Kukësi pa asnjë portier në Kategorinë e Parë, skuadra e re nis nga gjetja e “gardianëve”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2024 | 14:31

Kukësi pa asnjë portier në Kategorinë e Parë, skuadra e re nis nga gjetja e “gardianëve”

Mbyllja e këtij edicioni, përveç largimeve të shumta, përkoi me rënien e Kukësit nga Superiorja. Gjithsesi, me letra verilindorët e kanë ende një bosht të ekipit që do të ndërtohet për Kategorinë e Parë.

kukesi

Kontratat afatgjata e mundësojnë këtë dhe deri tani asnjë lojtar nën kontratë nuk është larguar, edhe pse në të ardhmen nuk përjashtohet ndonjë “firo”. Kjo, pasi për disa prej tyre ka oferta dhe mund të shiten, ndërsa të tjerë edhe mund të dalin jashtë planeve për këtë sezon. Megjithatë, ajo që shihet si më imediate për momentin, është zyrtarizimi i një trajneri që të nisë nga puna, pasi mes Devollit dhe Kukësit për momentin janë “ngrirë” marrëdhëniet pas mbylljes së kampionatit. Gjirokastriti mbetet një kandidat potencial, ndërsa në skenë doli edhe emri i ndihmësit të tij te Kukësi, Oltion Kërnaja. Në vijim mund të qarkullojnë edhe emra të tjerë, për aq kohë sa Kukësi është pa një “timonier”.

PORTA – Sa i përket gjendjes së ekipit, i vetmi repart që klubi qëndron “zbuluar” është ai i portës. Kapiteni Anxhelo Tafas i dha lamtumirën pas katër vitesh kuksianëve, ndërsa edhe Kristian Rroku ndërpreu rrugët me klubin. Për këtë arsye, aktualisht në skuadër nuk ka asnjë gardian me të cilët klubi të nisë kampionatin. Ndaj, puna e parë që po bëhet aktualisht nga drejtuesit është të piketojnë portierët që mund t’i bashkohen. Fakti që bëhet fjalë për një skuadër të Kategorisë së Parë, ka bërë që në klub të mos nxitohen dhe momentalisht janë në fazën e përpilimit të listës së lojtarëve që mund t’i bashkohen.

Nuk flitet për emra të përveçëm, të paktën edhe gjatë këtij muaji kështu pritet të jetë dhe vetëm në korrik do të qartësohet më shumë situata. Siç dihet, klubet e së Parës në njëfarë mënyre janë të varura edhe nga merkato e Superiores, pasi shpesh herë përforcohen me lojtarë që nuk gjejnë vend në elitë. I tillë është edhe rasti i portierit, ndërkohë që po shihet edhe për ndonjë “okazion” në merkato me ndonjë gardian që mund të dalë i lirë.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"