Laçi dështon që në shtëpi, Flamurtari dorëzohet në fund
Duket se ka përfun duar këtu aventura e Laçit në Europë. Skuadra kurbinase, që një javë më parë shkroi një pjesë të rëndësishme të historisë së vet, duke kaluar një tur në Kupat e Europës, me shumë mundësi tashmë do të nisë të mendojë për kampionatin. Laçianët janë mundur dje 3-0 në fushën e tyre nga Zorja Luhansk në sfidën e parë të vlefshme për turin e dytë të Ligës së Europës. Megjithëse kanë zhvilluar një lojë të mirë duke krijuar raste për gol, duket se eksperienca dhe fati kanë bërë diferencën në sfidën e djeshme. Një autogol i Shetës në minutën e 23-të dhe, më pas, dy gola të tjerë në fraksionin e dytë, kanë fundosur ëndrrat e të gjithë laçianëve për një tjetër sukses në Europë, pas atij të një jave më parë kur eliminuan Rudarin. Kurbinasve nuk u kanë mjaftuar dje as Mario Morina apo Stipe Buljan, që ishin risitë e kësaj skuadre në këtë tur të dytë. Nga ana tjetër, miqtë janë më të organizuar dhe të saktë në aksionet e tyre. Mjaftojnë 2-3 futbollistë që bëjnë diferencën për të vendosur të gjithë sfidën. Në fund, pavarësisht zhgënjimit, tifozët e pranishëm duartrokasin ekipin.
Laçi – Zorja 0-3
Goli: Sheta 23′ (aut), Ljuboneviç 47′, Boli 78′
Laçi: Vujadinoviç, Ofojeh, Çela, Sheta (Veliaj 68′), Sefgjini (Buljan 27′), Vucaj, Nimani, Teqja, Zefi, Adeniji, Morina (Sefa 40′). Trajner: Stavri Nica
Zorja: Shevçenko, Ignjateviç (Jarmash 46′), Bernidiub, Biliy, Grystay (Boroday 75′), Çaykovsky, Kamenujka, Karavajev, Ljubenoviç (Lipartja 60′), Boli, Khomçenovski. Trajner: Juri Vernidub
Gjyqtarë: Peter Kralović, Ondrej Brendza, Erik Ueiss (SVK)
Kartonë të verdhë: Vernidub 40′, Borodai 89′
Minutat:
10’-15’ Ukrainasit sulmojnë shpesh portën e vendasve, por pa mundur të zhbllokojnë shifrat e takimit.
23’ Aksion i ukrainasve pranë portës së Laccit, gabim i Shetës dhe topi përfundon në rrjetë, 0-1.
29’ Kamenujka gjuan drejt portës, por Vujadinoviç tregohet i vëmendshëm dhe e ndal sulmin.
31’ Nimani i ka të gjitha shanset për të shënuar, por përpara portës gabon dhe e nxjerr topin jashtë.
36’ Kamenujka gjuan nga distanca, por Vujadinovicc ka grushtuar duke shmangur golin.
