Kundër rregullave që pengojnë sponsorizimet, Mançester Siti hedh në gjyq Premier Ligën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2024 | 10:26

Kundër rregullave që pengojnë sponsorizimet, Mançester Siti hedh në gjyq Premier Ligën

Mançester Siti është duke ndërmarrë veprime ligjore kundër Premier Ligës pasi është vendosur nën akuzë dhe po hetohet nga këta të fundit për shkelje të rregullave financiare me kontratat e sponsorizimit.

siti

Siti po përpiqet që t’i japë fund rregullave të Transaksionit me Palët e Asociuara (APT) të Premier Ligës. Këto rregulla kanë të bëjnë me marrëveshjet tregtare dhe sponsorizuese me kompanitë në pronësi ose të lidhura me pronarët e të njëjtit klub. Aktualisht, këto rregulla diktojnë që transaksione të tilla duhet të vlerësohen në mënyrë të pavarur për të qenë të ndershme me vlerën e tregut. “The Times”, e cila publikoi lajmin për herë të parë të martën, raporton se Siti beson se rregullat janë “të paligjshme” dhe ata duan të kërkojnë dëmshpërblim për të ardhurat e humbura nga parandalimet e bëra nga ato rregulla.

Gazeta citon një dokument ligjor prej 165 faqesh në të cilin Siti argumenton se janë viktima të “diskriminimit”. Rregulli hyri në fuqi në dhjetor 2021 pasi Njukasëlli u ble nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite. Mosmarrëveshja ligjore do të zgjidhet gjatë një seance dy-javore të arbitrazhit që fillon të hënën më 10 qershor. E shpjeguar me fjalë më të thjeshta, nëse ti je pronar i një klubi të Premier Ligës dhe zotëron një tjetër kompani, si për shembull një kompani fluturimesh apo energjie dhe dëshiron që kjo kompani të sponsorizojë klubin tuaj, një marrëveshje e tillë duhet të kontrollohet nga auditi i pavarur për të dhënë dritën jeshile se është e justifikuar.

Pra, kompania e fluturimit “Etihad” për shembull nuk mund të vendosë të sponsorizojë një shifër të caktuar, p.sh. 300 milionë paund në klub, nëse ajo nuk vlerësohet si e justifikuar. Siti u akuzua për herë të parë nga Premier Liga në shkurt 2023 se ka thyer rregullat e “fair play-t financiar” mbi 100 herë gjatë një periudhe 9- vjeçare (2009-2018). Gjyqi do të mbahet këtë vjeshtë, ndërsa Siti këmbëngul se është i pafajshëm dhe çdo gjë e ka bërë sipas rregullave përkatëse.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"