Kukësi me pushime të gjata, rikthimi varet nga buxheti i ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2024 | 18:08

Kukësi me pushime të gjata, rikthimi varet nga buxheti i ri

Pas disa largimeve të lojtarëve, që u përfundoi kontrata në mbylljen e sezonit të fundit, në Kukës duket se ka rënë qetësia. Klubi ka marrë pushimet e plota dhe për një kohë të gjatë ndoshta do të qëndrojnë në pauzë, pasi deri në nisjen e Kategorisë së Parë ka ende kohë në dispozicion.

kukesi

Momentalisht po punohet vetëm për të mësuar se cilët nga grupi i vitit të kaluar do t’i qëndrojnë besnikë skuadrës edhe në të Parën, në mënyrë që të jenë të qartë rreth lojtarëve që do të kontaktojnë për t’i afruar në merkaton e verës. Kuptohet që çdo rënie nga kategoria shoqërohet edhe me lëvizje të shumta dhe për këtë arsye në klub s’janë shqetësuar shumë me largimet e ditëve të fundit.

SITUATA – Kanë kaluar plot 13 vite nga koha kur Kukësi ka qenë për herë të fundit në të Parën, pikërisht kur vinte nga Kategoria e Dytë me petkun e një klubi që e kërkonte Superioren me insistim. Tani gjërat janë përmbysur paksa, sepse zbresin nga elita një kategori më poshtë. Megjithatë, edhe pse situata nuk është e njëjtë me atë periudhë, gjasat janë që synimet të jenë të njëjta, do të kërkohet rikthimi në Superiore. Në klub i kanë të qarta objektivat, ngjitja në elitë është një kusht për këtë sezon, sepse sa më shumë kohë kalon në të Parën, aq më e vështirë bëhet më pas edhe ngjitja. Për këtë arsye, në Kukës do të provojnë gjithçka për gjithçka këtë edicion, duke u përpjekur që me buxhetin që do të kenë në dispozicion të krijojnë një skuadër kompetitive.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"