Kukësi kthen faqen te kampionati: Rinovon Halili dhe Hallaçi, firmos mbrojtësi Shameti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2013 | 12:36

Kukësi kthen faqen te kampionati: Rinovon Halili dhe Hallaçi, firmos mbrojtësi Shameti

Bratic prezantohet te KukesiKukësi ka zyrtarizuar dje rinovimet e para të kontratave, por edhe një afrim të ri. Menjëherë pas kthimit nga Turqia, presidenti Safet Gjici nuk ka pritur, teksa në mëngjesin e së premtes ka ftuar në takim kapitenin Rrahman Hallaçi dhe dy portierët Argen Halili e Ervis Koci. Fillimisht ka nënshkruar Hallaçi dhe, pas tij, portieri i dytë, Koci. Më pas, surpriza ishte vlonjati Halili, i cili u dha fund hamendjeve për një largim të mundshëm drejt kampionatit polak. Tre futbollistët firmosën kontrata 1-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër sezon. Në një nga pikat e kontratave të nënshkruara dje kishte një klauzolë, që lidhet me synimet e klubit. Lojtarëve do u mbahet 20% e pagës në rast mosfitimi të titullit kampion. Ndërkohë, në mbrëmje shuajti çdo dilemë edhe mbrojtësi i majtë, Gentjan Manuka, i cili pranoi të rinovonte kontratën edhe për një sezon. Te Flamurtari e prisnin, por ai zgjodhi sërish Kukësin.
Blerja – Ylli Shameti ishte risia e ditës së djeshme. Mbrojtësi gjirokastrit bëhet afrimi i gjashtë në këtë merkato pas Dritan Smajlit, Kristian Dragoit, Sokol Cikalleshit, Vilfor Hysës dhe Davor Bratiçit. Pas takimit kokë më kokë me presidentin Gjici, qendërmbrojtësi firmosi për një vit, me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër. Shameti vjen pas aktivizimit me Luftëtarin, Besën, Kastriotin dhe Shkumbinin. “Jam i lumtur që kam arritur të firmos për Kukësin. Falënderoj presidentin Gjici dhe stafin teknik për besimin që më kanë dhënë. Do të justifikoj gjithçka me paraqitjet e mia gjatë kampionatit. Së fundmi kam qenë i dyzuar, pasi kisha një mundësi për të luajtur në Itali, por më mirë që ndodhi kështu. Ky Kukës nuk mund të refuzohet”, – deklaroi mbrojtësi menjëherë pas zyrtarizimit të kontratës me klubin.
Largimi – I vetmi që nuk ka nënshkruar nga lojtarët e thirrur dje, ka qenë mbrojtësi i djathtë, Roland Peqini. Klubi i ka ofruar elbasanasit një kontratë më të mirë se ajo e sezonit të kaluar, por lojtari nuk ka firmosur, duke zgjedhur kalimin te Tirana. Largimi i Peqinit duket se vjen për shkak të afrimit të Smajlit në pozicionin e tij. Lojtari elbasanas ka kërkuar garanci për vendin e titullarit, por me sa duket kjo ka qenë e pamundur.

Alikaj-Allmuça
Enkel Alikaj dhe Igli Allmuça duket se kanë pak shanse për të rinovuar kontratën me Kukësin. Afrimet gjatë merkatos duket se kanë ndikuar në ngushtimin e hapësirave, por gjithsesi presidenti Safet Gjici ka deklaruar se do t’u ofrojë kontratë të gjithë lojtarëve që ishin të grumbulluar në ndeshjet e Ligës së Europës. Sot pritet të jetë ditë vendimtare për rinovimet e kontratave.

