Kumbarçe përshëndetet me Korabin, ish-trajneri dinamovit drejt rikthimit në pankinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2024 | 11:50

Kumbarçe përshëndetet me Korabin, ish-trajneri dinamovit drejt rikthimit në pankinë

Lojtarët dhe stafi teknik i Korabit të Peshkopisë kanë pushuar që nga mbarimi i sezonit të shkuar dhe deri tani. Mirëpo, kur pritej që lojtarët dhe trajneri tyre Shpend Kumbarçe të nisnin sot përgatitjet për sezonin e ri, tri ditë më parë ka ardhur një “divorc” i papritur dhe me peshë.

Kumbarce

Pikërisht bëhet fjalë për trajnerin Shpend Kumbarçe, që e ka drejtuar skuadrën dibrane në dy sezonet e fundit. Trajneri ka pasur javën e shkuar një takim me administratorin e Korabit, Donald Mziu, por në fund palët nuk kanë gjetur akordin për vazhdimësinë. “Panorama Sport” mëson se palët nuk kanë qenë në një mendje për disa pika të kontratës, kështu që me marrëveshje dhe dakordësi trajneri Kumbarçe ka ndërprerë bashkëpunimin me Korabin duke mos u ulu në vazhdim në pankinën dibrane. Lajmin e ka konfirmuar vetë trajneri për “Panorama Sport”. “Korabin e kam prej më shumë se dy vitesh me përkushtim e seriozitet, me objektiv daljen në Superiore, ku kemi shkuar tri herë në ‘play off”.

Ndarja erdhi tri ditë para fillimit të përgatitjeve për sezonin 2024-2025, pasi të hënën Korabi nis punën për sezonin e ri. Në takimin që pata me administratorin Donald Mziu nuk u dakordësuam në disa pika për të vazhduar bashkëpunimin, kështu që nuk do jem më trajner i Korabit. Fillimisht dua të falënderoj të gjithë lojtarët e bashkëpunëtorët e mi që kontribuuan për mbarëvajtjen e Korabit, mikun tim presidentin Fehmi Mziu, si kryebashkiakun e Peshkopisë për korrektësinë e treguar. Mendoj se gjatë kësaj kohe, prej mbi dy vitesh, kemi bërë mirë. Arritëm tri herë në ‘play off’ për daljen në Superiorë, të cilën nuk e arritëm, pasi kundërshtarët tanë ishin më të fortë e me lojtarë me kualitet.

Gjithsesi, bëmë një figurë të mirë si një ekip me personalitet. Largohem me kokën lart për punën që kam bërë te Korabi si trajner. Klubit i uroj më të mirën në vazhdim, pasi unë jam dibran dhe Korabi është në zemrën time. Prej shtatë vitesh kam qenë lojtarë i Korabit, qytetit tim. Largohem i vetëdijshëm që kam bërë  mirë në këtë periudhë që drejtova, pasi kam afruar lojtarë që kanë bërë emër. Gjej rastin t’i falënderoj si Keko, që aktivizohet te Partizani, Henri Marku te Tirana, e tjerë që kanë spikatur si Kasalla, Shehu, Geci, Taulant Marku”, u shpreh trajneri Kumbarçe. Korabi i bie të jetë pa trajner, por nga burime të pakonfirmuara zyrtarisht nga klubi, “Panorama Sport” ka mësuar se drejtimin e skuadrës dibrane pritet ta marrë Agim Canaj, një njohje e së shkuarës. Sezonin e fundit Canaj e mbylli i trajneri i Ilirisë së Fushë-Krujës. Gjithsesi, kjo javë do të vërtetojë gjithë lëvizjet e fundit te Korabi.

Agim Canaj

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"