47′ Sapo nis takimi, Zorja arrin të kalojë për herë të dytë në avantazh, këtë herë me anë të Ljuboneviç, 0-2
55’ Vucaj i vetëm përball “gardianit” Shevçenko, gjuan, por ukrainasi pret në kohë
78’Spektakël i lojtarit me ngjyrë, Boli. Brenda zonës arrin të bëjë gjithçka vet, duke mposhtur Vujadinoviçin &Co
KOMENTI
Në një atmosferë jo shumë të zjarrtë, pasi në stadium janë rreth 1000 tifozë, nis sfida mes Laçit dhe Zorjas. Në minutat e para, kurbinasit janë më kërkues në fushë. Vucaj, Morina dhe Nimani arrijnë të kombinohen mirë mes tyre dhe krijojnë rastet e para, por goditjet në portë nuk janë të sakta. Loja flet më shumë për kurbinasit. Në minutën e 21- të është Morina që krijon hapësirën e nevojshme dhe shërben për Nimanin në zonë, por ky i fundit nuk arrin në kohë, pasi portieri mik është më i shpejtë dhe kap topin. Një minutë më pas, Vucaj pason saktë për Morinën në të djathtë, që godet nga jashtë zone në pozicion diagonal, por grushton Shevçenko në goditje këndi. Kur laçianët po kalonin këto minuta të mira, në të 23- ën është Karavayev që shpërthen në të djathtë dhe arrin të shmangë dy mbrojtës vendës duke hyrë në zonë dhe pason në qendër, aty ku Sheta, në tentativë për të larguar topin, sfera i përplaset në këmbën e majtë dhe përfundon në rrjetë, 0-1. Heshtja pllakos stadiumin, në një kohë që lojtarët në fushë mbeten të zhgënjyer. Pas këtij momenti, Nica ndërhyn menjëherë duke nxjerrë Sefgjinin dhe hedh në fushë Buljan. Ky i fundit vendoset në qendër, në një kohë që Çela kalon në të majtë. Duket se mbrojtja nuk është në ditën e vet më të mirë. Pavarësisht golit, kurbinasit sulmojnë dhe krijojnë raste, por goditjet e tyre priten thuajse në të gjitha rastet nga gardiani mik, Shevçenko. Në minutën e 40-të, Nica nxjerr Morinën për Sefën, duke ndryshuar sërish ekipin në fushë. Në këtë fraksion nuk ndryshon asgjë dhe sfida mbyllet 1-0 për ukrainasit. Laçi e merr shumë shpejt goditjen e dytë, duke i prerë të gjitha shpresat për ndonjë përmbysje. Në minutën e 47-të, një lojtar mik e dërgon topin me dorë në zonë nga rivënia anësore dhe aty një prej shokëve të tij devijon pak me kokë dhe sfera përfundon në këmbët e Ljubenoviç, që ka hapësirën e nevojshme dhe godet fort me të djathtën, duke shënuar golin e dytë, 0-2. Kurbinasit janë të demoralizuar dhe e kanë të vështirë të reagojnë. Mundohen të krijojnë me Vucajn, Adenijin apo Nimanin, por nuk arrijnë të shënojnë. Disa herë për meritë të gardianit ukrainas dhe disa herë për goditje të pasakta, sfera nuk përfundon në rrjetë. Në minutën e 70-të, Nica bën edhe zëvendësimin e fundit duke nxjerrë Shetën për Veliajn, por pak gjëra ndryshojnë në fushë. Në minutën e 75-të është Boli, një prej lojtarëve më të mirë të Zorjas në fushë, i cili, pasi shmang dy mbrojtës kurbinas, në zonë godet në pozicion diagonal dhe topi, pasi kalon mes këmbëve të Vujadinoviç, përfundon në rrjetë, 0-3. Në minutat e mbetura nuk ka më histori dhe sfida mbyllet me fitoren e Zorjas 3-0. Ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave në Ukrainë
Nica: “Gabuam, kualifikimi i pamundur”
Trajneri i Laçit, Stavri Nica, ka mbetur i zhgënjyer nga loja e të tijve në sfidën e djeshme ndaj Zorja Luhansk. Tekniku i kurbinasve ka qenë në këmbë gjatë të gjithë lojës, duke thënë udhëzime për të tijtë, por në fushë lojtarët e kanë pasur të pamundur për të shmangur humbjen, pavarësisht angazhimit maksimal. Nica e ka shprehur pakënaqësinë e tij me të tijtë që në minutën e 27-të, katër minuta pas autogolit të Shetës. Ai ka parë se diçka nuk shkonte siç duhet në mbrojtje. Në këtë mënyrë, ka nxjerrë Sefgjinin për Buljan. Ky i fundit është vendosur në qendër të mbrojtjes, ndërsa Çela ka kaluar në të majtë. Por, ajo që ka bërë më shumë përshtypje ishte zëvendësimi pesë minuta përpara fundit të pjesës së parë. Në këtë moment, tekniku i kurbinasve ka nxjerrë nga loja Mario Morinën, i cili u afrua te Laçi për këto dy ndeshje dhe ka hedhur në fushë Sefën. U duk se Nica nuk ka qenë i kënaqur nga loja e futbollistit të Tiranës. Zhgënjimin e tij, trajneri i Laçit e shprehu edhe në prononcimin që dha për mediat pas përfundimit të ndeshjes. Tekniku e ka konsideruar si diçka të mbyllur kualifikimin, duke parë humbjen e thellë 3-0.
