“Kundërshtari na kishte nënvlerësuar”, Doka: Kjo, super Tiranë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2023 | 21:34

“Kundërshtari na kishte nënvlerësuar”, Doka: Kjo, super Tiranë

Albi Doka mendon se Tirana është shumë e fortë dhe se në sfidën e dytë do të marrë kualifikimin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Doka pranoi se bardheblutë do të bëjnë të pamundurën për të kaluar në turin tjetër. Doka ishte një nga goditjet e bujshme të Tiranës në merkato. Lojtari rikthehet në kampionatin shqiptar pas aventurës së fundit në Hungari me Budapest Honved. Kujtojmë që Doka është formuar si futbollist te skuadra e Tiranës, me të cilën u shpall kampion i Shqipërisë në sezonin 2019-2020 dhe më pas u largua për të provuar një eksperiencë të re larg Shqipërisë. Mbrojtësi rikthehet në shtëpi për të ndihmuar Tiranën që të arrijë majat këtë sezon.

Doka

Albi, një ndeshje e barazuar në minutën e tretë shtesë. Si e vlerëson tani sfidën me Batumin?

Ndeshja e së enjtes ishte decizive për Tiranën. Dinamoja e Batumit ishte ekipi shumë i fortë dhe e tregoi në fushën e lojës. Pavarësisht se sa ishte forca e Dinamos, mendoj se kemi zhvilluar në ndeshje shumë të mirë. Bëmë lojën tonë në fushën e lojës dhe morëm atë që meritonim.

Në fund të 90 minutave një skuadër vlerëson të mirat dhe të këqijat. Çfarë pengu keni nga kjo skuadër?

Peng kemi golin që pësuam. Ishte një gabim kolektiv, që duhet të mos e përsërisim më në takimin e dytë. E përsëris kemi zhvilluar një takim shumë pozitiv dhe jemi besimplotë.

Me një barazim, ku goli në fushë kundërshtare nuk ka vlerë. Cili mendoni se ka shanse për kualifikim?

Unë mendoj se kualifikimi ishte dhe mbetet i hapur. Rezultati 1-1 na jep të drejtë në këtë rast. Unë besoj, por edhe shokët besojnë se në këtë takim do të marrim rezultat të madh dhe do të kualifikohemi ne në turin tjetër.

Batumi e kishte nënvlerësuar Tiranën apo ishit ju që e kishit mbivlerësuar kundërshtarin?

Mesa pashë në fushën e lojës, kundërshtari na kishte nënvlerësuar. Ama mund ta them me plot bindjen që kjo skuadër, kjo Tiranë, është shumë e fortë.

Çfarë duhet të presin tifozët nga sfida e dytë që do të zhvilloni me Dinamon e Batumit?

Ndeshjen tjetër do të jemi shumë mirë, si taktikisht dhe fizikisht. Kemi më shumë minuta në këmbë. Do të shkojmë vetëm me mendjen për t’u kualifikuar në turin e dytë të Ligës së Konferencës.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"