Kukësi zyrtarisht pa trajner, Bledar Devolli “divorcohet” mes falënderimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2024 | 13:07

Kukësi zyrtarisht pa trajner, Bledar Devolli “divorcohet” mes falënderimeve

Bledar Devolli nuk është më trajner i Kukësit. Me mbylljen e sezonit përfundoi edhe kontrata e tij dhe palët nuk rinovuan për të vijuar bashkëpunimin në Kategorinë e Parë. Edhe pse ishte një ndër kandidatët potencialë për të marrë drejtimin e Kukësit, në fund nuk ndodhi kështu.

devolli

Ka qenë vetë trajneri gjirokastrit që e ka bërë të ditur këtë në rrjetet sociale. Ai largohet mes falënderimesh për të gjithë, edhe pse në fund nuk ia dolën dot që të siguronin mbijetesën, si dhe shkuan deri në finalen e Kupës, ku u mundën nga Egnatia. “Faleminderit drejtuesve për mundësinë dhe tifozëve për mbështetjen. Mirënjohje për Anin, Vason, Qemalin, Yllin, Albin, Oltin. Krenar për futbollistët e mi dhe rrugëtimin që kemi bërë të gjithë bashkë. Faleminderit”, shkruan Bledar Devolli në rrjete sociale, duke mbyllur kështu bashkëpunimin me klubin ku punoi muajt e fundit.

KANDIDATËT – Tani zyrtarisht Kukësi është edhe pa trajner dhe i duhet të nisë nga puna për të gjetur atë që do t’i drejtojë në të Parën dhe të pretendojnë më pas edhe ngjitjen në Superiore. Deri tani, ka qenë një çështje me të cilën në klub nuk janë interesuar shumë, pasi ende nuk kanë nisur të mendojnë seriozisht për sezonin e ri. Emri i parë që ndodhet në tryezë është ai i ish-ndihmësit të Devollit, Oltion Kërnaja. Vitin e kaluar ka qenë krahu i djathtë i të katër teknikëve që drejtuan blutë dhe po shihet si një opsion për të marrë frenat e drejtimit tanimë në Kategorinë e Parë.

Sakaq, një tjetër pistë është edhe ajo e një trajneri nga Kosova, ku janë duke u diskutuar disa kandidatë potencialë që të marrin drejtimin. Gjithsesi, duket se edhe për pak kohë situata te Kukësi nuk ka gjasa që të ndryshojë, sepse në klub nuk po bëjnë lëvizje konkrete. Nëse gjetja e një trajneri është një hall më vete, Kukësi duhet të mendojë edhe për lojtarët e skuadrës  që do të militojë në Kategorinë e Parë. Të shumta kanë qenë largimet, por klubi po mbahet fort te lojtarët nën kontratë duke u bërë “bllokadë”. Nga ata do të nisë edhe ngritja e Kukësit të ri.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"