Nica
Në prononcimin e tij, Nica u shpreh: “Kjo humbje sigurisht që na ka mërzitur të gjithëve dhe kualifikimi për në turin tjetër mund të konsiderohet diçka e pamundur për Laçin. Përballë kishim një kundërshtar të fortë, i cili shfrytëzoi vendosjet e gabuara tonat duke na ndëshkuar dhe iu gëzuar triumfit në fund të ndeshjes. Ne patëm rastet tona, por nuk i shfrytëzuam”, deklaroi fillimisht Nica. Më pas, tekniku vazhdoi duke thënë: “Taktikisht skuadra nuk zhvilloi një ndeshje të mirë, ndryshe nga kundërshtari, që në këtë aspekt ishte shumë lart, duke na lënë fare pak hapësira. Tashmë na pret edhe takimi i kthimit, por sigurisht që çështja e kualifikimit mund të konsiderohet e mbyllur”, përfundon prononcimin për mediat trajneri i Laçit, Stavri Nica. Duket se pas sfidës së djeshme ka përfunduar historia e skuadrës kurbinase në Ligën e Europës. Pavarësisht kësaj, ekipi ia arriti qëllimit, duke kaluar të paktën turin e parë. Ky është një sukses për kurbinasit, të cilët e arrijnë këtë vetëm në pjesëmarrjen e tyre të tretë në Kupat e Europës. Ndërkaq, ndeshja e kthimit ndaj Zorjas do të luhet pas një jave në Ukrainë.
Vernydub: Jam i lumtur, jemi thuajse të kualifikuar
Trajneri i Zorjas, Yuri Vernydub, ka mbetur shumë i kënaqur nga loja e futbollistëve të tij në sfidën e djeshme dhe nga rezultati i arritur. Një fitore 3-0 në transfertë që do të thotë se ukrainasit thuajse e kanë siguruar që tani kualifikimin në turin tjetër. Pas ndeshjes së djeshme, tekniku i Zorjas u shpreh: “Jemi përgatitur mirë gjatë kohës që jemi stërvitur në Slloveni, ndërkohë që patëm mundësinë të ndiqnim edhe ndeshjen e parë mes Rudar e Laçit. Takimin e dytë nuk e ndoqëm dot, por kishim disa informacione mbi ekipin e Laçit, i cili në kampionatin shqiptar ka arritur të renditet i treti dhe duhej vlerësuar nga ana jonë. Ne e bëmë diçka të tillë dhe arritëm të merrnim një rezultat shumë të mirë. Kundërshtari bëri një lojë të mirë, duke na vënë në disa momente në vështirësi, por ishim ne ata që arritëm të gjenim rrugën e rrjetës duke e zgjidhur takimin”. Kualifikimi? “Sigurisht, ky rezultat është shumë i mirë dhe na dërgon shumë afër kualifikimit, por janë edhe 90 minuta lojë që ne do i vlerësojmë maksimalisht. Pra, dua të them që asgjë nuk ka përfunduar”, – përfundon me modesti trajneri i ukrainasve të Zorjas. Tashmë miqtë do të presin të qetë sfidën e kthimit, që do të luhet pas një jave në Kiev.
Petrolul P. – Flamurtari 1-0
Golat: Nepomuçeno 78′, Tamuz 84′
Petrolul P.: Peçanha, Alçenat, Geraldo Alvesh, Fançone, Albin (Nepomuçeno 46′), Hoban, Marinesku (N’Koi 72′), Felipe Teikseira, De Lukas, Mutu, Tamuz (Morar 85′). Trajner: Razvan Luçesku
Flamurtari: I.Lika, Mici, Veliu, Lena, Arberi, Muzaka, Telushi, Kuqi, G.Lika (Meto 75′), Zeqiri (Gërxho 89′), Abilaliaj (Shehaj 66′). Trajner: Ernest Gjoka
Gjyqtarë: Ken Henry Johnsen, Frank Andås, Sven Erik Midthjell
Kartonë të verdhë: Zeqiri 44′ , Muzaka74’/ Marinesku 39′, Alvesh 73′, Pablo 89′
Minutat
7′ Telushi është i pari që krijon rrezikun e parë në këtë takim, gjuan, por pret portieri.
