Kukësi zhyt Vllazninë, “pushton” Shkodrën. Raineri: Pas Teutës, do shihni ekipin tim
VLLAZNIA-KUKËSI 1-2
GOLAT: Dibra 43′ / Pejiç 35′, Hysa 58′
VLLAZNIA: Selimaj, Gocaj, Beqiri, Sykaj, Boci, Dema (Tafili 56′), Shala, Hajdari (Kalaja 69′), Shtubina, Kruja, Dibra (Markolaj 82′). (në pankinë: Sherri, Vecaj, Marku). Trajner: Baldo Raineri
KUKËSI: Halilaj, Smajli, Dushku, Malota, Hallaçi, Lushtaku (Hoxha 63′), Hasani (Shameti 84′), Musolli, Zeqiri, Hysa (Periç 78′), Pejiç. (në pankinë: Bejte, Brahja, Allmuça, Gvozdenoviç). TRAJNER: Artim Shaqiri
KARTONË TË VERDHË: Dibra 20′, Shala 28′, Beqiri 45’/ Hallaçi 42′
DELEGAT: Petrit Brahja (Tiranë)
VËZHGUES: Sokol Jareci (Tiranë)
GJYQTARET: E.Jorgji (kryesor, Elbasan), R.Preça, E.Ganxhi (asistentë, Elbasan); Remzi Sadiku dhe Blerim Ziri (pas portave);MINUTAT
16′ Kapiteni i Kukësit, Hallaçi, kroson në zonë dhe aty Hysa i lirë devijon topin me të djathtën, që prek shtyllën e majtë pingule, e më pas shkon te Smajli, i cili gjuan, por këtë herë pret portieri Selimaj.
27′ Goditje këndi për Kukësin, Lushtaku kroson në zonë, Dushku godet me kokë dhe Selimaj bën mrekullinë, duke evituar një gol të sigurt.
28′ Lushtaku jep një asist fantastik për Pejiçin, i cili, i vetëm me Selimajn shpërdoron, duke goditur mbi traun e portës.
33′ Mesfushori Dema provon me një goditje nga distanca, por Halili pret i sigurt.
35′ Lushtaku nxjerr të lirë Pejiçin në krahun e djathtë të sulmit dhe kroati futet bukur mes mbrojtësve Beqiri e Boci, duke i dribluar dhe më pas me një goditje tokazi brenda zone mposht edhe Selimajn, 0-1 për Kukësin.
43′ Goditje dënimi për Vllazninë në krahun e majtë të sulmit, Hajdari kroson direkt në zonë dhe aty Dibra kërcen fuqishëm me kokë, duke fituar duelin me Malotën dhe e dërguar topin në rrjetë, 1-1.
58′ Kundërsulm i Kukësit, Hoxha gjen të lirë Hysën, i cili futet brenda zonës i pashqetësuar nga mbrojtësit Sykaj e Beqiri dhe godet tokazi me të djathtën, duke mposhtur Selimajn, 1-2 për Kukësin.
69′ Shtubina gjuan nga një pozicion diagonal, topi kalon ngjitur me shtyllën.
72′ Shala insiston në afërsi të zonës dhe pason për Shtubinën, teksa ky i fundit kthen direkt topin te kosovari, i cili del i vetëm me Halilajn, por humbet një rast ideal duke goditur jashtë.
81′ I sapofuturi Periç kombinon me Zeqirin dhe më pas ky shërben për Smajlin në hyrje të zonës. Mbrojtësi lezhjan kontrollon mirë topin dhe gjuan fort me të majtën, por pret Selimaj.
