Kursehet Skënderbeu, shpërdoron Elbasani. File: Ishim Të pafat, prisni Elbasan ndryshe
ELBASANI-SKËNDERBEU 0-1
GOLI: F.Sefa 9′
ELBASANI: Ruçi, Merxha (Rodrigues 46′), Pisha, Jaupi, Kaçuli, Gava, Hila, Basriu, Dalipi, Malindi (Tahirllari 46′), Çota (Toçi 76′). Trajner: Ilirjan File. Në pankinë: Myftarago, Dosti, Musta, Lamçja.
SKËNDERBEU: Shehi, Arapi, Osmani, Radas, Vangjeli, Nimaga, Berisha (Markoni 69′), Progni (Dimo 90′), Shkëmbi, Ribaj (Lilaj 53′), F.Sefa. Trajner: Mirel Josa. Në pankinë: Llapanji, Jashanica, Abazi, Souza. KARTONË TË VERDHË: Basriu 56′, Rodrigues 69’/ Lilaj 69′
DELEGAT: Besnik Çela
VËZHGUES: Sami Elezi
GJYQTARET: Ermijon Sino/ I.Tartari dhe O.Grabova
Skënderbeu e nis aty ku e përfundoi sezonin e shkuar: fitore cinike, pa u djersitur shumë, por që mjafton për të vendosur në renditje tri pikët e para. Nga ana tjetër një Elbasan që, për hir të së vërtetës, nuk do të kishte qenë aspak mëkat nëse do të kishte dalë dje me një barazim nga përballja e luajtur në “Qemal Stafa” (u luajt në kryeqytet, pasi stadiumi i Elbasanit është në rikonstruksion). Tri raste të pastra për shënim të shpërdoruara nga Çota flasin për një lojë deri diku të barabartë me kampionët, pavarësisht se individualitetet te skuadra korçare bënin diferencën. Shkëmbi, sërish ndër më të mirët në fushë, aq sa çuditesh kur mendon që i ka kaluar të 35- at, ndërsa Sefa tregoi edhe një herë se para portës është i pamëshirshëm. Një rast i pastër, një gol i shënuar.
Ndeshja – Ndeshja nis disi e qetë me të dyja skuadrat, të cilat mundohen të spostojnë njëra-tjetrën në gjysmëfushat respektive. Normalisht, falë edhe kualiteteve, është Skënderbeu që kontrollon lojën, por rasti i parë do duhet të vinte në minutën e 7-të, kur Arapi nuk arrin të godasë portën pasi një krosi të Shkëmbit. Një minutë më vonë është Çota për Elbasanin që ka një rast të artë, një penallti në lëvizje, me kokë, por sulmuesi e shpërdoron në mënyrë të frikshme. Gabon nga njëra anë Çota, por jo Sefa në kahun tjetër. Sulmuesi lushnjar i Skënderbeut shfrytëzon më së miri një përgjumje të mbrojtjes verdheblu, e cila u duk sikur ndali veprimet edhe për shkak se Merxha kërkoi goditje dënimi në zonë për një takë të ngritur më shumë nga ç’duhej nga Berisha, por arbitri vijoi takimin dhe Skënderbeu kalon në avantazh. Të duket e çuditshme, por ky do të ishte goli i vetëm i kësaj sfide. Më pas loja u përqendrua më së shumti në mesfushë me dyluftime të forta, por me pak raste në portat respektive. Për t’u shënuar dy momente të Ribajt, të cilat sulmuesi nuk diti që t’i shfrytëzonte si duhej.