17’ Gjuan Marinesku dhe Ilion Lika bën mrekullinë, pret topin në këndin e djathtë të kuadratit.
37′ Alçenat provon të gjuajë nga jashtë zonës, por I.Lika pret në kohë.
45’ Në minutën e fundit të khës së rregullt Albin shfaqet rrezikshëm në afërsi të portës, gjuan, por sfera përfundon pak centimetra jashtë kuadratit.
45’+1’ Abialaliaj me kokë nuk mundet ta dërgojë topin drejt kuadratit.
48’ Marinesku kërcënon kuadratin vlonjat, por pa arritur të shënojë.
60’ Muzaka bën kalime të bukura në mesfushë, driblon 2-3 lojtarë rumunë dhe gjuan drejt kuadratit, por topi ndalet nga duartë e portierit.
64’ Arbëri nga e djathta, harkon në zonë, por largojnë topin mbrojtësit më parë se të shkojë te Muzaka.
65’ Petrolul humbet një mundësi të artë me Tekseiran, i cili i gjendur para portës nuk e shtyn dot topin në rrjetë.
78’ Aksion i rumunëve, brenda zones Nepomuçeno i futu në pjesën e dytë arrin të ndryshojë shifrat, 1-0.
84’ Pas pësimit të golit të parë vlonjatët e kanë të vështirë të ruajnë rezultatin. Tamuz gjuan drejt kuadratit dhe shënon golin e dytë. 2-0.
KOMENTI
Luan shkëlqyer deri në minutën e 77-të dhe më pas shpërfytyrohet. Flamurtari ka bërë të vuajë dje Petrolul Ploeshtin, por gjithsesi në fund rumunët i janë gëzuar fitores së pastër 2-0, në një ndeshje që ndoshta për atë që u dha në fushë nuk meritonte të mbyllej me këtë rezultat. Vlonjatët janë ndëshkuar atëherë kur mendohej se kishin siguruar të paktën një barazim, teksa po menaxhonin lojën në mënyrën më të mirë, madje nëpërmjet kundërsulmit mund të ndëshkonin skuadrën e Adrian Mutusë. Ky i fundit, një emër i madh i futbollit rumun, dje ka qenë hije e vetvetes në fushë përballë kuqezinjve të Ernest Gjokës. Me Veliun dhe Kuqin të pagabueshëm deri në momentet e golave dhe një Zeqir të frikshëm në mesfushë, por pa lënë mënjanë performancën e shkëlqyer të Muzakës dhe Gilman Likës nga krahët, Flamurtari jo vetëm që luajti si i barabartë përballë rumunëve, por për mënyrën se si rrodhën ngjarjet, ishte shumë afër barazimit. Mungesa e eksperiencës, por mbi të gjitha kualitetet e kundërshtarit, bënë që Flamurtari të pësonte gol në 13 minutat e fundit. Tashmë shanset për një kualifikim janë shumë të pakta, duke pasur parasysh edhe cilësinë që ka Petroluli. Gjithsesi, askush nuk i pengon vlonjatët për të tentuar përmbysjen në 90 minutat e kthimit, që do të luhen më 24 korrik në stadiumin “Flamurtari”.
Pjesa e parë
Të dyja skuadrat rreshtohen me të njëjtën skemë: 4-2- 3-1. Petroluli është agresiv që në minutat e para, teksa kërkon ta ndëshkojë Flamurtarin me daljet nga krahët. Mirëpo, kuqezinjtë, jo vetëm mbrohen mirë, por dalin shpejt nëpërmjet kundërsulmit, duke shfrytëzuar Gilman Likën dhe Muzakën. Në një ditë të shkëlqyer është Polizoi Arbri, që jo vetëm shkatërron, por i vjen shumë në ndihmë skuadrës në fazën ofensive. Pas 10 minutave të para loja ekuilibrohet, pasi Flamurtari qarkullon më mirë topin dhe kjo i jep frymëmarrje skuadrës. Gilman Lika bëhet protagonist me goditjet e dënimit, ndërsa rasti i parë i rrezikshëm ka për autor Kuqin, i cili i afrohet golit pas goditjes me kokë. Edhe Petroluli mundohet të shfrytëzojë goditjet standarde me uruguaianin Albin, por nuk ia del. Në fund të pjesës së parë, një krosim fantastik i Arbrit mund të ishte shfrytëzuar më mirë nga Abilaliaj, teksa sulmuesi gjuajti me kokë jashtë portës. Gjithçka 0-0 për këtë pjesë dhe me një Flamurtar të mirëvendosur në fushë.
