashtu edhe presidenti Gjici më kanë vlerësuar shumë. Gjithashtu më duhet të falënderoj edhe trajnerin Cungu. Do të justifikoj gjithçka me paraqitjen time në fushë.
Cili është miku juaj më i mirë te Kukësi?
Shumicën e çunave i njoh, pasi kam qenë edhe në skuadra të tjera. Dua të veçoj mbrojtësin Peqini, me të cilën kam më shumë miqësi, por nuk mund të lë pa përmendur edhe Prognin, Allmuçën etj.

Gjici SafetGjici: Kritikat e Halilit? Dikur luanim me… Luzin
Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka thënë ndër të tjera se klubi po punon në shumë aspekte dhe nuk ka kohë për polemika e deklarata boshe në media. “Siç e shihni, unë s’kam asnjë ditë pushim, pasi po merrem intensivisht me ekipin. Dy blerjet e fundit janë shumë të rëndësishme për ne. Synimi im është kalimi i këtij turi dhe krijimi i një ekipi me 18 titullarë. Kemi shanse për kualifikim me Trabzonsporin. Madje unë këto shanse i vlerësoj 60 me 40 për Kukësin”, – ka thënë fillimisht Gjici. Duke u ndalur te deklarata e kryebashkiakut Hasan Halili, kreu i klubit u shpreh: “Jam gati të bashkëpunoj me këdo për hir të ecurisë së mbarë të Kukësit. I ftoj të gjithë, që nga kryebashkiaku, e deri tek tifozi më i thjeshtë, që në këtë sfidë të madhe që kemi me turqit, të jemi në stadium dhe t’i japim forcë ekipit. Është momenti që të lëmë debatet dhe të japim shembuj konkretë se e duam ekipin dhe Kukësin. Kush e ndien veten kuksian, është me skuadrën në stadium. Kush do të bëjë polemika, le të vazhdojë. Unë po punoj, po investoj dhe objektivi im është të kalojmë edhe këtë tur. Kush do të bëjë deklarata që synojnë dëmtimin e ekipit, le të vazhdojë ta bëjë. Për hir të Kukësit dhe kualifikimit të mundshëm, jam gati të ulem të bisedoj me të gjithë ata që e kanë ndihmuar dhe do ta ndihmojnë Kukësin. Është koha për ta treguar se e duam Kukësin, ndryshe do jetë vonë. Tifozët dhe mbarë opinioni sportiv e dinë se sa kam bërë unë për futbollin. Dikur luhej më Luzin, pa dashur ta fyej këtë ekip, ndërsa sot eliminohet Flora, Sarajeva dhe Metalurgu. Këto janë vepra, fjalët e tjera i merr era”.

Cungu dhe StarovaStarova: Luçesku na vlerësoi, De Biazi s’denjon të na shikojë
Drejtori teknik i Kukësit, Sulejman Starova, ka komentuar dje për “Panorama Sport” deklaratën e një prej trajnerëve më të shquar në Europë, Mirçea Luçesku, në lidhje me klubin verior. Kreu i pankinës së Shahtjor Donjeckut e vlerësoi shumë Kukësin dhe kjo për Starovën është një sadisfaksion i madh. “Kur vlerësimet dhe komplimentet vijnë nga një trajner i madh si Luçesku, është gjithashtu një sadisfaksion i madh edhe për ekipin e stafin tonë teknik. Këto vlerësime tregojnë se edhe në Shqipëri ka futboll, investime dhe arritje. Ekipi ynë është shembulli më i qartë. Këtu ka lojë korrekte, ka stërvitje dhe rezultate. Normalisht që pas gjithë këtyre vijnë sukseset tona. Arritja në fazën play-off të Ligës së Europës tashmë po vlerësohet edhe nga figura të futbollit europian”, – ka thënë fillimisht Starova. Ndërkohë, “Bobi” nuk ngurron të kritikojë trajnerin e Kombëtares, Xhani De Biazi. Sipas tij, italiani duhet që të paktën të jetë në stadium në ndeshjet e Kukësit, edhe pse ekipi ndoshta nuk ka lojtarë në Kombëtare. “Është e drejtë e trajnerit të përzgjedhë lojtarët që ai mendon për fanellën e Kombëtares, por kritika ime është se ai nuk ishte në asnjë ndeshje që ne zhvilluam në Ligën e Europës. Për mua, kur një ekip ka arritje kaq të mëdha sa tërheq edhe vëmendjen e të huajve, nuk ka sesi të mos tërheqë vëmendjen e trajnerit të përfaqësueses shqiptare. Uroj që këtë herë të jetë në stadium, pasi kjo është edhe nxitje e motivim për ekipin tonë”.
Analiza – Drejtuesit e klubit kuksian dje, në orën 15:00, kanë zhvilluar një analizë me pjesëtarët e stafit teknik. Në fokus ka qenë pragndeshja ndaj Trabzonsporit. Presidenca dhe stafi kanë vendosur si synim afatshkurtër fitoren në Tiranë. Jashtë vëmendjes nuk kanë mbetur as problemet e organizimit të ndeshjes.

Bratiç dhe Telushi, pranë zyrtarizimit te klubi verior
Kukësi pritet të zyrtarizojë sot edhe afrimin e dy mesfushorëve që mbyllën sezonin te Flamurtari, Davor Bratiç e Bruno Telushi. Dje menaxheri që përfaqëson lojtarin kroat ka biseduar me presidentin Gjici dhe sot është lënë takimi përfundimtar për të bërë fakt të kryer transferimin. Nga ana tjetër, po dje vlonjati Telushi është takuar me drejtuesit dhe ka rënë parimisht dakord. Gjasat janë që mesfushori të prezantohet sot. Në klubin verior përflitet edhe një blerje tjetër, teksa bëhet fjalë për një lojtar shqiptar që ka arritur të provohet deri te Çelsi në Angli. Emri i tij ende nuk bëhet i ditur nga drejtuesit. Ndërkohë, mësohet se klubi do të federojë për ndeshjet e Ligës së Europës ndaj Trabzonsporit edhe blerjet më të fundit, Cikalleshi e Hysa, krahas Dragoit dhe Smajlit, që firmosën pak ditë më parë. Ndërkohë, në stërvitjen e djeshme në Kamzë kanë qenë për herë të parë në fushë të katra blerjet e deritanishme të Kukësit.

Mbërrijnë ofertat e para për shitjen e së drejtës TV
Nis interesimi për shitjen e së drejtës televizive të transmetimit të ndeshjes në Tiranë, Kukësi-Trabzonspor, që do të luhet më 22 gusht në “Qemal Stafa”. Menaxherë të huaj kanë kontaktuar këto ditë me drejtuesit e klubit. Ata kërkojnë autorizim nga klubi për të operuar në treg dhe për të dhënë ofertën më të mirë. Nga ana e vet, klubi e ka dhënë autorizimin dhe pret me shkrim ofertën zyrtare. Nëse drejtuesit e Kukësit do të mbeten të kënaqur nga oferta, atëherë kompania do ketë të drejtën e transmetimit televiziv të takimit të parë. Duke përjashtuar ndeshjen me Sarajevon, takimet e tjera në Tiranë, por edhe tri sfidat jashtë fushe, nuk janë transmetuar nga asnjë kanal televiziv shqiptar. Asnjë prej televizioneve më të dëgjuara në vend nuk ka bërë një ofertë bindëse për transmetimin e ndeshjeve.
JONUZ HALLAÇI / JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"