Kukësi pret Albi Allën, Eni Imami revoltohet për rrogën qesharake
Albi Alla pritet të jetë “goditja” e radhës e Kukësit. Lojtari duhet që të marrë rrugën sot drejt Ohrit dhe të vihet zyrtarisht nën urdhrat e Mladen Milinkoviç. Sipas marrëveshjes që qendërmbrojtësi arriti me presidentin Safet Gjici, do të përfitojë dyfishim page (5 mijë euro konkretisht në muaj) për sezonin e ri dhe, në rast se ekipi kalon fazën e grupeve në Europë, automatikisht i rinovohet kontrata.
Në të kundërt, i lind e drejta edhe të largohet. Nëse gjithçka shkon pas planeve, atëherë ai do të jetë lojtari i tretë që mbetet “kuksian” pas Koliçit dhe Shametit. Fenomeni i kësaj vere rezultoi i suksesshëm për klubin.
IMAMI
Çdo lojtari që u “rebelua”, iu ofrua dyfishim kontrate. Por, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Eni Imamin. Ky i fundit vazhdon të ketë një pagë qesharake dhe ky fakt ka bërë që lojtari të kërkojë rishikim të marrëveshjes së firmosur në janarin e 2017-ës.
Edhe pse në fillimet e tij nuk gjeti fort hapësira (në kohën që ekipi drejtohej prej Duros), me ardhjen e Gjokës në stol, lojtari u kthye në një element të vlefshëm për krahun e majtë të mbrojtjes. Ndonëse numëron 1868 minuta, 24-vjeçari ka mbetur i nënvlerësuar te verilindorët, pasi, edhe pse ka zhvilluar një sezon mjaft të mirë, nuk është përfshirë në listën e lojtarëve që përfituan rritje page.
KËRKESA
Gazeta “Panorama Sport” mëson se Imami është i vetmi lojtar, ndër titullarët e Kukësit, që përfiton një pagë 500 euro në muaj, jo vetëm rroga më e ulët që japin verilindorët, por ndoshta e gjithë Superiores. Madje, 5 herë më pak se kolegu i tij Rrumbullaku, i cili gjithashtu luan në të majtë të mbrojtjes.
Duke parë formën e tij, por dhe atë çka lojtari premton të japë, u ka kërkuar rishikim page drejtueseve të Kukësit, në të kundërt do letrat për t’u larguar. Çështja qëndron te kontrata e mbrojtësit, e cila e lidh me Kukësin dhe për 1.5 vite të tjera. Imami, kur u bë pjesë e verilindorëve, nënshkroi për tri vite.
Drejtuesit nuk e lënë të lirë futbollistin, pasi ai është nën kontratë, por kërkesa për rishikim page i ka kaluar presidentit Gjici dhe ai do të vendosë për fatin e lojtarit. Imami ka ofertë nga Teuta dhe Vllaznia, por dhe ekipe të tjera në Superligë kanë shfaqur interes për shërbimet e 24-vjeçarit. Eni Imami ka qenë pjesë e Dinamos, Teutës e Laçit dhe që në moshë të re ka fituar titullin kampion me blutë në sezonin 2009-2010.
SKERDILAID SULOZEQI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"