Kukësi “pushton” Shkodrën dhe i jep një goditje Vllaznisë në startin e kampionatit. Kuqeblutë kanë zhgënjyer totalisht, edhe pse në fakt pritshmëritë e tifozëve shkodranë nuk është se kanë qenë të mëdha, nisur nga situata në klub gjatë dy muajve të fundit. Skuadra e Artim Shaqirit ka dominuar ndeshjen dhe ka merituar totalisht triumfin. Tri pikët e lëna “djegin” shumë për shkodranët, për vetë faktin se kampionati për skuadrën e Baldo Rainerit nis me -3 pikë si pasojë e penalizimit nga UEFA. Edhe një herë tjetër, sulmuesi Pero Pejiç ka gjunjëzuar Vllazninë, por këtë herë me fanellën e Kukësit. Me sa duket stadiumi “Loro Boriçi” i sjell fat kroatit, madje në rastet analoge ka arritur të shënojë në ndeshjet hapëse të sezonit si pjesë e Skënderbeut. Golin e fitores për kuksianët e shënoi Vilfor Hysa, një nga më të mirët në fushë në takimin e djeshëm. Ish-sulmuesi i kuqebluve, bashkë me mesfushorët Lushtaku, Zeqiri dhe Hasani bënë diferencën. Ndërsa goli i Arenc Dibrës për kuqeblutë nuk mjaftoi për të marrë të paktën edhe një pikë nga ky takim. Kukësi ishte më kërkues dhe arriti të çante lehtë mbrojtjen shkodrane gjatë 90 minutave.
Pjesa e parë – Të dyja skuadrat e nisën takimin me rreshtime thuajse të njëjta. Si Vllaznia dhe Kukësi luajtën me një mesfushë të ngjeshur, në një kohë që si pika referimi kishin në sulm respektivisht Dibrën dhe Pejiçin. Fillimi i lojës flet për miqtë, të cilët, me anë të Hallaçit dhe Hysës në krahun e majtë, bëhen rrezik konstant për shumë minuta. Vllaznia e ka të vështirë të dalë në sulm, ndërsa ekipi i Shaqirit arrin të shtyjë falë mesfushës së fortë. Lushtaku në të djathtë dhe Hysa në të majtë shërbehen pambarimisht nga Hasani, Zeqiri e Musolli. Shtatshkurtri Hysa bëhet protagonist në disa raste, por gabon në finalizim, ndërsa në një moment e ndal edhe shtylla. Mbrojtja kuqeblu me Gocajn, Sykajn, Beqirin dhe Bocin nuk është në një ditë të mirë. Portieri Selimaj shpëtoi disa herë skuadrën, por në minutën e 35- të nuk kishte se çfarë të bënte, kur Pejiç u fut në zonë dhe shënoi pas goditjes tokazi me të djathtën. Dominimi kuksian shpërblehet, por avantazhi nuk zgjat më shumë se 8 minuta. Pas një goditjeje dënimi, është sulmuesi Dibra, i ndodhur brenda zonës, gjuan me kokë dhe barazon rezultatin. Këtu mbyllet pjesa e parë.
Pjesa e dytë – Skuadrat rinisin takimin me të njëjtat formacione. Vllaznia futet në fushë më e karikuar, por dëshira e lojtarëve për të gjetur golin e avantazhit nuk mjafton përballë një Kukësi prepotent, që imponon me lojën e tij. Shkodranët gabojnë sërish në mbrojtje, teksa lënë Hysën të lirë brenda zone dhe sulmuesi këtë herë nuk fal, duke e rikthyer Kukësin në avantazh. Goli i dytë i pësuar shokon Vllazninë, ndërkohë që trajneri Raineri aktivizon Tafilin dhe të riun Kalaja për të freskuar skuadrën. Kuqeblutë mundohen ta ndëshkojnë Kukësin me Shtubinën dhe Shalën. Ky i fundit ka rastin më të pastër të ndeshjes, teksa i vetëm me Halilajn bën më të vështirën. Miqtë tërhiqen, ndërsa trajneri Shaqiri aktivizon Hoxhën, Periçin dhe Shametin. Vllaznia lë shumë hapësira dhe rrezikon të ndëshkohet sërish, por gjithsesi as katër minutat shtesë nuk sjellin ndryshime në rezultat.