Gjici me presidentin e Trabzonsporit, i ben dhurate nje cifteli te vogelNga “turku” Starova, te keqardhja për Skënderbeun
Enisur si një ëndërr e pabesueshme, aventura e Kukësit përfundoi në Turqi. Skuadra shqiptare zhvilloi të parin takim në kompeticionet europiane, pikërisht pranë detit Balltik në Estoni ndaj Flora Talin. Ndërsa dy ditë më parë mbylli gjithçka në breg të Detit të Zi kundër Trabzonpsorit. Për të mbërritur në stadiumin “Husein Avni Aker”, që ndodhet në mes të qytetit të Trabzonit, autobusi me ekipin e Kukësit duhet të bëjë disa dredha të forta për shkak të afërsisë që godinat kanë me njëra-tjetrën. Në një kohë që në vijën bregdetare askush s’ka guxuar të ndërtojë, anës stadiumit janë turqit tradicionalë në stola të ulur, duke luajtur tavëll dhe duke pirë çaj. Përshëndetjet për ekipin janë pa fund. Stadiumi është modeli i deritanishëm që delegacioni i Kukësit ka parë. Fitorja ndaj Interit është krenaria e klubit turk dhe kjo është stampuar në shumë foto gjigante. Befasia e parë në hyrje të stadiumit është Kenan Ygush, zv.shef i Policisë së Trabzonit. “Jam shqiptar nga Prishtina. Nuk di mirë shqip, por prindërit e mi janë nga Prishtina. Unë jam rritur këtu. Ishalla fitore Kukësit”, thotë Kenan. Lidhjet shqiptaro-turke gjenden edhe në Anadollin e largët. Drejtori teknik i Kukësit, Sulejman Starova, një stërnip Stambolli, komunikon edhe në turqisht me mikpritësit. Ai ka një lidhje të vjetër më Turqinë dhe njohjet nuk i mungojnë. “Gjyshi, prej të cilit kam trashëguar emrin, ka qenë student në Turqi dhe është njohur me gjyshen time turke, më të cilën u martua. Më pas, gjyshi u bë ministër i Zogut dhe gjyshja ndërroi jetë. Ajo nuk e pa kurrë më Stambollin”, – u rrëfen turqve stërnipi i tyre.
Ndeshja Stadiumi është një arenë me vete. Tifozët, jo vetëm përkrahin ekipin e tyre, por nuk gjejnë asnjë fjalë të keqe për kundërshtarin. Madje, ata i gëzohen dënimit të rivalit të tyre Fenerbahçe për trukim ndeshjesh. Lajmi se Kukësi mund të jetë përfitues nga ky dënim, zgjon paksa shpresat e verilindorëve në fillimin e ndeshjes. Masat janë perfekte, teksa ka mikpritje dhe një rregull të jashtëzakonshëm. Të bën përshtypje se shumë policë janë femra. Ato janë përzgjedhur në pozicionin me shpinë nga fusha. Nuk ndodh në asnjë çast që të shohin ndeshjen, por vetëm publikun. Kukësi ndez shpejt betejën më një gol të Popoviçit. Në tribunën VIP janë vetëm 8 veta nga Shqipëria. Mes tyre ish-mundësi kampion dhe ish-presidenti i Kukësit, Lutfi Meçka. Ky i fundit nuk përmbahet, megjithëse në këtë tribunë nuk ka ovacione. Edhe turqit tërhiqen nga thirrjet e Lutit, madje e inkurajojnë dhe i kërkojnë flamurin kombëtar dhe atë të FK Kukësit.
Atmosfera “Magjia” e tifozerisë është mbresëlënëse. Thirrjet shkojnë sa në njërën anë në tjetrën dhe ole-ja e famshme po ashtu. Turqit rikuperojnë shpejt në lojë e rezultat dhe Kukësit pak i mbetet për të shpresuar. Në minutën e 61-të, i gjithë stadiumi shpërthen në thirrje “ole”. Në fakt, nuk ka as gol dhe as rast për shënim. Turku që qëndron në krahun e delegacionit shqiptar, shpjegon se minuta e 61-të përkon me meridianin dhe vijën imagjinare që kalon në stadium. Sipas turqve, kjo është fatsjellëse dhe e rrallë. Bukurinë natës së magjishme ia shtojnë edhe tufat me pulëbardha që vijnë pa ndërprerë. Në fund të ndeshjes, edhe Kukësi arrin të marrë duartrokitje nga tifozët. Trajneri turk përqafon Cungun, ndërkohë që ka urime edhe për Starovën e Gjicin.
Skënderbeu Pas ndeshjes, autobusi niset nga stadiumi dhe mbërrin menjëherë në aeroport. Koha e mbërritjes përkon me shtesën e ndeshjes së Skënderbeut. Gjithë lojtarët e Kukësit dhe stafi qëndrojnë në shkallët e aeroportit, duke vëzhguar ndeshjen nëpërmjet celularëve. Të gjithë e përcjellin me dhimbje humbjen e Skënderbeut nga penalltitë. Igli Allmuça, si një ish-lojtar i korçarëve, me telefonin e tij, por edhe të tjerë lojtarë, bëhen mbështetësit e largët të Skënderbeut. Nuk kalojnë shumë minuta dhe Kukësi nis udhëtimin gjatë brigjeve të Detit të Zi, për të mbërritur në 02:00 të mëngjesit në Stamboll. Pas katër orësh pushim u bë nisja për në Tiranë. Dita dhe nata ka qenë e lodhshme dhe në avion nuk është parë ambienti i gëzueshëm si udhëtimi drejt Trabzonit. Në aeroportin “Qemal Ataturk”, një grup vajzash të reja shqiptare, që studiojnë për Teologji në kryeqytetin turk, bëhen mikpritëset e para të lojtarëve kuksianë. Në avion kontakti i parë me shtypin turk, që nuk ka lënë jashtë vëmendjes ndeshjen e Kukësit. Mbërritja në Tiranë nuk është e njëjtë, të gjithë janë të lodhur dhe nxitojnë drejt familjeve të tyre për të pushuar.

