Kundërpërgjigjet Dede: Halilit i dhuroj një mikrofon të artë. Koreshi vishet bardheblu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2014 | 12:19

Kundërpërgjigjet Dede: Halilit i dhuroj një mikrofon të artë. Koreshi vishet bardheblu

DedeIsh-trajneri i Tiranës, Nevil Dede (në fakt ësh të ende nën kontratë me këtë klub), ka reaguar pas deklaratës së një ditë më parë të donatorit Refik Halili. Ky i fundit, gjatë emisionit “Rubrika Sportive” në Televizionin Publik Shqiptar, e akuzoi Deden për situatën e mjerë në të cilën ndodhet aktualisht Tirana, e fundit në renditje dhe me vetëm 12 pikë të grumbulluara. Nisur nga kjo deklaratë, ish-trajneri është kundërpërgjigjur në mënyrën e tij, duke përdorur jo pak ironi dhe sarkazëm. “Futbolli është një sport që mbart e përcjell mesazhin e ‘fair-play’- it. Futbolli nuk dënon njeri me burg dhe nga futbolli, prej disa miqve të mirë kam mësuar se kush nuk e përballon dot stresin që ai të jep, më mirë mos merret fare me të. Për sa u përket emocioneve të momentit që ka shprehur një nga sponsorët e Tiranës, z.Halili, më vjen vërtet keq për të… Jo, jo ndiej keqardhje. E vlerësoj për paratë që do të hedhë. I uroj me zemër suksese dhe do Zoti e shpëton sezonin, por askush nuk i jep atij të drejtën të ofendojë njerëz dhe të hedhë baltë mbi ata që kanë kontribuar për klubin tonë. Unë s’kam të drejtë t’i them çfarë të flasë, pasi nuk është ‘i vogël’, ndaj nuk e mësoj dot. Megjithatë, do të mundohem t’i bëj dhuratë një mikrofon të artë”, – ka thënë Dede.
Thumbimet – Përtej kësaj deklarate në “Panorama Sport”, trajneri ka folur edhe për mediat vizive (“Supersport”), duke e konsideruar gjithsesi emocionale deklaratën e donatorit Refik Halili, pa lënë mënjanë natyrisht edhe notat thumbuese kundrejt këtij të fundit. “Unë jam tifoz i Tiranës, por jam edhe punonjës i atij klubi (Dede zyrtarisht është pezulluar nga klubi, por ka ende një kontratë të vlefshme, e cila skadon në maj të 2015-ës). Ai (Halili) është emocional, pasi çdo njeri para mikrofonit, si këngëtari dhe sportisti, ka emocione. Shyqyr që Shqipëria nuk ka prokuror apo gjykatës kaq të egër se edhe njerëzit që ndërrojnë një lojtar dhe futin një tjetër, apo trajnerët më mirë do i kishin futur në burg”, – ka vijuar ish-trajneri i Tiranës.
Auditi – Në fund, Nevil Dede është pyetur edhe për shkaqet që e çuan skuadrën në këtë gjendje. Sipas tij, analiza duhet bërë me anë të një auditi, ku të kontrollohet gjithçka dhe të mësohet e vërteta. “Analiza duhet bërë disi më e thellë dhe duhet të nisë që nga koha kur Tirana ishte e suksesshme, për të parë sesa njerëz kishte në drejtimin e saj. Sa njerëz kanë kontribuar për sukseset e Tiranës. Unë mendoj se auditi do të ishte gjëja më korrekte, me qëllim që tifozët, por edhe ne që kemi kontribuar dhe që na dhemb Tirana, pasi kemi një jetë atje, të merrnim vesh gjithçka si për mirë dhe për keq. Abuzime me paratë? Këtë nuk më takon mua ta them. Kush e rëndon klubin, në xhepat e klubit për financat, nuk jam unë ai që duhet të jap përgjigje. Por, mua më vjen keq që ne po bëhemi gazi i botës me këto deklarata”, – ka përfunduar Dede.

Ja çfarë tha Halili një ditë më parë
Kur donatori i Tiranës u pyet nga gazetarët gjatë emisionit “Rubrika Sportive” në Televizionin Publik Shqiptar, ai akuzoi ish-trajnerin, duke thënë se nuk ndjen se ka detyrime financiare ndaj tij. “Me atë që ka bërë Dede te Tirana është për burg. Ai shkatërroi skuadrën, duke larguar lojtarë cilësorë dhe bërë afrime të turpshme. Në periudhën e tij kishte lojtarë, të cilët nuk kishin lidhje me futbollin. Për sa i përket borxhit që klubi mund t’i ketë Dedes nga prishja e kontratës, së pari duhet të kthejë ai lekë te Tirana dhe jo t’i japim ne atij. Është përgjegjës për shumë situata që kanë ndodhur, nuk i meriton ato para”, – deklaroi Halili.

