Kukësi me listë spastrimesh, konfirmohen 2 të larguarit e parë
Pas fitimit të titullit kampion dhe festës e cila zgjati për disa ditë, të gjithë lojtarët e Kukësit kanë marrë pushime pas një sezoni të lodhshëm, i cili u konkretizua me sukses.
Por nëse lojtarët janë duke shijuar ditët e nxehta, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për presidentin Gjici dhe drejtuesit e tjerë të skuadrës janë duke menduar për merkato, pasi ndeshjet e Ligës së Kampionëve nuk janë shumë larg.
Natyrisht që gjatë kësaj periudhe në skuadër do të ketë afrime dhe largime. Lushtaku ishte i pari që vendosur të largohej, pasi nuk arriti të gjente shumë hapësira në formacionin e trajnerit Gjoka.
TË RINJTË – Numri i atyre që nuk do të vazhdojnë të jenë më pjesë e ekipit është shtuar. Burime të “Panorama Sport” kanë bërë me dije se aktualisht nga skuadra janë larguar edhe Bedri Greca dhe Klaudio Çema.
Greca ka pasur fillimisht hapësira në lojën e ekipit, por në fazën përgatitore e cila u zhvillua në Turqi gjatë muajit janar pësoi një dëmtim që e la për shumë kohë jashtë fushave dhe ndikoi në formën e tij. Futbollisti ende nuk është marrë dokumentacionin nga skuadra, çka nuk e bën të larguar zyrtarisht, por ai nuk do të jetë më pjesë e ekipit.
Në të njëjtën situatë është edhe mbrojtësi i talentuar, Klaudio Çema, i cili nën drejtimin e trajnerit Gjoka nuk është aktivizuar pothuajse fare.
Madje, në sezonin futbollistik 2015-2016 ai u huazua te skuadra e Tërbunit dhe u rikthye në fillimin e kampionatit të shkuar sërish te verilindorët, por qëndrimi në stol ka detyruar lojtarin që të zgjidhë kontratën me marrëveshje me klubin.
LISTA – Drejtuesit e klubit kampion mësohet të kenë përpiluar një listë me emrat e lojtarëve që janë aktualisht në ekip, por që nuk janë në planet e tyre për sezonin e ardhshëm.
Ata kanë kërkuar edhe konsensusin e presidentit Gjici për t’i larguar këta futbollistë. Por, fakti që Gjici ende nuk ka dhënë fjalën e fundit ka bërë që në këtë drejtim të ketë një stopim.
Mësohet se Gjici më parë do të bëjë një studim të situatës dhe do të marrë të gjithë kohën e mjaftueshme për të vendosur, nëse emrat e futbollistëve që ka në tavolinë do të largohen, apo do të qëndrojnë edhe në sezonin e ardhshëm në skuadrën e tij.
SKERDILAID SULOZEQI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"