SMAJLI DHE… HENRIKE
Pas përfundimit të ndeshjes në Turqi, mbrojtësi lezhjan Dritan Smajli i ka kërkuar bluzën sulmuesit Henrike, që arriti të shënonte dy gola në takimin e kthimit. Braziliani nuk ka hezituar që të shkëmbejë bluzën me Smajlin. Edhe disa lojtarë të tjerë kanë bërë shkëmbime bluzash. Nga ana tjetër, delegacioni që shoqëronte Kukësin ka bërë shkëmbime dhuratash një ditë para ndeshjes, ku sigurisht simbolet kombëtare ishin më të spikaturat.

MALUDA URON CUNGUN
Florent Maluda, lojtari i famshëm francez që shënoi golin e tretë në portën e Kukësit, pas ndeshjes ka uruar trajnerin Armando Cungu. Shumë i thjeshtë dhe dashamirës me kundërshtarët, ai nuk hezitoi të pozojë dhe të urojë njëherësh kreun e pankinës kuksiane. Vlen për t’u theksuar se mesfushori, që ka luajtur për Çelsin në Angli dhe që ka qenë pjesë e Kombëtares së Francës, është tashmë një idhull për tifozët e zjarrtë të Trabzonsporit.

BABAI I PROGNIT
Nga tifozët shqiptarë kishte udhëtuar në Turqi edhe Nikë Progni, babai i mesfushorit Gerhard Progni. Ai nuk i ndahet djalit të tij, që kur Gerhardi ka nisur të luajë futboll. Nika ka qenë basketbollist i Valbonës dhe Kombëtares, teksa e njeh mirë disiplinën dhe regjimin sportiv. Nga shkallët e stadiumit, jo pa emocione, ai dhe një familjar tjetër i Prognit kanë përcjellë ndeshjen. Drithërimat u shtuan më shumë në pjesën e dytë.

