Kupa e Shqipërisë / Skënderbeu provon të rinjtë me goleadë, Kukësi e Partizani mësojnë rivalët
Kupa e Shqipërisë ka filluar sot zyrtarisht me dy ndeshjet e turit paraeliminator si dhe një ndeshje të turit të parë të këtij sezoni. Në dy ndeshjet paraeliminatore, Kukësi dhe Partizani pritnin të mësonin se kush do të ishin skuadrat që do të ndesheshin me ta në turin e parë të turneut.
Kukësi do të përballet me Egnatian, e cila ka mundur në ndeshjen direkte Vorën me rezultatin 3-1, pas kohëve shtesë, sepse 90 minutat e kohës së rregullt u mbyllën në barazim pa gola. Ndërkohë, Partizani do të përballet me Naftëtarin, që ka mundur me shifrat 3-2 Orikumin dhe javën e ardhshme do të ketë përballë ekipin kryeqytetas në turin e parë.
Sa i përket Skënderbeut, korçarët kanë luajtur ndeshjen e turit të parë ndaj Mamurrasit, në aneksin e stadiumit të tyre. Në praninë e një numri të ndjeshëm tifozësh, trajneri Daja ka testuar shumë të rinj në formacion apo edhe zgjedhjet e dyta, duke kursyer titullarët për duelin e fundjavës në kampionat.
U aktivizuan: Teqja, Taku, Radas (46’ Mici), Dita, Aliti, Muzaka (54’ Shkodra), Demte, Sahiti (66’ Soue), Gripshi, Kelmendi, Nespor. Ashtu siç pritej, edhe pse me nëj formacion të improvizuar, Skënderbeu fitoi pa vështirësi me shifrat 8-0, ndërsa autorë të golave ishin Kelmendi (‘17), Muzaka (’37, ‘53 11-m), Shkodra (’63), Nespor (‘77), Demte (’79), Soue (’80, ’86)
Ndeshjet e turit paraeliminator
Naftëtari-Orikumi 3-2
Egnatia-Vora 3-1
Turi i parë
Skënderbeu-Mamurrasi 8-0
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"