Laçi s’ndalet, Troisi gjen një tjetër sulmues në Brazil
Laçi i Marcelo Troisit pritet të ketë jo pak, por pesë brazilianë. Pas akordit me Maikon Eskuerda, Robert Ribeiro, Rafael Medeiros dhe Zhunior Pinto, së fundmi klubi ka gjetur edhe një sulmues, nga i cili pret të bëjë diferencën në Kategorinë Superiore.
Bëhet fjalë për Paulo Serxhio Rodrigues Theodoro, por që në Brazil ka nofkën Taubate. Ky i fundit është 24 vjeç dhe ka qenë pjesë e klubeve me shumë emër në Brazil. Në vitin 2011 ka luajtur për Korinthiansin, ndërsa vetëm një sezon më pas te Botafogo. Së fundmi ka qenë pjesë e skuadrës Santa Rita. Edhe pse të dhënat për golat nuk janë aq premtuese, të paktën nga statistikat e lojtarit me skuadrat braziliane, duket se Troisi ka gjetur sulmuesin e duhur. “Panorama Sport” mëson se lojtari mbërrin këto ditë në Tiranë për të firmosur marrëveshjen.
Tashmë problem për Laçin bëhet edhe fakti se brazilianët nuk mund të luajnë të gjithë, pasi vetëm katër të huaj lejohen në fushë. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që, deri në fund të merkatos, të ketë ndryshime të tjera. Sezoni i ri do të sjellë një tjetër Laç, të ndryshuar në masën 90% nga ai që luajti për herë të fundit në finalen e Kupës.
Ikën Rexhepi
Ishte afrimi i parë te Laçi, por ka disa ditë që nuk është më pjesë e skuadrës. Pas disa seancash me kurbinasit, mesfushori kosovar Alban Rexhepi është larguar nga skuadra. Nga sa mësohet, Troisi nuk e ka pasur në plane lojtarin dhe ky i fundit është rikthyer sërish në kampionatin kosovar, ku ka firmosur për skuadrën e Dritës.
S.Sulozeqi
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"