Laçi, “tenis” për Europën me Kastriotin. Nica: Do t’ia dalim edhe ndaj Skënderbeut
LAÇI-KASTRIOTI 6-0
GOLAT: Çela 24′, Xhejms 44′, 49′, Kehinde 55′, Bakaj 57′ (11-m), Jubani 77′
FORMACIONET LAÇI: Bakaj, Çarls, Buljan, Çela, Sefgjini (Troplini 70′), Zefi, Vucaj (Jubani 70′), Veliaj, Kehinde, Malo (Ndreca 41′), Xhejms. (në dispozicion: Ujka, Danaj, Tanushi). Trajner: Starvi Nica
KASTRIOTI: Kukrika, Caca, Sheta, Xhafa, Abraham, Manuka (Doku 46′), Daja (Karapici 46′), Sefa (Da Silva 59′), Muçollari Tepshi, Malindi. (në dispozicion: Cali, Hoxha). Trajner: Nevil Dede
KARTONË TË VERDHË: Tepshi 33′, Manuka 45′, Caca 50′, Karapici 74′
KARTON I KUQ: Sheta 56′
VËZHGUES: Sazan Velçani (Patos)
DELEGAT: Uvil Zajmi (Tiranë)
GJYQTARET: B.Breshanaj, N.Bregasi, D.Myftari (Tiranë)
MINUTAT
3′ Malo tenton portën, por gjuajtja e tij devijohet nga mbrojtja, e më pas topi zotërohet nga portieri mik.
6′ Vucaj i gjendur në hyrje të zonës, godet, pret në dy kohë portieri Kukrika
7′ Vucaj del përballë Kukrikës, por portieri ia largon topin nga këmbët shkodranit.
10′ Vucaj tenton nga distanca, por topi përfundon mbi tra.
13′ Vucaj harkon për Buljan nga një goditje dënimi, gjuan me kokë kroati, por topi përfundon jashtë portës.
14′ Sërish Vucaj në hyrje të zonës godet, portieri Kukrika devijon topin në korne.
24′ Korne për vendësit që shfrytëzohet nga Çela, i cili gjuan me kokë dhe 1-0!
28′ Vucaj lëshon një diagonale, pret portieri, topi shkon më pas tek Xhejms që për anësorin është në pozicion jashtë loje.
36′ Malo godet nga jashtë zone, por topi përfundon larg portës.
38′ Kundërsulm i Laçit me Vucajn, që pason për Zefin i cili tenton të shërbejë për Xhejmsin, por mbrojtja mike e largon topin në korne.
44′ Ndreca merr mjaft mirë kahun e majtë, pason për Xhejms në qendër që nuk e ka të vështirë të shënojë. Dhe 2-0!
49′ Korne për vendësit, krosi në zonë goditet fillimisht nga Çela me kokë, e më pas Xhejms më këmbë trefishon rezultatin 3-0.
54′ Goditje këndi për miqtë, Sheta devijon topin me finte, por Xhejms në vijën fatale i mohon golin.
55′ Asist i Vucajt për Xhejms, që shmang portierin por tregohet altruist e pason për Keheinden, i cili nuk e ka të vështirë të shënojë. Dhe 4-0!
57′ Ndreca merr kahun e majtë, pason për Xhejms që godet e topi ndalohet në vijë fatale me dorë nga Sheta. Penallti që finalizohet nga Bakaj.
58′ Vucaj del i vetëm me portierin Kukrika, gjuan dhe topi shkon ngjitur me shtyllën pingule.
77′ Ndreca sërish nga e majta, asiston për Jubanin, që shënon golin e gjashtë për të tijtë. 6-0
83′ Karapici i jep një top në zonë Dokut, gjuan, por topi përfundon jashtë.
Laçi luan “tenis” me Kastriotin. Kurbinasit kanë qenë të papërmbajtshëm në takimin e djeshëm përballë krutanëve, skuadër kjo që ka zbritur në një kategori më poshtë. Dy gola në pjesën e parë dhe katër në të dytën, bardhezinjtë e Stavri Nicës janë pozicionuar në vend të tretë, vend ky që të çon direkt në Kupat e Europës. Por asgjë nuk ka përfunduar, ndaj dhe laçianët kanë nisur të mendojnë për Skënderbeun, ku do të mbyllin sezonin. Kjo fitore sigurisht e karikon edhe më tepër Laçin, në kërkim të realizimit të objektivit sezonal, që është pjesëmarrja në Europë, ndërsa krutanët e rënë tashmë nga kategoria presin sfidën e fundit me Flamurtarin për t’i dhënë fund këtij sezoni të dështuar për ta.