Skenderbeu-Lushnja 2-0, Korreshi ne dyluftim me ArapinErlind Koreshi vishet bardheblu
Erlind Koreshi ka kërkuar dje zyrtarisht letrat në klubin e Lushnjës dhe mësohet se është larguar nga kjo skuadër. Lojtari ka qenë në planet e Tiranës dhe në orët e vona të mbrëmjes së djeshme mësohet se ka arritur edhe akordin me drejtuesit bardheblu. Nuk dihen detajet e kontratës, por nisur nga eksperienca me afrimet e fundit, edhe për Koreshin parashikohet një marrëveshje deri në fund të sezonit me opsion edhe për vitin tjetër. Mesfushori ka qenë në kontratë me klubin lagunar dhe për t’u larguar do të duhej që klubi që do përfitonte shërbimet e tija të paguante edhe për kartonin. Mirëpo, te Tirana, donatori Halili ka pohuar një ditë më parë, se bardheblutë nuk kishin ndër mend të paguanin asnjë karton. “Nuk kemi luks të paguajmë karton. Edhe me Koreshin, vetëm nëse merr letrat nga Lushnja, do të ulemi në bisedime”, – tha Halili. Nisur nga kjo lojtari këmbënguli që të lihej i lirë nga Lushnja dhe sot do të vihet në dispozicion të trajnerit të Tiranës, Gugash Magani. Koreshi është një lojtar polivalent, pasi luan në të dy krahët e mesfushës si dhe në rolin e organizatorit. Me këtë përforcim, duket se Tirana është blinduar tashmë në mesin e fushës. Sakaq, mësohet se Toni Pezo nuk do vijë te Tirana. Futbollisti kroat u përfol si një afrim i mundshëm, por pretendimet e këtij të fundit kanë qenë shumë të larta për drejtuesit bardheblu. Ish-lojtari i Tiranës, por edhe i Flamurtarit pat kërkuar nëpërmjet menaxherit 5 mijë euro në muaj, shumë që është konsideruar si tejet e ekzagjeruar nga ana e donatorëve bardheblu.

Kosoriç, një boshnjak në bisedime me Tiranën
Qendërmbrojtësi boshnjak, Aleksandar Kosoriç, është në bisedime me klubin e Tiranës. Burime pranë drejtuesve bardheblu treguan dje për “Panorama Sport” se lojtari pritet të mbërrijë gjatë dy ditëve të ardhshme në kryeqytet. Menaxheri i mbrojtësit po negocion me drejtuesit dhe gjasat janë që të arrihet një akord. Në fakt, nuk dihet nëse boshnjaku do të kalojë fillimisht në provë. Kosoriç e ka nisur karrierën te Slavia e Sarajevos, ndërsa më pas është transferuar te Partizani i Beogradit. Me klubin e famshëm serb ka luajtur në vetëm dy takime, ndërsa në sezonin 2010-2011 është transferuar te skuadra tjetër e Beogradit, FK Rad. Së fundmi ka luajtur për FK Radniçki në Serbi, ndërsa gjatë këtij sezoni ka qenë pjesë e klubit irakian, Erbil SC. Sakaq, Tirana vijon bisedimet edhe me ish-lojtarin e Vllaznisë, malazezin Nikola Vukçeviç. Së fundmi ai është aktivizuar në Qipro, te Ethnikos Aknas.