Administrimi – Pjesa e dytë nis me zëvendësime tek Elbasani, aty ku hyn Rodrigues dhe Tahirllari. Duket qartë se me këta dy të fundit loja e verdhebluve merr një tjetër trajtë, aq sa në 15 minutat e para janë ata që kanë rastet më të pastra për shënim. Fillimisht është një gjuajtje-kros e Çotës që devijohet në korne nga Shehi, më pas sulmuesi bën dy gafa të papara. Në fillim ai nuk arrin të devijojë një top në rrjetë, edhe pse ishte shumë pranë portës dhe më pas del huq në një pasim të artë që i dha Gava nga e djathta e sulmit. Gjithsesi, topi përfundoi te Rodrigues, i cili vjen nga pas dhe gjuan bukur, por po aq bukur pret edhe Shehi, duke ruajtur të paprekur portën e tij. Josa kupton se skuadra është në vështirësi, ndaj ndërhyn menjëherë me zëvendësime dhe duke i udhëzuar të tijtë që të lëviznin drejt portës kundërshtare. Kësisoj, vijnë dy raste shënimi për bardhekuqtë me Nimagën dhe Markonin, por që të dyja të neutralizuara nga mbrojtja verdheblu. Në minutën e 77- të është Lilaj, që mund të vuloste rezultatin, por mesfushori nuk shfrytëzoi si duhet një kros të artë të Shkëmbit. Sakaq, në fund të takimit këto raste të shpërdoruara mund t’i kishin kushtuar shtrenjtë Skënderbeut, pasi Elbasani ka dy momente të pastra shënimi, por gjithsesi Shehi është i vëmendshëm dhe ruan me fanatizëm portën e tij. Fiton Skënderbeu, në një stadium të zbrazur dhe në një fushë (nuk ishin më shumë se 500 tifozë) përtej kushteve normale, kjo edhe për shkak të pritjes pa fund të prishjes dhe rindërtimit të “Qemal Stafa”-s.
MË I MIRI
Fatjon Sefa dhe Shkëmbi për Skënderbeun, si dhe Tahirllari për Elbasanin ishin lojtarët më të mirë në fushën e lojës. Sulmuesi shënoi golin e vetëm të takimit dhe të parin për këtë sezon, duke rrezikuar edhe dy herë të tjera portën e Elbasanit. Në formë shumë të mirë ishte edhe kapiteni Shkëmbi, nga këmbët e të cilit u organizuan të gjitha sulmet e kampionëve. Ndërsa te verdheblutë u pa njëlloj reagimi në fushë, vetëm kur u fut Adnant Tahirllari.MË PAK AKTIVI
Merxha, Malindi dhe natyrisht Çota ishin tre lojtarët më të dobët në fushën e lojës. Kapiteni i verdhebluve u duk qartë se ishte nën formën e kërkuar sportive, pasi nuk po mbante dot ritmin e lojës. Malindi nuk u duk thuajse fare në fushë, ndërsa Çota ishte “specialisti” i rasteve të humbura. Tre topa të pastër goli, të shpërdoruar në mënyrë amatoreske sollën në një farë mënyre edhe humbjen e verdhebluve. Sakaq, te Skënderbeu nën nivelin e kërkuar ishte Ribaj.
File: Ishim të pafat, do shikoni një Elbasan ndryshe
Trajneri Ilirjan File, në fund të takimit, u shpreh se mungesa e Kotorrit dhe Bylykbashit për shkak dëmtimesh ndikuan së tepërmi në lojën e Elbasanit. Kreu i pankinës verdheblu beson se skuadra do të jetë ndryshe në takimet e radhës. “Ishim të pafat, pasi që në ndeshjen e parë shorti na vuri përballë një ekipi të fortë si Skënderbeu. Megjithatë, me pak kujdes, sot (dje) mund të dilnim me pikë. Nuk ishte ky ekipi që kisha në plan të hidhja në fushë në këtë ndeshje, por mungesat që kishim për arsye shëndetësore na kushtëzuan. Lojtarët e tjerë punuan mjaft mirë, por duhet pranuar një skuadër ka nevojë që të gjithë grupin ta ketë në dispozicion. Pa Kotorrin e Bylykbashin në fushë, lojtarët kryesorë të kësaj skuadre, na sollën shumë probleme kundër Skënderbeut. Ky ishte vetëm fillimi, por gjatë gjithë ndeshjeve në vazhdim, Elbasani do të jetë ndryshe”, tha fillimisht tekniku elbasanas. Sipas Files, loja e skuadrës së tij ndryshoi ndjeshëm pas zëvendësimeve. “Ndërrimet që u bënë, në fakt dhanë tjetër ritëm, ndryshuan deri diku lojën dhe krijuan raste. U përshtatën shpejt në fushë, megjithatë skuadra jonë ka nevojë për afrime”, deklaroi numri një i stolit, që në fund nuk ngurroi t’i kujtojë të tijve se tashmë nuk janë më pjesë e Kategorisë së Parë. “Lojtarët duhet të kuptojnë se Elbasani luan në Superiore dhe të japin maksimumin e tyre. Në këtë kampionat, të gjithë kundërshtarët janë të fortë”, përfundoi trajneri verdheblu.