TrabzonsporiTrabzonspori rrezikon dënimin, shpreson Kukësi
Klubet turke Be shiktash dhe Fen erbahçe janë përjashtuar nga Gjykata e Arbitrazhit e UEFA-s nga Europa Liga, pasi faktet kanë treguar se të dy këto ekipe kanë trukuar ndeshje. Beshiktash është përjashtuar nga Europa Ligë pas 24 orëve të kualifikimit të tyre në fazën e grupeve, pasi Gjykata e Arbitrazhit (CAS) mori vendim që ta largonte ekipin turk nga turneu. Trupi i qeverisë europiane ka larguar skuadrën turke nga garat evropiane, sepse ata kanë qenë të përfshirë në skandale të trukimeve të ndeshjeve.
Kukësi – Nën hetim është edhe klubi i Trabzonsporit, i cili u kualifikua për në fazën në grupe pasi mundi dy herë Kukësin. Ka shumë gjasa që gjatë këtyre ditëve të ketë zhvillime të forta në kampin turk, pasi mediat vendëse dhe ato ndërkombëtare shtrojnë mundësinë që të penalizohen edhe dy klube të tjera turke për përfshirje në trukime, që në këtë rast do të ishin Gallatasaraji dhe Trabzonspori. Nëse ndodh kështu, atëherë Kukësi mund të fitojë të drejtën për të marrë pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Europës.
Vendimi – “Shqiponjat e zeza” e kanë kontestuar vendimin javë më parë, kështu që UEFA lejoi ekipin e Slaven Biliçit që të luajë në “play-off”, ku ata e mundën me rezultat 3-2 ekipin e Tromso të Norvegjisë të enjten, deri sa të merrej vendimi. Por, tani pas vendimit të gjykatës dhe rregullave të UEFA-s, do të thotë që skuadra norvegjeze do të ecë përpara në fazën e grupeve. “Pas marrjes së këtij vendimi, paneli i gjykatës e lëshoi këtë vendim”, – thuhet në deklaratën e CAS-së të lëshuar për media dje në mëngjes. UEFA ka përjashtuar Beshiktashin nga ky edicion i Europa Ligë, për shkak të trukime të ndeshjes. Klubi turk ka kontestuar vendimin në CAS. Në marrëveshjen mes palëve, CAS ka vendosur një afat kohor për një procedurë të përshpejtuar dhe qëndron prapa vendimit të UEFA-s, e cila kërkonte vendimin e tyre se a duhet lejuar Beshiktash të luajë në Europa Ligë. Në vijim vendimi është marrë nga UEFA dhe tani konfirmohet edhe nga CAS që Beshiktashi është përjashtuar nga sezoni i ri i Europa Ligës 2013-’14. Sot (dje) CAS gjithashtu ka vendosur që të largojë nga Europa Ligë edhe nga garat e tjera europiane ekipin tjetër turk Fenerbahçe për dy vite rresht, pasi është konfirmuar se kjo skuadër ka trukuar ndeshje për dy vite me radhë.

Apoel Nikosia zëvendëson
Fenerbahçen Më kot kanë shpresuar Skënderbeu dhe Kukësi se njëri prej tyre do të mund të ishte me fat jashtë fushe, në goglat e përziera të premten në mesditë në Nion të Zvicrës, ku UEFA ka caktuar në këtë mënyrë skuadrën që do vijojë më tej fazën e grupeve të Ligës së Europës në vend të Fenerbahçes, e cila u skualifikua në mënyrë përfundimtare nga CAS-ja nga çdolloj aktiviteti europian (për trukime). Korçarët dhe verilindorët janë eliminuar të enjten në fushën e blertë, respektivisht nga Çernomorets Odesa dhe Trabzonspor, ndërkohë që sot (dje) ishin sy e veshë nga UEFA se mos fati u qëllonte në derë. Por jo, sepse nga 31 ekipet e eliminuara nga faza e “play-off”-it, u shortua vetëm njëri prej tyre, i cili hyn automatikisht në fazën e grupeve. Qipriotët e Apoelit kanë rezultuar fatlumët, sepse gogla e përzgjedhur nga shorti ka pasur brenda emrin e tyre.
JONUZ HALLACI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"