Gilman Lika prezanton fanellen pas rinovimit me TiranenPrapaskenat, ja batutat mes Halilit dhe Gilman Likës
Tirana i ka pasur gjithnjë në qendër të vëmendjes, ndaj edhe për afrimin e tyre është punuar shumë. Por, nëse Ilion Lika arriti që të rivishej bardheblu, paçka se ka firmosur një kontratë në të bardhë, tjetër gjë për Gilmanin, i cili ka refuzuar shumë parà nga oferta e Tiranës. Mesfushori u takua të shtunën e shkuar në Shkodër me donatorin Halili, i cili i ofroi 11 milionë lekë të vjetër rrogë mujore, por shkodrani nuk u bind. “U takova me Gilman Likën në Shkodër dhe më tha tekstualisht kështu: ‘t’i vjen për të më blerë shtëpinë e dytë, pa më paguar më parë për shtëpinë e parë’. – Unë jam i sigurt që Lika vjen te Tirana nëse nuk firmos në Poloni, pasi i kam bërë një ofertë marramendëse. Ankandi me Partizanin dhe Skënderbeu? Ndoshta, përveç borxheve, do të ndikojë edhe renditja që ne kemi, sepse lojtarët shikojnë interesat e tyre, por besoj se Gilmani e ndjen më mirë veten te Tirana se kushdo ekip tjetër”, – saktësoi Halili gjatë emisionit sportiv në TVSH. Ngërçi i vetëm mes Likës dhe klubit lidhet me paratë e prapambetura që Tirana i detyrohet 27-vjeçarit. Në total lojtari ka për të marrë 50 milionë lekë të vjetër, por për t’u rikthyer, ka kërkuar garanci për këto para. Pra, pret që t’i jepen ato fillimisht dhe më pas do të ishte i gatshëm të luante sërish me Tiranën dhe me rrogën që i është ofruar prej Halilit. Në fakt futbollisti, për të mos ngritur padi ndaj klubit, ka bërë një marrëveshje verën e shkuar me administratorin Alimehmeti, e cila e detyron Tiranën që deri në verën e këtij viti t’ia likuidojë të gjithë shumën. Sakaq, mësohet se për ta bindur, Halili i ka dhënë edhe një goxha shumë parash si paradhënie, por sërish mesfushori ka kërkuar pak kohë. Ndërkohë, mësohet se sot portieri Ilion Lika do të mbyllë edhe detajet financiare me kontratën e re. Jo zyrtarisht, ky i fundit, mund të përfitojë rreth pesë milionë lekë në muaj rrogë. Sakaq, nuk ka ende të dhëna mbi kontratat e Morinës (nuk ka firmosur ende) dhe brazilianit Gilberto.

Halili Refik dhe Duka“Borxhet një problem, dënohemi për të huajt”
Tirana është një nga klubet që ka më shumë borxhe karshi ish-lojtarëve të saj, apo edhe ish-trajnerëve e drejtuesve. E gjendur në fundin e tabelës së renditjes, e rrezikuar seriozisht për të rënë nga kategoria për herë të parë në histori, te Tirana i frikësohen edhe ndonjë penaliteti nga FIFA, pikërisht për shkak të borxheve. Edhe pse administratori i klubit e ka thënë disa herë se me borxhet kur të vijë momenti do të merret direkt bashkia, gjatë “Rubrikës Sportive” mbrëmjen e së dielës, donatori Refik Halili pohoi se ndëshkimi mund të vijë kryesisht nga të huajt. “Duhet të kemi shumë kujdes me lojtarët e huajt dhe borxhet e prapambetura ndaj tyre. Sigurisht FIFA bën paralajmërimet e veta, por ata nuk janë si shqiptarët, me të cilët mund të merresh vesh. Për momentin nga juristi i klubit jam në dijeni që për Kameron Heples (ish-mesfushori nga Bahamas) ka ardhur një shkresë, ku na bëhet e ditur që, nëse nuk e paguajmë brenda një afati të caktuar dhe të shkurtër, do të penalizohemi me 5 mijë franga. Më pas vjen paralajmërimi me heqje të pikëve”, – ka thënë Halili. Gjithsesi, donatori bëri me dije se ai së bashku me donatorin tjetër Lul Morina do të merren edhe me likuidimin e borxheve, duke mos i lënë qoftë edhe 1 dollar pa paguar. “Likuidimi i borxheve do të nisë nga Mario Morina dhe më pas nga Gilman Lika. Kjo do të jetë ajo që unë do të kërkoj të bëhet si fillim. E bëjmë këtë edhe për arsye financiare të lojtarëve dhe mundësitë që ata kanë”, – qartësoi Halili. Sakaq, kujtojmë se momentalisht klubi bardheblu i ka si borxh një shumë prej më shumë se 500 mijë dollarë ishpresidentit Metush Seferi, i cili ka fituar prej kohësh gjyqin me këtë klub. Në këtë linjë është edhe Rudi Vata. Ish-mbrojtësi pretendon 75 mijë dollarë rroga të papaguara kur luante me Tiranën në 2002-shin. Më pas vijnë Esama Etogo, i cili pretendon 33 mijë euro nga kontrata e firmosur me Tiranën në 2011- ën. Teksa ish-klubi i këtij lojtari, Debreçeni i Hungarisë, kërkon 30 mijë euro nga Tirana për kontratën e huazimit të lojtarit të vet. Kamerun Heples pretendon 67 mijë dollarë nga kontrata me bardheblutë, teksa Tirana u ka borxh edhe dy lojtarëve aktualë të Skënderbeut: Ivan Gvozdenoviçit 13.400 euro dhe Pero Pejiçit 14.000 euro, kur ata luanin për këtë skuadër. Sakaq, boshnjaku Mlladen Zizoviç pretendon 7.500 euro, ndërsa ish-menaxheri i klubit, Hektor Çomo, ka fituar gjyqin në Gjykatën e Tiranës për shumën e 40 milionë lekëve. Nuk mbaron me kaq, pasi Tirana ka akumuluar borxhe edhe nga largimet e sezonit të shkuar, ku Klodian Duro pretendon 28 mijë euro, Gilman Lika 30 mijë euro, Ilion Lika rreth 50 milionë lekë, pa harruar edhe futbollistët e tjerë, si dhe ish-trajnerin Nevil Dede.