Pjesa e parë – Ndeshja nis me vendësit në sulm, që kërkojnë të shënojnë me anë të Malos, por gjuajtja e tij devijohet fillimisht nga mbrojtja, duke humbur forcën e shkon drejt e në duart e portierit mik. Më pas, është Vucaj që në hyrje të zonës godet fort, por pret në dy kohë Kukrika. Rastet e njëpasnjëshme të bardhezinjve do të shpërbleheshin në minutën e 24-t, ku Çela gjuan me kokë duke nxjerrë të tijtë në avantazh. Krutanët e kanë të vështirë të ndalojnë sulmet e vendësve, që tentojnë golin e dytë me anë të Vucajt dhe Malos, por pa sukses. Kur pritej përfundimi i pjesës së parë, në të 44- ën, Xhejms pas një asisti të Ndrecës nuk e ka të vështirë të dyfishojë rezultatin.
Pjesa e dytë – Fraksioni i dytë nis me gol dhe është protagonist sërish Xhejms, i cili pas një goditjeje të Çelës, gjuan me kokë dhe mposht portierin boshnjak të miqve. Ka festë dhe kërcim tradicional të tri nigerianëve të Laçit, të cilët festojnë së bashku golin. Në minutën e 54-t, miqtë kanë rastin e parë për të shënuar me Shetën, por Xhejms i ndodhur në vijën fatale largon topin. Në minutën e 55-të, Vucaj jep një asist për Xhejms, i cili shmang portierin por tregohet altruist, duke pasuar për Kehinden që plotëson “pokerin” për të tijtë. Furia e sulmeve vendëse nuk ndalon, ku Ndreca merr mjaft mirë krahun e majtë, kthen topin në zonë, ku ndodhet Xhejms godet e topi ndalohet nga Sheta me dorë pranë vijës fatale. Ka karton të kuq për mbrojtësin dhe 11-metërsh për vendësit. Ekzekutimin nga pika e bardhë e merr përsipër portieri Bakaj, i cili e shndërron në gol. Kjo ndeshje ka vend edhe për një gol, kur shkodrani Daniel Jubani arrin të gjejë rrugën e rrjetës për të 6-ën herë. Minutat e mbetura nuk ofrojnë më gola. Në fund, Laçi feston fitoren e vet, por edhe atë të Skënderbeut që ndali një nga rivalët direkt të tyre, Partizanin.
Nica: Do t’ia dalim edhe ndaj Skënderbeut
Stavri Nica, numri një i pankinës së Laçit, pas përfundimit të takimit u shpreh: “Kisha kërkuar përqendrim nga skuadra në këtë ndeshje, pasi neve na duhej të fitonim e të ruanim edhe ritmin, pasi ka edhe një javë kampionat për t’u luajtur. Sigurisht fitorja nuk ishte e vështirë për t’u arritur pasi edhe skuadra kundërshtare ishte e pamotivuar, duke qenë se ka rënë nga kategoria. Gjithsesi, për ne kjo ndeshje ka vlejtur, pasi skuadra është në tonus, çka na nevojitet për ta mbyllur me sukses këtë sezon. Fitorja e Skënderbeut? Sigurisht që pasi e mësojmë një fakt të tillë, kjo na bën të ndihemi mirë, pasi tashmë jemi në vendin e tretë. Mirëpo asgjë nuk ka përfunduar, pasi kemi edhe një ndeshje tjetër në Korçë me Skënderbeun dhe ne do bëjmë maksimumin t’ia dalim mbanë edhe në këtë transfertë. Kjo nuk do të jetë e lehtë por me besimin tek Zoti, urojmë që ta kalojmë me sukses edhe atë sfidë, për të cilën do të kemi kohë të flasim”, përfundoi Nica.
Bakaj: Kishte ardhur koha të shënoja!
Në takimin e djeshëm, tre lojtarë shënuan për herë të parë me fanellën bardhezi. Bëhet fjalë për portierin Bakaj dhe mesfushorët Kehinde e Jubani. Portieri i bardhezinjve, Bakaj, pas ndeshje u shpreh se kishte ardhur koha që edhe ai të shënonte. “Për ne portierët është bërë e rrugës të pësojmë, e këtë herë më erdhi mundësia të shënoja çka nuk është normale për një lojtar në rolin tim. Diçka të tillë nuk është se e bëjmë në çdo ndeshje, ndaj dhe jam i kënaqur që arrita të realizoj. Golin dua t’ua dedikoj tifozëve që na kanë mbështetur gjithmonë. Më kënaq shumë triumfi i skuadrës, duke bërë që të pozicionohemi të tretët. Do mundohemi ta ruajmë këtë pozicion për të realizuar me sukses objektivin tonë që është pjesëmarrja në Europë”.
VLADIMIR PRENGA