Skënderbeu e Tirana ndalen në barazime, mundet Flamurtari
U luajtën sot ndeshjet e turit të parë të Kupës së Shqipërisë, një turne i cili si zakonisht, në turin e parë, i jep mundësinë emrave të rinj të skuadrave kryesore që të tregojnë vlerat e tyre në fushën e lojës. Ekipet e Superiores kanë hedhur në fushë shumë futbollistë nga ekipi i të rinjve, ndërsa ka pasur skuadra edhe si Skënderbeu që kanë udhëtuar për të zhvilluar ndeshjen pa pasur trajnerin e tyre në drejtim, pasi Agostineli i ka besuar ekipin Gentian Liçit.
GRUPI A
Pikërisht korçarët kanë qenë ata që kanë dhuruar një nga surprizat e këtyre ndeshjeve të para, duke u ndalur në një barazim në fushën e Butrintit. Vendasit kanë kaluar në avantazh pas 30 minutash lojë me Dobrën, ndërsa të rinjtë e hedhur në fushë nga Liçi e kishin të vështirë të gjenin barazimin. Është dashur një gol i Malajt, debutues me korçarët, kur mbeteshin pak minuta nga fundit i ndeshjes, për të mbyllur këtë sfidë me një barazim dhe për t’i evituar Skënderbeut një rezultat që mund të interpretohej në mënyrë negative nga tifozeria.
Një rezultat tjetër surprizë në Grupin A ka qenë edhe barazimi i Tiranës e cila ka qenë “udhëtuese” në “Selman Stërmasi” përballë Sopotit. Bardheblutë kanë kaluar në avantazh me anë të Likës në fund të pjesës së parë, por janë arritur në ekstremin e takimit pas penalltisë së Çotës.
Ndërkaq, Kukësi, Laçi, Bylis e Luftëtari kanë bërë detyrën me fitore në transfertë, kurse Dinamo ka mundur 2-1 në shtëpi Pogradecin dhe e sheh veten në pozita mjaft të mira për të kaluar në turin tjetër.
NDESHJET
Butrinti-Skënderbeu 1-1
31′ Dobra / 85′ Malaj
Tomori-Kukësi 0-3
41′ Rangel, 75′ (p), 85′ Guri
Sopoti-Tirana 1-1
86′ (p) Çota / 43′ G. Lika
Turbina-Laçi 0-2
5′ Hyseni, 29′ Biba
Shkumbini-Bylis 1-3
77′ Aliaj / 11’ Dimiç, 47′ Meto, 75′ Dervishi
Elbasani-Luftëtari 0-1
35′ Satonjo
Dinamo-Pogradeci 2-1
40′ (p) Tragaj, 67′ Osuagu / 69′ Bangoura
Lushnja-Apolonia 1-3
45’+1′ Gjyla / 1’, 24′, 46′ Uzuni
GRUPI B
Surpriza më e madhe e kësaj dite është padyshim disfata e Flamurtarit përballë Ilirisë. Vlonjatët janë paraqitur me një formacion ku shiheshin shumë titullarë si Veliu, Telushi apo Galiç. Por ekipi i Maganit ka lënë për të dëshiruar si shpeshherë kohët e fundit në finalizimin e aksioneve dhe për më tepër ka qenë i pavëmendshëm në mbylljen e ndeshjes, kur ka pësuar gol nga ekipi i Fushë Krujës duke e mbyllur takimin me një humbje 1-0.
Ndërkaq, vazhdon kriza e golit për Teutën e cila është ndalur në barazim 0-0 edhe nga Shënkolli. Për Teutën, Lajthia goditi shtyllën në pjesën e dytë të takimit, në të cilin në pankinën durrsake ulej Gentjan Begeja, i cili ka zënë vendin e të larguarit Bexhi.
Një formalitet ishte fitorja 3-0 në transfertë e Vllaznisë ndaj Mamurrasit, skuadër e improvizuar në ditët e fundit pas ripranimit në Kategorinë e Parë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Partizanin që ka përmbysur 5-1 ekipin e Kevitanit. Në këtë sfidë, për të kuqtë debutoi sulmuesi izraelit Azubel, i cili shënoi dy gola.
Më barazime 1-1 falë golave në minutat e fundit u mbyllën sfidat Besa-Tërbuni dhe Kamza-Korabi, ndërsa Burreli dhe Besëlidhja kanë bërë hapa të sigurt drejt turit tjetër me fitoret 3-1 përkatësisht ndaj Kastriotit dhe Erzenit.
NDESHJET
Kevitan-Partizani 1-5
16’ Toska / 17’ Jaupaj, 19’ Bardhi, 21′ Vatnikaj, 58′, 69′ Azubel
Shënkolli-Teuta 0-0
Mamurrasi-Vllaznia 0-3
20′ Vaizer, 30′ Pjeshka, 55′ (p) Vrapi
Iliria-Flamurtari 1-0
88′ Zira
Besa-Tërbuni 1-1
49′ Dollani / 90’+3′ Kiri
Kamza-Korabi 1-1
52’ Rezi / 89’ Prençi
Burreli-Kastrioti 3-1
48′ Ajazi, 61 Salaj, 67′ (ag) Sala / 78′ Xhaferri
Erzeni-Besëlidhja 1-3
85′ Pasha / 28′ Djalo, 55′ Sidibe, 60′ Diop
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"