Kukësi ka një tjetër miqësore, Hallaçi: Testi final për lojtarët, gjërat e mira nuk bëhen për 10 ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2023 | 14:48

Kukësi ka një tjetër miqësore, Hallaçi: Testi final për lojtarët, gjërat e mira nuk bëhen për 10 ditë

Kukësi i këtij sezoni po riformatohet nga e para dhe kjo detyrë e vështirë i lind trajnerit Rraman Hallaçi. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, tekniku pohon se me durim dhe punë Kukësi do të rikthehet sërish në nivelet e larta. Sa i përket sfidës me Fushë-Kosovën, ku skuadra e tij fitoi minimalisht, Hallaçi pohon se skuadra tregoi dy tablo në fushë, teksa në pjesën e dytë priste diçka më shumë nga lojtarët që aktivizoi.

Hallaçi

“Si test i dytë mendoj që deri diku jam i kënaqur, por kemi ende shumë gjëra për të rregulluar në dy fazat e lojës. Pjesa e parë ishte pak më e qartë në qarkullimin e topit dhe daljet nga krahët ishin të mira me veprime të shpejta. Skuadra u soll mirë për sa i përket rreshtimit taktik. Në pjesën e dytë u dhashë të gjithëve mundësinë për të shprehur aftësitë e tyre. Skuadra kundërshtare në pjesën e dytë na vuri shumë në vështirësi, lamë shumë hapësira në disa momente. Dëshira nuk mungoi, por në pjesën e dytë prisja pak më shumë nga skuadra”, u shpreh fillimisht Hallaçi.

Më tej, trajneri pohoi se me Elbasanin të shtunën është testi final për të bërë përzgjedhjen e lojtarëve që do të mbajnë në skuadër për këtë sezon, në një kohë kur nuk lejohen më lojtarë të tjerë të vijnë për t’u provuar. “Mendoj se me Elbasanin të shtunën është ndeshja e fundit për sa u përket përzgjedhjeve të lojtarëve. Më pas fillojmë të harmonizojmë sa më shumë skuadrën, pasi jemi në ndërtim”, vijoi më tej tekniku i Kukësit, që e konsideron testin me verdheblutë si provën gjenerale për ata që do të marrin “viston” për të qenë pjesë e skuadrës këtë sezon.

Në fund, së i përket ndërtimit të ekipit dhe atë që i pret këtë sezon, Hallaçi tregohet i sinqertë që i pret një sfidë jo e vogël përpara, por me durim do ta kthejnë skuadrën në nivele të larta. “E kam të qartë që na pret një sfidë shumë e madhe, por do të jemi të kujdesshëm hap pas hapi. Kukësi ka një histori dhe një tifozëri që duhet respektuar. Ndonëse nuk jemi në ditët më të mira për momentin, por të mos harrojmë që kemi bërë historinë dhe do ta rikthejmë skuadrën përsëri në nivelet e larta. Duhet shumë durim, gjërat e mira nuk bëhen për 10 ditë, duhet pak kohë”, u shpreh për gazetën pas ndeshjes tekniku i Kukësit, Rraman Hallaçi.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"