La Vlorën për rivalët në Kavajë, Frashëri: Nuk ramë dakord, tani do provoj një aventurë tjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2024 | 11:45

La Vlorën për rivalët në Kavajë, Frashëri: Nuk ramë dakord, tani do provoj një aventurë tjetër

Erlis Frashëri largohet nga Flamurtari pas një gjysmë sezoni dhe tani mbrojtësi korçar do ta vijojë karrierën e tij te Besa e Kavajës. 36-vjeçari që përpara se të vinte në Vlorë, ishte kapiten i Skënderbeut, ka vendosur që të “divorcohet” me vlonjatët.

FRASHERI BESA

Vendimin e marrë Frashëri e konfirmoi në prononcimi e dhënë dje për “Panorama Sport”. Ai thotë, se me vlonjatët nuk u arrit akordi, por pa sqaruar më shumë se për çfarë bëhet fjalë. Ndoshta shkaqet janë financiare, gjithsesi në këtë aspekt Frashëri përpiqet të mos zbulojë më shumë, duke u treguar hermetik.

“Nuk do të jem më pjesë e Flamurtarit. Kam arritur akordin me Besën e Kavajës. Ata më telefonuan dhe unë e pranova ofertën që më bëmë. Sa i përket Flamurtarit, nuk ramë dakord me klubin për vazhdimësinë dhe ndërpremë gjithçka. Tani do të provoj një tjetër aventurë dhe premtoj se edhe në Kavajë do të jap maksimumin tim”, u shpreh fillimisht Frashëri për “Panorama Sport”.

PËR FLAMURTARIN – Pavarësisht largimit, Erlis Frashëri i është mirënjohës Sinan Idrizit dhe Flamurtarit. Shpresoj shumë që kuqezinjtë të ngjiten sa më shpejt në Superiore. “Kalova shumë mirë në Vlorë. I uroj suksese Flamurtarit dhe shpresoj që shumë shpejt të ngjiten në elitë. Aty ishte një ambient shumë i mirë. Falënderoj Sinan Idrizin dhe djalin e tij Ensarin për mbështetjen. Dua që të falënderoj edhe trajnerin Eqerem Memushi, si edhe lojtarët. Ishte eksperiencë shumë e bukur.

Në Vlorë jam ndier si në Korçë, si në shtëpinë time. Kemi pasur një grup shumë të mirë futbollistësh. Bëmë maksimumin tonë për të arritur objektivin, por nuk e arritëm dot edhe për faktorë jashtë fushe, që tani nuk ia vlen më që t’i përmendësh. I uroj suksese Flamurtarit në sezonin e ri”, përfundon Frashëri.

SITUATA NË EKIP – Rinovimet ende pezull. Duket se titullarët që mbyllën sezonin në Vlorë janë duke u menduar për të ardhmen. Deri tani asnjë futbollist nuk ka rinovuar. Pezull mbetet edhe çështja e trajnerit. Nuk përjashtohet mundësia që trajneri i ri të jetë Artim Pollozhani.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"