Pjesa e dytë
Loja rinis me një zëvendësim për rumunët. Mesfushori Albin i lë vendin Nepomuçenos dhe ky i fundit bëhet menjëherë protagonist i ndeshjes. Lëvizja e trajnerit Razvan Luçesku rezulton efikase, pasi shtatlarti holandez sjell pështjellime në mbrojtjen vlonjate. Minutat kalojnë dhe rumunët shtojnë presionin, por janë të paqartë përballë portierit Ilion Lika. Rasti më i artë u rezervohet kuqezinjve, teksa pas një shërbimi perfekt të Zeqirit, është Muzaka që nuk koordinohet mirë përballë portierit Peçanha. Gjoka bën zëvendësimin e parë, teksa aktivizon Ardit Shehajn dhe nxjerr Abilaliajn të dëmtuar. Më pas nga fusha del edhe Gilman Lika, për t’i lënë vendin Metos. Nuk kalojnë dy minuta nga ky ndërrim dhe mbrojtja vlonjate gabon në të vetmin rast. Nepomuçeno tregon klasin e tij, duke shfrytëzuar hapësirat në zonën vlonjate dhe mposhtur Ilion Likën. Këtu Flamurtari merr një goditje fatale dhe nuk është në gjendje të organizohet në minutat në vijim. Kur duheshin edhe gjashtë minuta të mbyllej koha e rregullt, vlonjatët e pësojnë nga një goditje këndi. Edhe këtë herë kuqezinjtë tregohen të pavëmendshëm, duke lënë të lirë Tamuz, që dyfishon shifrat dhe 60 sekonda pas golit zëvendësohet. Loja në vijim, përfshi edhe minutat shtesë, nuk sjellin asnjë ndryshim, duke bërë që gjithçka të mbyllet me fitoren e Petrolulit. Rumunët hedhin një hap të sigurt drejt kualifikimit në turin e tretë.
Gjoka: Besojmë te mrekullia
Trajneri i Flamur tarit, Ernest Gjoka, nuk dorëzohet dhe beson te kualifikimi i vlonjatëve. Deklarata e tij pas humbjes 2-0 kundër Petrolul Ploeshtit i ka shtangur disi vendësit, teksa ka konfirmuar se beson ende te kualifikimi. Ndeshja Sipas Gjokës, rezultati nuk i përgjigjet fare lojës që u zhvillua në fushë dhe skuadra e tij meritonte shumë më tepër se kaq. “Ishte një ndeshje e luftuar nga të dyja palët, por në pjesën e dytë u krijuan disa episode që na ndëshkuan. Loja ishte krejtësisht e barabartë për 77 minuta dhe ne patëm mundësi të mira për të shënuar, por në fund bëmë dy gabime dhe u ndëshkuam. Ky është futbolli. I pamëshirshëm edhe atëherë kur mendon se ke luajtur mirë – ka deklaruar Gjoka. – Mendoj se në disa raste u treguam më të druajtur nga ç’duhet dhe kjo na penalizoi”. Besimi Gjoka ka deklaruar hapur se në Vlorë do të jetë një ndeshje tjetër dhe se Flamurtari i tij nuk ka asgjë për të humbur. “Normalisht është një humbje që të vendos në vështirësi sa u përket mundësive për ta përmbysur rezultatin, por gjithsesi ne besojmë – është shprehur Gjoka në konferencën për shtyp. – Besojmë, sepse nuk kemi asgjë për të humbur. Sigurisht, do të na duhet një mrekulli, por ju siguroj se në Shqipëri do të jetë një ndeshje krejt tjetër. Mjafton vetëm një gol për t’i vënë kundërshtarët në vështirësi dhe ne do të tentojmë gjithçka. E theksoj, nuk kemi asgjë për të humbur, edhe pse e dimë se do të jetë tmerrësisht e vështirë”. Ndeshja e kthimit mes Flamurtarit dhe Petrolul Ploeshtit do të luhet pas një jave në stadiumin e Vlorës. Kujtojmë që drejtuesit e klubit vlonjat kanë vendosur një shpërblim prej 250 mijë dollarësh për kualifikimin e Flamurtarit në turin e tretë paraeliminator. Në rast eliminimi pritet të ketë edhe disa ndryshime në organikën e skuadrës, kryesisht në radhët e lojtarëve.