MË I MIRI
Vilfor Hysa dhe Kushtrim Lushtaku ishin lojtarët më të mirë në fushë në ndeshjen e djeshme. Futbollistët e Kukësit kanë qenë rreziku kryesor për Vllazninë, por vlen të theksohet se një performancë brilante bëri edhe mesfushori Hair Zeqiri.MË PAK AKTIVI
Dyshja e qendrës së mesfushës së Vllaznisë, Shala dhe Dema, kanë qenë krejtësisht jashtë forme në takimin ndaj Kukësit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mbrojtësit e krahut, Gocaj e Boci, por pa përjashtuar këtu qendërmbrojtësit Sykaj dhe Beqiri.
Raineri “qan” rastin e Shalës: Pas Teutës, do shihni ekipin tim
Trajneri i Vllaznisë, Baldo Raineri ka vlerësuar lojën e skuadrës së tij, pavarësisht se u mund nga Kukësi. “Ishte një ndeshje e rëndësishme. Ne kishim vetëm katër javë që kishim filluar stërvitjen, ndaj them se kemi luajtur deri në limitet e mundësive tona. Njerëzit kërkojnë që të fitojmë, por unë them se duhet të presin javën tjetër, ku do të bëjmë të pamundurën për të marrë rezultat. Jemi tri pikë minus, por sa takime janë për t’u luajtur? Ka kohë dhe duhet keni pak durim. Unë personalisht jam i kënaqur me atë që pashë në fushë nga lojtarët e mi. Kemi vetëm katër javë që përgatitemi dhe ka qenë e vështirë për të dhënë më të mirën, ndaj them se për mua ekipi nuk çaloi. Sipas meje, nëse do të ishte shënuar goli i Shalës, situata do të ishte tjetër, por shansi nuk na lejoi që të gëzoheshim edhe neve sot. Nga java që vjen do nisim punën për t’u rikthyer te fitorja, duke bërë edhe ndryshime, të cilat do t’i mbaj hëpërhë për vete. Mbijetesa? Ka ende kohë për të folur për mbijetesën e Vllaznisë, pasi janë edhe 35 takime dhe nuk besoj se mund të rrezikojmë. Unë kam shumë besim te lojtarët e mi. Kjo humbje më ka bërë që të kuptoj se ne do të jemi më të fortë me ekipet e tjera. Teuta? Nuk mendoj se ekipi i Durrësit është më mirë se ne. E kam parë në televizion ditën e djeshme (pardje) dhe them se është i kalueshëm. Gjithsesi, unë besoj se pas ndeshjes me Teutën, skuadra do të jetë më e kompletuar dhe atëherë do shihni Vllazninë e Rainerit”, ka thënë tekniku.
“E merituam, por duhej të kishim shënuar më shumë”
Trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri, ka vlerësuar maksimalisht fitoren në “Loro Boriçi” ndaj Vllaznisë. “Natyrisht që është një kënaqësi të fitosh që në ndeshjen e parë. Më kënaqësi se kaq nuk ka. Ishte një ndeshje nervash. Një ndeshje e madhe, sepse luanim kundër një Vllaznie me histori dhe në një fushë ku gabimi të kushton shumë. Duke menduar më përpara situatën e Vllaznisë, them se gabova në gjykim, pasi kjo skuadër nuk m’u duk me probleme. Përkundrazi na vuri në vështirësi. Ishte një ndeshje e bukur, por duhet ta theksoj se ne i merituam denjësisht tri pikët. Ne patëm mundësi që të shënonim edhe në pjesën e parë, pasi në dy-tri raste u gjendëm në zonën kundërshtare, por nuk qe e thënë që ta mbyllnim ndeshjen. Megjithatë, unë jam i kënaqur, për faktin se në fund morëm pikë të plota, në transfertë, në javën e parë dhe ndaj një kundërshtari të fortë dhe me emër”, tha Shaqiri. Tekniku nga Maqedonia dhe edhe një vlerësim për tifozët vendës. “Një vlerësim për publikun dhe futbollistët vendës, sepse ishin ‘fair-play’, në çdo moment në këtë ndeshje. Kemi ende për të bërë shumë punë dhe për të dalë në lojën që dua që Kukësi të zhvillojë. Sipas meje, ekipi ka dhënë vetëm 70 për qind të asaj që prisja, sidomos në aspektin taktik. Megjithatë, e thashë edhe më përpara, kur fiton, harron gjithçka”, ka vijuar Shaqiri. Më pas ai është pyetur për objektivin primar të Kukësit për këtë edicion. “Që në momentin e parë kemi qenë pretendentë për titull. Kukësi ka qenë në vendin e dytë dhe tani kërkojmë vendin e parë. Megjithatë, gjithçka duhet parë ndeshje pas ndeshjeje”, përfundon Shaqiri.