Kritikat e Orges Shehit
Portieri i Skënderbeut, Orges Shehi, ka rezerva për lojën e skuadrës ndaj Elbasanit. “Jam pak kritik me ekipin, sepse duhet ta kishim mbyllur ndeshjen shumë më shpejt. Nëse shënonim golin e dytë, kishim mundësinë ta menaxhonim mirë lojën”, ka thënë Shehi për “Supersport”. I pyetur për neutralizimin e goditjeve të Çotës, durrsaku deklaroi: “Çota e bëri golin para pak vitesh në Korçë dhe tani e ka plotësuar atë objektiv”. Për Shehin, ky është sezoni i 21-të në Superiore dhe ai ndihet i lumtur për karrierën.
Markoni: Ende s’më keni parë
Një nga blerjet e bujshme të Skënderbeut, Markoni Soza, dje zbriti për herë të parë në fushë me fanellën bardhekuqe. Mesfushori me tipare sulmuese u aktivizua në minutën e 68-të. “E kisha pritur shumë të luaja me Skënderbeun. Një ndeshje që do ta mbaj mend, sepse ishte prezantimi im i parë me skuadrën. Kam për të dhënë shumë dhe ky ishte vetëm fillimi. Në ndeshjet e tjera do të jem shumë më mirë, duke justifikuar plotësisht besimin e trajnerit dhe klubit”, ka thënë Markoni për “Panorama Sport”.
Dy gabime të arbitrave, dënohet Elbasani
Nis me probleme kampionati shqiptar. Minuta e 9-të, Berisha në dyluftim në zonë me Merxhën, teksa topi ishte në ajër, ngre takat më shumë nga ç’lejohet. Kapiteni i Elbasanit ngre dorën lart dhe kërkon goditje dënimi, duke bërë që edhe mbrojtësit e tjerë të linin disi lojën, por arbitri vazhdon lojën. Berisha, sakaq, pason në qendër, aty ku është Sefa, i cili gjuan dhe shënon golin e vetëm. Në fakt, aksioni duhej ndalur, para se topi të shkonte te sulmuesi i Skënderbeut. Rasti i dytë është në minutën e 52-të: kundërsulm i Skënderbeut, Tahirllari pason në të majtë të zonës kundërshtare për Çotën, por anësori ngre flamurin për jashtë loje. Në fakt, Çota ishte në pozicion të rregullt.
Dhunë në tunel, tifozët përplasen me policinë
Dhunë, sherr, ofendime ndërmjet ultrasve të Elbasanit “Tigrat Verdheblu” me Policinë e Shtetit në “Qemal Stafa”. Në përfundimin e pjesës së parë, duke qenë se ditën e djeshme ishte një vapë e madhe, tifozët e Elbasanit kërkuan në pushimin prej 15-minutësh të dilnin nga stadiumi, për të marrë diçka për të pirë në mënyrë që të freskoheshin. Por, kur bëhen gati për të dalë nga porta, aty hasin në barrikadën e policëve që ndodheshin te dera, duke mësuar se nuk mund të dilnin dot jashtë stadiumit. Këtu më pas nis edhe sherri, që mori përmasa jo të vogla, por për fat të mirë në fund gjithçka u mbyll me konsensus dhe “Tigrat” vendosën të ktheheshin në vendet e tyre. Në këto momente filloi edhe një konfrontim fizik midis policisë dhe tifozëve, ku nuk munguan edhe grushtet.
LEONARD KARAJ
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"