Paradoksi, u prezantuan para vizitës mjekësore
Nëse në pjesën më të madhe të Europës (për të mos thënë kudo) para se të bëhet prezantimi i një lojtari në skuadrën e tij të re, klubi i bën vizitat mjekësore, në Shqipëri ky rregull nuk ndiqet thuajse fare. Ndaj janë të shumta rastet kur lojtarë, që kanë vuajtur dëmtime të gjata ose që vijojnë të jenë të dëmtuar, vijnë në Superiore, firmosin kontrata dhe vetëm më pas “ankohen” se nuk mund të luajnë rregullisht (rasti i Dragoit te Kukësi). Të njëjtën gjë ka bërë edhe Tirana, e cila, ndonëse është “Zonja” e kampionatit, 24 herë kampionia, sërish bie në të njëjtin nivel me të tjerat. Klubi prezantoi javën e shkuar Ilion Likën dhe Ivan Deliçin si afrimet e reja, ndërkohë që sot këta lojtarë, por edhe Mario Morina dhe braziliani Gilberto do të kryejnë vizitat mjekësore. Pavarësisht se klubi është gjithnjë i mbrojtur nga ana kontraktuale pasi, nëse ndonjëri prej tyre rezulton me probleme, mund ta prishë sërish kontratën pa pësuar penalitete, ajo që “vret” është fakti se vizita mjekësore nuk merret thuajse fare parasysh ose seriozisht nga klubet tona. Gjithsesi, mësohet se sot të katër bardheblutë e afruar gjatë këtyre ditëve nga drejtuesit e klubit do të shoqërohen për të bërë të gjitha analizat e duhura, me qëllim të parandalimit të çfarëdolloj problemi shëndetësor gjatë aktivitetit futbollistik.

Mbërrin Francis Kahata, i shumëkërkuari nga tifozët
Quhet Frensis Kahata. I lindur më 7 qershor 1991 në Kenia. Është i gjatë 1.75 m dhe luan kryesisht si mesfushor organizator. Përdor mjaft mirë këmbën e majtë dhe ka një teknikë të jashtëzakonshme. Është rritur në akademinë e Thika Junajtid në Kenia, teksa ka provuar edhe një aventurë në Tanzani. Lojtari ka kontratë të rregullt me Thika Junajtid deri më 31 dhjetor 2015, por është lejuar të vijë te Tirana në formë huazimi me të drejtë blerjeje të kartonit. Duhet thënë se 22- vjeçari ka qenë edhe një përzgjedhje e tifozëve të Tiranës, të cilët duke e ndjekur këtë të fundit në internet, kanë bërë jo pak presion te drejtuesit e klubit për ta afruar. Një gjë të tillë e ka konfirmuar një ditë më parë edhe donatori Refik Halili. Sakaq, mësohet se klubi i ka dërguar tashmë vizën me anë të shërbimit të shpejtë postar dhe dje rreth orës 19:00 ai është nisur nga Kenia me destinacion fillimisht Stambollin. Ndërsa sot do të udhëtojë nga ky qytet drejt Tiranës.

Basha sot takim me tifozët, ja ç’pritet
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht edhe president i klubit bardheblu, Lulzim Basha, pritet të takohet sot me një grup të tifozëve të kësaj skuadre. Takimi, i cili ishte parashikuar të zhvillohej ditën e djeshme, për shkak të impenjimeve të shumta që kryebashkiaku pati, është shtyrë për sot. Sipas informacioneve, ai mund të bëhet në zyrat e klubit, në ambientet e “Selman Stërmasi”-t. Tifozët protestuan pak ditë më parë për gjendjen e klubit, teksa bënë të njëjtën gjë edhe të enjten, duke ia zënë rrugën Bashës para se ai të futej në studion e “Opinion” në TV Klan. Nisur nga kjo, u la takimi për këtë javë. Tifozët duan të dinë rreth së ardhmes së afërt të klubit, teksa Basha, sipas informacioneve jozyrtare, pritet të bëjë një premtim surprizë në merkato, ku emri më i lakuar është ai i sulmuesit të ekipit tonë përfaqësues, Hamdi Salihi. Donatorët i bënë një ofertë marramendëse shkodranit për kushtet në Superiore, por ai refuzoi. Sakaq, mësohet se në “lojë” mund të futet edhe kryebashkiaku.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"