Kukësi, sulmuesi nga Guinea shkëlqen në miqësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2012 | 13:41

Kukësi, sulmuesi nga Guinea shkëlqen në miqësore

Kukësi ka mundur dje me rezultatin 2-1 në fushën e vet Olimpikun në një miqësore ku prioritet kanë qenë dy portugezët e sjellë te veriorët për provë nga menaxheri Kosta Grillo. Mirëpo, nga ana tjetër, thuajse të gjithë lojtarët e Olimpikut kanë qenë në provë. Kukësi ka shfrytëzuar eksperiencën e një ekipi të Superiores, duke qenë superior në fushën e lojës. Fillimisht ka shënuar Suleiman Baio, i cili ishte nën vëzhgimin e stafit teknik. Më pas ka qenë po ky futbollist që ka dyfishuar rezultatin nga pika e bardhë. Olimpikasit kanë shkurtuar diferencën me një gol të Malollarit. Në pjesën e dytë, skuadrat respektive kanë bërë zëvendësime të shumta, gjithsesi rezultati përfundimtar mbeti 2-1. Testimi i dy lojtarëve nga kampionati portugez ka tërhequr vëmendjen e stafit të Kukësit, por dhe të presidentit Safet Gjici dhe zëvendësit të tij Flamur Hoxha, të cilët kanë parë nga afër lojën e tyre. Ashtu siç është deklaruar edhe më parë, Kukësi kërkon një sulmues dhe një mesfushor. Suleiman Baio, sulmues i mirëfilltë, vjen nga ekipi Tandala i Kategorisë së Dytë në Portugali; ndërsa mesfushori i avancuar Moisies Karlo Adecui nga ekipi Odivalesh i Kategorisë së Tretë. I pari, që ra më shumë në sy dhe që realizoi edhe dy gola, është lojtar i përfaqësueses së Guinesë. Ndonëse nuk pati një vlerësim përfundimtar për paraqitjen e tyre të parë, pasi ata do të jenë disa ditë në provë te Kukësi dhe të hënën me Partizanin, dy lojtarët nuk kanë bërë dallim nga ata aktualët. Ndoshta edhe për mosambientim të tyre si fillim ishin poshtë nivelit të lojtarëve aktualë të Kukësit, sidomos Adecui.
Jonuz Hallaçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"