Luçesku: Vuajtëm në pjesën e parë
Trajneri i Petrolul Ploeshtit, Razvan Luçesku, deklaroi pas ndeshjes se rezultati 2-0 është shumë i mirë, por ka pranuar se skuadra e tij mund ta kishte pësuar. “Jam i kënaqur 100 për qind me rezultatin 2-0 që morëm kundër një skuadre të vështirë si Flamurtari – deklaroi Luçesku. – E dinim që do të vuanim me shqiptarët dhe ashtu ndodhi. Është e vështirë të thuash dhe të bësh një bilanc të menjëhershëm të kësaj ndeshjeje, sepse edhe kundërshtarët tanë patën momente shumë të mira dhe mund të na kishin ndëshkuar. Gjithsesi, ne e merituam plotësisht këtë fitore të pastër dhe tani duhet të mendojmë për ndeshjen në Shqipëri. Atje do të jetë sërish një duel i fortë dhe duhet ekuilibër i madh për të mos i lejuar shqiptarët që të shënojnë”. Kritikat Sipas Razvan Luçeskut, pjesa e parë ishte e dobët për skuadrën e tij, sepse Flamurtari arriti të fitonte luftën në mesfushë. “Në pjesën e parë rrezikuam shumë, sepse ishin kundërshtarët ata që dominonin në mesfushë. Kjo na çorganizoi dhe na bëri pak të rrezikshëm në portën kundërshtare. Jam i pakënaqur nga 45 minutat e para, sepse edhe mund ta kishim pësuar dhe dihet se një gol i pësuar në fushën tënde t’i komplikon shumë gjërat. Gjithsesi, në të dytën treguam epërsi totale dhe mendoj se në këtë ndeshje fitoi skuadra më e mirë. Mendoj gjithashtu se edhe zëvendësimet që bëmë, ishin të goditura”, deklaroi trajneri rumun.
Mutu: Në Shqipëri presim një rival më agresiv
Adrian Mutu e ka pranuar se në këtë ndeshje ishte nën nivelin e tij, por është i sinqertë kur thotë se shqiptarët kishin dalë jashtë parashikimeve. “Ishte një ndeshje e vështirë dhe unë e dija, por një pjesë e skuadrës ndoshta nuk e besoi edhe aq shumë këtë. Flamurtari është një skuadër që luan mirë futboll dhe e dija se do ta kishim të vështirë. Në pjesën e parë realisht isha i paorganizuar mirë, sepse nuk po gjeja hapësira, por edhe sepse nuk po arrinim të ndërtonim aksione të mirëfillta. Gjithsesi, në pjesën e dytë ndryshoi gjithçka”, u shpreh ish-kapiteni i përfaqësueses rumune. Më tej, 35-vjeçari foli edhe për ndeshjen e kthimit, duke pohuar se Ploeshti është skuadra favorite për të kaluar turin, porse duhet të mos nënvlerësohen vlonjatët. “Nuk e di nëse do të luaj në ndeshjen e kthimit, sepse kam pasur vazhdimisht probleme në pulpë, por nëse do të jem, atëherë do të bëj gjithçka mundem që të fitojmë. Nuk do të jetë e lehtë në Vlorë. Shqiptarët janë shumë agresivë në fushën e tyre dhe shpesh karikohen tej mase nga publiku, ndaj duhet qetësi dhe shpirt sakrifice, ashtu siç kemi bërë deri tani. Gjithsesi, ne jemi favoritë, sepse rezultati 2-0 është shumë i favorshëm në të tilla ndeshje”, – u shpreh futbollisti i Petrolul Ploeshtit, i cili mban edhe shiritin e kapitenit.
VLADIMIR PRENGA/SUADA CENUKA/ERMAL SIKA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"