Pejiç, “makthi” i shkodranëve: Ky, stadiumi i fatit
Duket se “Loro Boriçi” i sjell fat, përderisa shënon gjithnjë kur luan ndaj Vllaznisë në këtë stadium. Bëhet fjalë për sulmuesin kroat, tashmë të Kukësit, Pero Pejiç, i cili edhe dje në ndeshjen e parë të kampionatit arriti të shënonte një gol me peshë. “Jam i kënaqur që ekipi ka arritur të marrë tri pikët e para. Ka qenë diçka shumë pozitive për ne që mundëm të fitonim pikërisht në Shkodër, ndaj një skuadre të fortë sikundër është Vllaznia. Unë me të vërtetë ndihem shumë mirë, që në këtë fushë arrij të shënoj rregullisht. Ky stadium duket sikur më sjell shumë fat, pasi gjithnjë pasi kam shënuar këtu, gjërat më kanë shkuar shumë mirë. Uroj që edhe këtë edicion të vijoj me këtë ritëm, pasi dëshiroj që të vazhdoj dhe të jem përsëri në listën e më të mirëve si golashënues për të fituar ‘Këpucën e Artë’. Megjithatë për mua nuk përbën asnjë problem një gjë të tillë. E rëndësishme është ne të vazhdojmë kështu siç edhe ia nisëm dhe të jemi pretendentë për trofe”, tha dje pas takimit Pejiç. Kujtojmë që sulmuesi kroat ka shënuar dy gola edicionin e shkuar në këtë stadium më 3 tetor në Vllaznia- Skënderbeu 1-3 dhe tre gola më 24 gusht 2012, po në këtë stadium në Vllaznia-Skënderbeu 1-3.
Hysa: Dominuam totalisht, ky Kukës nuk do ndalet
Nuk e fsheh aspak entuziazmin Vilfor Hysa dhe deri diku ka të drejtë, pasi goli i tij i dha tri pikë të rëndësishme skuadrës së Kukësit në transfertën ndaj Vllaznisë. Sakaq, lojtari shpreson që të vijojë me këtë ritëm dhe të ndihmojë ekipin në arritjen e objektivave sezonalë. “Ishte një trepikësh i merituar dhe i fituar me shumë mundim nga ana jonë. Luanim në Shkodër dhe nuk kishte rëndësi gjendja në të cilën është Vllaznia. Mendoj se ishim më dominues në këtë takim. Golat janë përherë të bukur dhe të dhurojnë emocione të shumta sa herë që arrin të shkojë topi në rrjetë. Në këtë përballje gjithçka ka qenë tejet korrekte dhe kjo duhet vlerësuar maksimalisht. Jam i kënaqur për këtë start të ekipit dhe timin personal. Mendoj se ekipi i Kukësit ka forca për të vazhduar në të njëjtin ritëm. Shpresoj që të arrijmë që të bëjmë më të mirën edhe në takimet e ardhshme dhe të jemi pretendentë për titullin kampion. Ky është synimi i drejtuesve, ky është edhe objektivi ynë. Personalisht do dëshiroja që të kontribuoja sa më shumë te kjo skuadër dhe pak rëndësi ka nëse kjo vjen me gola apo me lojën që do të zhvilloj. Do bëj të pamundurën për të qenë në nivelin e kërkuar nga trajneri, drejtuesit dhe tifozët kuksianë”, përfundoi Hysa.
ADMIR URUÇI